Shkolla fillore ‘Afërdita’ në Kishnapole të Gjilanit, prej 15 prillit do të mbajë emrin Nijazi Osmanit, mësuesit të saj, i cili ra dëshmor para 24 vitesh.
Mësuesi Nijazi Osmani nga Gadishi, një fshat afër Kishnapoles, u vra duke mbrojtur popullatën civile.
Humanizmi, trimëria, atdhedashuria ishin virtyte që e karakterizonin Nijazi Osmanin.
Për t`i dalë në ndihmë popullsisë civile, përpara tytave serbe doli mësuesi Nijazi Osmani, i cili u tha atyre se “me gra e fëmijë nuk keni punë, ja ku jam unë”.
Serbët e torturuan dhe e vranë mësuesin, që njëherësh ishte edhe pjesëtar i UÇK-së dhe pastaj ua vunë flakën fshatrave të kësaj ane, duke djegur shtëpitë, me qëllim që banorët të mos kenë ku të kthehen më.
Këto fshatra, që gjenden në veri-perëndim të Gjilanit, në një trekëndësh mes komunave Viti, Ferizaj dhe Lypjan, gjithmonë janë kryengritur kundër pushtuesve, që nga Lufta e Dytë Botërore e deri te lufta e fundit e vitit 1999. /Mediafokus.info