Prend Buzhala
SHERAFEDIN KADRIU, NJERIU QË BESONTE SE FJALËT KANË SHPIRT
(Homazh për shkuarjen në amshim të Sherafedin Kadriut, kritik letrar e poet)
Sherafedin Kadriu, sa herë ligjëronte për një krijues apo shkruante për një libër, besonte ashtu si romantikët, se fjalët kanë shpirt. Miqtë krijues dhe publiku artdashës do ta kenë dëgjuar ndër dekada fjalën e tij në tryeza poetike, në përurime librash, në manifestimet gjilanase të “Flakës së Janarit” apo në vjeshtat letrare. Dhe kushdo që e ka dëgjuar apo lexuar, e ka ndier se ajo buronte nga një e vërtetë e thellë.
Sa herë shkonim në Gjilan, në veprimtari kulturore e letrare, aty e gjenim edhe Sherafedin Kadriun: njeriun e çiltër, të buzëqeshur, mirëdashës e plot humor.
Duke qenë vetë krijues, autor poezish e tregimesh, si dhe studiues e kritik letrar, ai arrinte natyrshëm të ndërlidhte përjetimin me shprehjen, emocionin me mendimin, të bukurën me të vërtetën. Kështu, shpirti dhe fjala bëhen dy shtyllat mbi të cilat ngrihet arti i vërtetë letrar.
1.
Shpirti i bukur është burimi i krijimit. Këtë dhunti e kishte Sherafedini. Shpirti i bukur është një dhuratë e rrallë që shfaqet në mirësjellje, në buzëqeshje të sinqertë, në gatishmërinë që të ndihmojë pa pritur shpërblim. I tillë, një njeri me shpirt të pastër, ai nuk gjykonte lehtë; te ky mik nuk mund të hetoje as edhe një grimë urrejtjeje; ishte njeriu që gjithmonë përpiqej ta kuptonte tjetrin. I durueshëm dhe i drejtë, titanik në përballimin e sëmundjes së tij, ai përhapte qetësinë.
Në kohën tonë plot sfida dhe vështirësi, njeriu si ai janë si dritë që ndriçojnë rrugën e të tjerëve. Po aq e rëndësishme sa shpirti është edhe fjala e tij. Fjala e bukur është një nga ato mjete shprehëse, mbase më e fuqishmja që ka njeriu: së jep shpresë, që e ngre moralin dhe i forcon lidhjet mes njerëzve. E donte pafundësisht fjalën e tillë: shpirtërisht të bukur e shpirtërisht me thellësi mendimi. Sherafedinin e respektonin të gjithë, ishte i pranuar e i dashur nga të tjerët.
E, pa ndjeshmëri të thellë ndaj jetës, pa prirjen për të depërtuar përtej sipërfaqes së realitetit, krijimtaria mbetet e thatë dhe mekanike. Një krijues i vërtetë shkruan atë që e përjeton vetë, por që arrin ta bëjë të ndjeshme edhe për të tjerët.
Fjala e shpirtit është zëri më i thellë dhe më i sinqertë i njeriut. Ajo i jep trajtë esencën sonë si qenie njerëzore. Nëse në kohën tonë të zhurmshme mbizotëron sipërfaqësorja, fjala që e shqiptonte dhe e shkruante Sherafedin Kadriu ishte e pastër, e qetë dhe e vërtetë. Edhe Ralph Waldo Emerson, në esenë e tij “The Over-Soul” (Shpirti Universal), thekson se shpirti njerëzor është i gjerë, i bukur dhe i lidhur me një mendje universale.
Nga trashëgimia e tij letrare e publikuar, Sherafedin Kadriu la pas dy vëllime kritiko-letrare me titullin e përbashkët “Në kërkim të thellësive poetike” I dhe II, si dhe vëllimin poetik “Kur vdesin ngjyrat” (2025). Po ashtu, vepra e tij “Trashëgimia materiale e Gjilanit me rrethinë” dëshmon për një përkushtim të rrallë ndaj kulturës dhe historisë.
Kur më 2021 u shpall “Krijues i vitit” nga Ars Clubi “Beqir Musliu” në Gjilan, u theksua se veprat e tij dallohen për qasje profesionale, analizë të thellë kritike dhe përfundime të qëndrueshme, si në trajtimin e letërsisë, ashtu edhe në atë të trashëgimisë kulturore.
Personalisht, kam përfshirë dy shkrime për Sherafedin Kadriun në vëllimin tim “Në aktin e leximit”, ku analizoj librin e tij “Në kërkim të thellësive poetike” dhe poezinë “Metonimi e fisnikëruar”, kushtuar Sabit Rrustemit. Në një fragment kam shkruar:
“Lexuesit e mirë janë kritikë të përpiktë. Sh. Kadriu jo vetëm që është një lexues i tillë, por edhe një shkrues me intelekt krijues. Përveç racionales, ai zotëron edhe leximin eseistik dhe krijues, duke hyrë thellë në botën e veprës dhe duke ndriçuar ndërlikimet e saj estetike e kuptimore.”
Le të theksojmë se Ndërkaq, libri “Trashëgimia materiale e Gjilanit me rrethinë”, përbëhet nga studime e punime me peshë në fushën e hulumtimit të pasurisë historiko-kulturore të këtij areali. Duke u mbështetur në një aparat metodologjik të konsoliduar dhe në një kulturë të gjerë studimore, ai ofron një rindërtim të argumentuar të zhvillimeve ndër kohë, duke dëshmuar rigorozitet dituror dhe ndjeshmëri të theksuar ndaj përmasës së identitetit tonë etnik e nacional.
2.
(Nga shënimet biografike e bibliografike)
Në agimin e 9 prillit 2026, kur i afroheshin edhe muajt e fundit të angazhimit të tij profesional në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan, u shua pas një sëmundjeje të gjatë shkrimtari Sherafedin Kadriu, njeri i autoritetshëm i penës, i kulturës së Anamoravës dhe edukator i përkushtuar ndër vite në arsimin e kësaj treve.
Ai erdhi në jetë më 1961, në Pogragjë të Gjilanit. Formimin e tij arsimor e ndërtoi fillimisht në vendlindje, ku kreu gjimnazin dhe Akademinë Pedagogjike në drejtimin e gjuhës shqipe, për të vazhduar më pas studimet në Fakultetin Filologjik të Prishtinës, në degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Për një kohë të gjatë shërbeu si mësues, duke u përkushtuar me dashuri ndaj nxënësve dhe fjalës shqipe. Nga viti 2004, veprimtaria e tij mori një drejtim tjetër, duke u angazhuar në fushën e trashëgimisë kulturore, si bashkëpunëtor profesional për kulturën jomateriale. Studimet e mëtejme i përmbylli në arkeologji, me specializim në prehistori.
Krijimtaria dhe puna e tij studimore shtrihen në disa fusha. Në kritikën letrare u paraqit me librat “Në kërkim të thellësive poetike” (2021) dhe “Në kërkim të thellësive poetike 2” (2024), ndërsa në bashkëpunim me Sabit Rrustemin botoi monografinë “Rrugëtimi i një bashkatdhetari” (2020). Në krijimtarinë poetike, la si dëshmi përmbledhjen “Kur vdesin ngjyrat” (2025), ku shpalos një botë të ndjeshme dhe reflektuese.
Pas vetes la edhe disa dorëshkrime, që dëshmojnë për një angazhim të pandërprerë krijues: “Ngutje e vonuar”, “Si soset jeta (karantina me kancerin)” që është ditar me përjetime të thella personale, “Rrëfenja nga Brinja”, me intervista të veçanta me veprimtarë atdhetarë, si dhe libri për fëmijë “Vala flet me gurgullima”, i lidhur ngushtë me botën e mbesës së tij.
Në drejtim të trashëgimisë gojore, ai punoi mbi dorëshkrimin “Mesele për Stejdepartment”, ku mblodhi anekdota me karakter origjinal, ndërsa në fushën historiko-arkeologjike solli trajtime si “Gjilani dhe Gjinollët (interpretime arkeologjike-historike)”.
Një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së tij lidhet me studimin e trashëgimisë materiale, ku spikasin botimet: “Kalaja e Pogragjës” (2008), “Riti i varrimit gjatë epokës së Hekurit në Kosovë” (2019) dhe “Trashëgimia materiale e Gjilanit me rrethinë” (2021).
Punimet e tij janë përfshirë në botime të shumta kolektive, si në monografinë “Gjilani me rrethinë” (2012), si dhe në vëllimet “Trashëgimia kulturore e Rajonit të Gjilanit 1” (2016) dhe “Trashëgimia materiale e Rajonit të Gjilanit 2” (2018), ku ai paraqitet me një numër të madh studimesh si autor dhe bashkautor.
Në bashkautorësi me Mehmetali Rexhepin botoi edhe librin “Kohëngjeshje bamirësie” (2000), kushtuar figurës së Nënë Terezës.
Përveç botimeve, ai dha një kontribut të vyer edhe në përgatitjen e librave të tjerë, duke u angazhuar në redaktime, recensime dhe lekturë në fusha të ndryshme të kulturës dhe trashëgimisë.
Sherafedin Kadriu do të kujtohet si një njeri i fjalës dhe i dijes, i përkushtuar ndaj kulturës dhe kujtesës kolektive, duke lënë pas një vepër që do të mbetet pjesë e rëndësishme e trashëgimisë sonë shpirtërore dhe studimore.
3.
Personalisht, dy shkrime për Shgerafedin Kadriun i kam përfshi te vëllimi im i 30-të i serisë me titullin “Në aktin e leximit”, ku merren në analizë e në lexim letrar libri i tij me vështrime kritike “NË KËRKIM TË THELLËSIVE POETIKE” (vëllimi i parë), si dhe poezia e tij “METONIMI E FISNIKËRUAR” që ia kushton mikut të tij Sabit Rrustemit. Po e shkëpus një fragment:
“E, lexuesit e mirë janë kritikë të përpiktë. Sh. Kadriu jo vetëm që është lexues i tillë, i pasionuar, por ai ushtron edhe një shkrim me intelekt krijues. Dhe, përpos racionales e këtij intelekti, ky autor ka edhe një tjetër prirje, një virtyt tjetër: atë të leximit eseistik dhe leximit krijues. Kjo do të thotë që secili shkrim është një proces i ndërliqshëm që përfshin interpretimin e thellë dhe imagjinativ të tekstit. Kjo formë leximi nuk kufizohet vetëm në kuptimin e fjalëpërfjalshëm të tekstit, por kërkon që lexuesi të hyjë në botën e veprës, t’i ndjejë emocionet, t’i perceptojë ndërlikimet e figurave letrare dhe t’i vlerësojë stilin dhe strukturën.
Nuk është e habitshme përse tek shumë punime të Sherafedinit na shfaqet i trajtueshëm konteksti historiko-letrar dhe kulturor: të kuptuarit e kohës dhe vendit në të cilën është shkruar vepra, për të ofruar jo vetëm informacion të vlefshëm për interpretimin e saj, por edhe për t’i zbërthyer figurat letrare, temat, idetë dhe motivet që i ka përdorur akëcili krijues. Mortimer J. Adler te vepra e tij “How to Read a Book” (“Si të lexoni një libër: Arti i marrjes së një edukimi liberal “-(1940) thotë: “Prirja për të lexuar dhe shkruar është kudo shenja e parë e edukimit”. Ky autor jep momentet kyçe për ta lexuar një libër me efektivitet, siç janë: përgatitja para leximit, shënimi dhe analiza, diskutimi dhe vlerësimi, dhe, mbi të gjitha, qëndron leximi aktiv. Ishinger do ta quante akt i leximit.
Kësisoj, edhe kur e citon Gadamerin, një autor që ligjëroi për hermeneutikën e tekstit, të vërtetën dhe metodën (“Sipas Gadamerit është një tipar produktiv i marrëdhënies ndërmjet vlerësuesit dhe veprës”, kur Kadriu flet për interpretimin e një vepre në distancë kohore prej 50 vitesh, siç është poema “Skënderbeu”, botuar më 2004 nga Shtëpia botuese “Faik Konica” dhe e shkruar mes viteve 1963 – 1968, kur dhe u botua një pjesë e saj nën titullin “KUNORË SONETESH” nga revista letrare “Jeta e re, Prishtinë, 1968), dëshmon se ky kritik nuk është vetëm lexues i veprës letrare, por edhe i dijeve letrare. “
I përjetshëm qoftë kujtimi për të!
10 prill 2026



