Teatër

Shfaqja Babai

Shkruan: Shemsi Doda

Produksion nga Teatri Kombëtar Eksperimental – Tiranë

BABAI

Teksti: Florian Zeller
Regjia: Erson Zymberi

Aktorët: Viktor Zhusti, Egla Ceno, Pjerin Vlashi, Linda Jarani, Adriana Tolka

Sonte në Teatrin e Gjilanit pata mundësinë të përjetoj një prej dramave më të ndjeshme dhe më të thella – “Babai” të Florian Zellerit. Një tragjedi familjare që shpalos realitetin e një të moshuari të prekur nga demenca, ku konfuzioni, halucinacionet dhe humbja graduale e vetvetes bëhen pjesë e pandashme e rrëfimit.

Regjia e Erson Zymberit është ndërtuar me delikatesë dhe vëmendje ndaj detajit emocional. Ai arrin të na fusë në botën e brendshme të personazheve, duke shfaqur tensionin, brishtësinë dhe luftën e heshtur që zhvillohet brenda çdo anëtari të dramës.

Aktorët, në mënyrë të barabartë e profesionale, ofruan një lojë të pastër dhe të fuqishme. Mizaskena e shtrirë në tërë skenën krijoi një dinamizëm të vazhdueshëm, ndërsa diksioni i qartë, ritmi, masa dhe intonimi i saktë i dhanë shfaqjes një natyrshmëri të admirueshme. Më bëri përshtypje prania e tyre skenike edhe kur nuk flisnin – gjithmonë të lidhur me veprimin, prezencë e gjallë dhe funksionale edhe si “spektatorë” brenda dramës.

Skenografia, e thjeshtë dhe jo e ngarkuar, ndërtohej mbi pasqyra që shërbenin si alegori e përplasjes mes së kaluarës dhe të tashmes, duke krijuar një atmosferë të qartë emocionale.

Kostumet e punuara me kujdes përcaktonin qartë karakteret dhe statusin e tyre shoqëror.

Muzika dhe dritat e mbështetën atmosferën e shfaqjes; ndonëse vura re disa luhatje në ndriçim, ato nuk e penguan aspak rrjedhën dhe funksionalitetin e përgjithshëm.

Publiku e përjetoi shfaqjen thellë dhe reagoi me duartrokitje të gjata e ovacione, duke dëshmuar se “Babai” është një nga ato shfaqje që të ndjek edhe pasi del nga salla.

You Might Also Like