Në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Arsimit në Gjilan, Shkolla Digjitale që vepron në qytetin tonë, për një javë me radhë, me të gjithë nxënësit e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” ka mbajtur ligjërata, të cilat kryesisht kishin të bëjnë me zhvillimin e logjikës, kreativitetit dhe aftësive digjitale.
Nxënësit tanë kanë shprehur një interesim të shtuar për këto ligjërata nga Shkolla Digjitale, e cila është një qendër moderne e trajnimit në fushën e teknologjisë dhe programimit, e dedikuar për fëmijë dhe të rinj të moshave 8 deri në 18 vjeç.
Siç ka theksuar Edonis Bislimi, instruktor i programimit, i cili ka mbajtur ligjërata në Gjimnazin “Xhavit Ahmeti”, në këtë program kanë qenë të përfshira të gjitha klasat e dhjeta, të njëmbëdhjeta dhe të dymbëdhjeta, me nga një orë mësimi, pra mbi 700 nxënës dhe ligjëratat kanë qenë të fokusuara në zhvillimin e logjikës, kreativitetit dhe aftësive digjitale.
“Ne i përgatisim gjeneratat e reja për sfidat e së ardhmes”, ka thënë Bislimi që ka falënderuar drejtorinë e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” dhe Drejtorinë Komunale të Arsimit për bashkëpunim, duke shtuar se Shkolla Digjitale po zhvillon prezantime edukative rreth Inteligjencës Artificiale (AI) në të gjitha shkollat e mesme të qytetit të Gjilanit, duke synuar rritjen e vetëdijes dhe interesimit të nxënësve për teknologjitë e reja./kryelajmi.com/.
Nxënësit e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, që me interesim të shtuar i kanë përcjellë këto ligjërata kanë theksuar se ato për ta kanë qenë tejet të mirëseardhura dhe kanë shprehur dëshirën që ngjarje të tilla të ketë edhe në të ardhmen, ngase Inteligjenca Artificiale do të zë vend me rëndësi në edukimin e tyre.




