OPINION

Shkoqitur nga “BUNTI ATDHETAR I PRANVERËS 1981”

Shkoqitur nga

“BUNTI ATDHETAR I PRANVERËS 1981”

Kohëve të fundit si në shtypin e përgjithshëm ashtu edhe në atë periodik kryesisht në Kosovë, është duke u shfaqur një dukuri e regjimit të titistëve shqiptarë në jetën publicistike. Sa janë të sinqerta prononcimet e këtyre për “çështjet kyçe” të kombit mbetët t‘i vërtetojmë vetëm pas pësimeve. Ata që edhe më tej nuk i kanë njohur, nuk do t‘i njohin dot kurrë. Ndërsa ata që i kanë harruar të bërat e tyre, mbetët t‘ua përkujtojmë servilizmin e të kaluarës për t‘u mos përsëritur kurrë, sepse janë ata që për 40 vjet me radhë akuzuan rininë, intelektualët dhe pjesën më vitale të popullit shqiptarë për nacionalizëm, irredentizëm, separatizëm, secionizëm e tjera, duke kërkuar gjuetarë të shtrigave mbi popullin e vet. Për herë karriera e tyre ishte e lidhur ngushtë me ndëshkime edhe atëherë kur ju mungonin faktet për të inkriminuar riprodhimin armiqësor për të ruajtur postet e tyre. Atëherë si mund të paraqitën sërish në skenën politike me gënjeshtra e trillime për të dhënë “mësime” ose për të udhëhequr një sistem të ri në një kohë krejt tjetër, me një koncept politik gjithashtu tjetër nga ai që përfaqësonin e që falimentoi në pellgun e gjakut e të kokave të prera. “Ciceronëve të kombit ua pritnin gjuhën, kopërnikëve ua verbonin sytë, shekspirët i godisnin më gurë dhe ua vënin prangat.

Lejimi i hapësirës në mjetet e informacionit, zvarranikëve që turpshëm dezertuan, “Natën e Bartolomeut” vallë mos po vënë në pikëpyetje pjekurinë politike dhe ndërgjegjen e njerëzve.

Titistët si sfidë e tradhtisë

Në kontekstin e politikës kosovare, titistët janë një sfidë e përzier me tradhtinë që nuk falet. Fillimisht të dehur nga fryma e fitores së “Revolucionit Proletar” në një anë, dhe në anën tjetër të frikësuar nga gjendja shpërthyese e popullit shqiptar në Ballkan iu nënshtruan urdhrave të Beogradit. Titistët kosovarë u shfrytëzuan nga çetnikët serbë për ta mbytur frymën e rebelimit dhe të organizimit patriotik kombëtarë tek shqiptarët ishte e koncentruar më shumë se në asnjë vend tjetër në Ballkan. Për të mbajtur të ndara dhe të copëtuara trojet shqiptare, Jugosllavia me çetnikët serbë në krye, u mobilizua me kohë që ta thyej shpirtin liridashës të kombit shqiptarë dhe të asgjësoi elementin më të shëndoshë kombëtar, ndërsa titistët t‘i mbajnë nën sqetull duke i përdorë si mashë për eliminimin e çdo tentative për mëvetësinë e Kosovës apo për bashkim kombëtar.

Duhen mbledhur të gjitha mendjet më të ndritura të Kombit që të dilet sa më lehtë nga kjo e keqe.

Në kohën kur shqiptarët e ndarë dhe Shqipëria sovrane kishin shans më të volitshëm gjatë Luftës së armatosur kundër fashizmit që t‘i realizonin aspiratat e drejta nacionale për ribashkim kombëtar, ku përmes aleatëve të revidojnë dhe të korrigjojnë gabimet e së kaluarës. Atëherë fatkeqësisht titistët u bashkuan me çetnikët e kamufluar në partizanë dhe u lëshuan në ofensivë shkatërruese të çdo organizimi politik të popullit që i kundërvihej masakrave kolektive dhe vrasjeve të përditshme që bëheshin mbi popullin e Kosovës. Serbosllavët nga frika ndërmorën të gjitha masatë ta pengonin me çdo kusht një mundësi për krijimin e një shteti kombëtarë etnosin e pastër shqiptar. Duke u thirrur vazhdimisht në parullën demagogjike se pas triumfit të përbashkët mbi fashizmin, shqiptarët do t‘a zgjidhnin në mënyrë më “fatlume” çështjen e tyre kombëtare.

Udhëheqja e PKJ-së dërgoi në fillim emisarët e vet kudo në Kosovë, në Maqedoni, Shqipëri që të propagandonin dhe të mobilizonin masat e gjera shqiptare përmes satelitëve të vet në realizimin e qëllimeve antishqiptare. Të gjitha këto titistët i bënin nën velin e një ëndrre të “internacionalizmit proletar”.

Një degradim dhe shpërbërje, një përbuzje kaq të ulët, asnjë parti politike e djathë apo e majtë në Evropë apo kudo tjetër në botë nuk do ta lejonte, që kaq brutalisht të cenohej dinjiteti dhe krenaria brenda një kombi. Kështu mbi Kosovën dhe të gjitha territoret me etnos të pastër shqiptar u krijua një rrjet i hekurt në formën e një merimange pro serbe dhe pro jugosllave, që me zellin më të madh u angazhuan kundër aspiratave të popullit shqiptar.

Gradualisht ky servilizëm me epideminë e karrierizmit të sëmurë me skenar makabër, direkt apo indirekt, po e rivazhdon lojën e vet edhe sot, duke i harruar vrasjet masive si: masakra e Tivarit, shuarja e Lutës së Drenicës, Luftës së Gjilanit dhe të Ferizajt, vrasjen më barbare të forcave militante të Gani Kryeziut, Xhemë Gostivarit e shumë të tjerëve që ranë me armë në dorë, apo u pushkatuan pa gjyq, për shkak të angazhimit në çështjen e bashkimit kombëtar.

Ideologjia sllave po e nënshtronte popullin e Kosovës me forma të reja mashtrimi, duke i përdorur si vegla të përshtatshme titistët. Titoja me titistët më 1945 e përsëritën dhe e nënshkruan Marrëveshjen për shpërnguljen e kosovarëve shqiptar në Turqi, pastrimin etnik modern të shqiptarëve. Shqiptarët trajtoheshin si njerëz të rendit të dytë në ish- Jugosllavi. Me shqiptarët bëheshin eksperimente laboratorike medicionale. Nëse vritej në ushtri apo diku tjetër një shqiptar, nuk jepej llogari, pasi që shqiptarët nuk trajtoheshin si njerëz të barabartë me njerëzit e popujt e tjerë. Të verbuar në këtë katrahurë ideologjike për titistët nuk ishte më qenësore çështja e trajtimit të popullit dhe pozita e tij, por kolltuqet e përjetshme. Ata talleshin me patriotët, nacionalistët që për idealin kombëtar, në mënyrë permanente rezistonin dhe pësonin.

Servilizmi i titoistëve shqiptar dhe rindarja e kombit

Titoistët ishin të vetëdijshëm, se kjo dëgjueshmëri dhe ky servilizëm në pushtetin e përjetshëm të tyre jugosllav çdo ditë e më tepër do ta përligjë legjitimitetin e ndarjes së kombit në tre kufijtë e brendshëm dhe një kufi ndërkombëtar. Nga kjo u lidh një klan i pandryshueshëm autoritativ pro jugosllav dhe pro serb në Kosovë. Krijimi i një klime të tillë, çdo aspiratë të ligjshme të ngritjes së pozitës së shqiptarëve në një shkallë të barabartë me popujt e tjerë jugosllavë shuhej me dhunën më të egër. Çdo patriot e quanin armik të Jugosllavisë, spiun të agjenturave të huaja. Nga këto deklarime burgjet serbe gjithnjë ishin të mbushura me shqiptarë, të dënuar politikë.

Të burgosurit politikë apo filozofia e kombit

Të burgosurit politik, bashkë me forcat e tjera të shëndosha dhe vizionare, që në mënyrë të guximshme, legale dhe ilegale, iu kundërvunë dhe po i kundërvihen gjithnjë në mënyrë të vendosur të gjithë armiqve e që kanë të drejtën që më shumë se çdo kush tjetër të flasin pikërisht sot. Deshi apo nuk deshi dikush, në një mënyrë apo në një tjetrën, në një formë apo në një tjetër ata ishin dhe janë platforme ideore sepse gjithnjë gjendeshin në ballë të popullit, në interes të kombit dhe të atdheut, ishin dhe janë të gatshëm për çdo sakrificë sa herë që popullit i kanosej e keqja. Nuk është me rëndësi se ku gjenden sot, ku janë katandisur nga pushtuesi: duke hapur kanale nëpër rrugë, duke shitur cigare, patate nëpër banakët e rrugëve të qyteteve, ata do të mbesin udhëheqësit shpirtëror të popullit shqiptar. Ata janë vetë populli, janë pjesa dhe përbërja e tij vitale.

Autonomia — ridegjenerim maksimal i titistëve kosovarë

Nga tërë ky konglomerat taktikash, lojërave të ndryshme, nga ky elaborim planesh e qëllimesh, që përgatitshin në Beograd për mundësinë e konvertimit dhe asimilimit të qenies kombëtare kosovare, ka qenë ndër rolet më kobzeza më të egra që është zbatuar për 45 vite ndaj shqiptarëve kosovarë. Kuptohet sot në këtë gjendje tragjike të popullit të pushtuar të Kosovës duhen mbledhur të gjitha mendjet më të ndritura që të dilet sa më lehtë nga kjo e keqe. Megjithatë, titistët, sapo të dobësohen forcat politike që sot i prijnë popullit shqiptarë, ata si roje kujdestare, nxjerrin kokën dhe marrin rolin e tyre për t‘u rikthyer në pozitat e mëparshme, duke kërkuar që ata eventualisht të vihen në krye të bisedimeve për një autonomi cilado qoftë. Pra asgjë nuk është e rastit. Andaj kjo është koha t‘i tregohet vendi sepse tërë këto vite që po dështon politika konstruktive kosovare dhe çështja shqiptare po zhagitet në amullinë e problemeve, janë duart e kolaboracionistëve të titistëve që së shpejti do t‘u këputët litari sekreteve të prapaskenave, sepse brenda çdo organizimi politik po ka plasaritje të thella në politikën kosovare. Ata dyshohet se në mënyrë më perfide janë kyçur si agjentura të përgjimit, si ëndërrues të rikthimit në pushtet. Ata me zhdërvjelltësi i kryejnë detyrat, sepse i kanë të mësuara me disiplinë ndërrimin e ngjyrave të Kameleonit. Ata në xhepa mbajnë nga disa libreza dhe nga disa flamuj dhe çdo natë presin pranë telefonave se mos i thërret Beogradi.

Mendojë se populli duhet me urtinë e mendjes të thërrasë ndërgjegjen dhe vetëdijen e 1981-shit dhe të mos e harrojnë atë forcë të përbashkët të sakrificave. Të vetëdijesohen dhe ta analizojnë me gjakftohtësi situatën e sotme ku po na shpie. Të dalin në ballë të kësaj sfide për ta ndalë të keqën që rishtazi po kanoset.

Nga bishti i fshehur i krimeve dhe veprimeve antiligjore, titistët po mendojnë se u harruan. Ata do të çlirohen vetëm duke e thënë plotësisht tërë të vërtetën, sado e hidhur të jetë ajo, tek pas kësaj rehabilitimi i tyre do të ishte i arsyeshëm. Ndërsa kjo e sotmja është një hipokrizi apo marrëzi që luajnë sot në mjerimin e popullit të Kosovës.

Titistët, tugjmanët, kuqanët e sllobodanët dolën në ballë të popullit dhe u përgjakën për pavarësinë e popujve të vet, me siguri ata e kishin ndërgjegjen e pastër, po ju ku ishit, pse ndërgjegjja e juaj dha shpirt, dhe u futët në bir të miut, që ia përgatitët ta futnit popullin tuaj?!

Viti 1981 zbuloi fytyrën e vërtetë të titistëve

Titistët gjatë dhe pas ngjarjeve të mëdha kombëtare të vitit 1981 që ndodhën dhe u zhvilluan para hundëve të titistëve në Kosovë dhe në territoret shqiptare në Jugosllavi. Veçmas ato ngjarje të luftës deri në fitore me të cilat edhe filluan proceset e ndryshimeve te mëdha politike në Evropën Lindore. Ngjarjet e vitit 1981 i zunë në gjumin dimëror, sepse ishin të organizuara pa i futur duart as UDB-ja as Sigurimi dhe asnjë agjenturë tjetër, andaj edhe qenë të suksesshme.

Ashtu si gjithnjë në praktikën e komunistëve jugosllavë për ngjarjet e njohura të vitit 1968 dhe të vitit 1981, fajtori kujdestar gjithnjë ishte elementi nacional shqiptar, i cili kinse na dirigjohej, rekrutohej dhe nxitej nga faktori i “jashtëm” edhe pse kjo akuzë e paskrupullt nuk kishte asnjë bazë, asnjë provë materiale.

Bartësit e demonstratave shqiptare ishin të organizuara nga pjesa më shëndoshë e kombit, ndërsa nga titistët, ato kualifikoheshin si sindrome dhe elementë i jashtëm. Kjo kishte qëllim për të thyer në mënyrë më të tmerrshme moralin dhe shpirtin revolucionar, patriotik dhe atdhedashurinë e kosovarëve shqiptarë që me dekada luftonin për të drejtat e tyre reale dhe të ligjshme. Tash shqiptarët luftonin jo më për të qenë të barabartë me popujt tjerë të ish Jugosllavisë (RSFJ), por për të fituar mëvetësinë e shtetit sovran në të gjitha trojet shqiptare, të cilën qarqet reaksionare të Beogradit e kishin ndarë me dekret ushtarak, e policor më 1945. Ndërsa titistët edhe pas shpërbërjes së Jugosllavisë, nga xhelozia e sëmurë po e dezinformojnë opinionin shqiptar e më gjerë se ngjarjet e vitit 1981 gjoja i organizoi KGB-ja, Sigurimi bullgar ose disa qarqe brenda UDB-së jugosllave. Këtë avaz po e përsërisin duke i mistifikuar këto ngjarje dhe për t‘i arsyetuar reprezaljet që i kanë kryer ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Çudi sa të gatshëm dhe të paskrupullt janë për ta mohuar shpirtin patriotik shqiptar të Kosovës, për t‘ia mohuar disa fletë të historisë së sotme të Kosovës që i shkroi me gjakun e bijave dhe bijve të saj më të guximshëm.

Deklarimi i Azem Vllasit se ne ishim kundër demonstratave të vitit 1981, sepse ato ishin marksiste-leniniste, se demonstratat i kishin organizuar armiqtë e popullit është një demagogji e turpshme e një diletanti politik.

Ngjarjet e mëdha të vitit 1981 nuk shpërthyen si pasojë e verimit të agjenturave të huaja, po përkundrazi ishin ngjarje që ato i vunë në lëvizje këto agjentura për të parë aftësinë e bijave dhe e bijve të Kosovës të organizimit të mrekullueshëm të demonstratave.

Kosova është një regjion i madh ku strukturën nacionale kryesisht e përbën etnosi i pastër shqiptar, ku me qindra herë i kishin përgjakur duart në mënyrë më barbare, udhëheqës e funksionarë komunistë sipas urdhrave dhe dekreteve që i lëshonte Beogradi. Zbatues ishin: Ali Shukrija, Kolë Shiroka, Sinan Hasani cili Sinan Hasani pat thënë: Me “irredentistët duhet të flasim vetëm përmes tytës së pushkës”. Ky serbofil i mjerë (Sinan Hasani), në tubime me gazetarët e “Rilindjes” dhe “Zërit të Rinisë” iu pat urdhëruar që të gjitha familjet e të burgosurve politikë përmes shkrimeve moralisht të komprometoheshin dhe të shkatërroheshin, gratë e tyre të shfrytëzoheshin dhe gjithsesi të ndaheshin prej tyre. Sinan Hasani, ky shërbëtor dhe bashkëpunëtor i Beogradit me kohë është i caktuar të varroset në varrezat e Beogradit.

Rruga e përgjakur

Rruga nëpër të cilën ishte arritur të afirmohet çështja shqiptare në ish Jugosllavi, ishte rruga e përgjakur. Megjithatë, për shkak të disa parimeve universale të sistemit, shqiptarët nuk mund të mohoheshin. Megjithatë, vazhda e këtij kaluari tregon se ende gjaku është i ngrohtë nëpër rrugët e qyteteve tona.

Shqiptarët e ndarë kurrë nuk e harrojnë dhunën dhe terrorin shtetëror, mekanizmat e egërsisë që ishte ushtruar dhe po ushtrohet me dekada mbi kurrizin e tyre, ku gjithnjë ka ekzistuar një pasiguri, një frikë permanente. Në çdo rast të volitshëm, Serbia mund ta përsëriste masakrimin me një drasticitet dhe egërsi edhe më të ashpër, sepse shqiptarët ishin të pambrojtur dhe, mbijetonin vetveten duarthatë.

Si pasojë e kësaj dhe e shumë tradhtive dhe masakrave të tjera individuale dhe kolektive për të shpëtuar nga këto kthetra, u organizuan dhe shpërthyen demonstratat e vitit 1981.

Titistët nga shokterapia neurotike që papritmas pësuan dhe iu ndodhi shpërthimi i një vullkani demonstrues as atëherë s‘kuptuan, as sot nuk po munden ta kuptojnë dhe ta pranojnë, aftësinë e forcave organizuese të vetë shqiptarëve, të vetë djalërisë dhe intelektualëve të mirëfilltë.

Ideologjia — taktikë për të arritur tek çështje kombëtare

Të gjitha argumentet e deritanishme na japin një të vërtetë se nuk kemi studimet teorike që na rezultojnë karakter agjenturial apo ideologjike të demonstratave të vitit 1981. Orientimi ynë ka qenë nacional që është përmbledhur në çlirimin kombëtar të të gjitha tokave shqiptare që gjëmonin në robërinë e huaj.

Titistët nuk linin asnjë ndëshkim pa zbatuar për të denoncuar dhe persekutuar veprimtarët e këtyre organizimeve politike. Ndërsa analistët e politikës ndërkombëtare i kanë dhënë karakter të merituar ngjarjeve të vitit 1981, se ato ishin ngjarje panshqiptare shpërthimi i të cilave drejtpërdrejtë ishte i lidhur nga shumë faktorë të brendshëm nacional.

— Faktori ngritjes së vetëdijes kombëtare

— Faktori determinues i padrejtësive në çështjen e pazgjidhur të etnitetit kombëtar të shqiptarëve në hapësirën e Ballkanit.

— Faktori nënshtrues i pozitës kushtetuese, juridike dhe politike të shqiptarëve në Federatën jugosllave.

— Qëndrimi i hapur serbosllav armiqësor ndaj kërkesave të afirmimit të çështjes së Kosovës dhe shqiptarëve nën ish-Jugosllavi.

— Faktori i shfrytëzimit industrial dhe pasuror ekonomik i pabarabartë…

Mr. Halil Alidemaj

Botuar në Rilindje postmortum më 20 Mars 1996.

You Might Also Like