Shoqata e Matematikanëve të Kosovës (SHMK), më 10.02.2018 në Prishtinë, shpalli solemnisht rezultatet zyrtare të Olimpiadës së X Matematike të Kosovës – OMK 2018, të mbajtur më 27/01/2018 në Gjimnazin Matematikor në Prishtinë. Matematikanët e rinj gjilanas shkëlqyen përsëri me suksesin e treguar.
Shkruan: Festim Shkodra –
Më 10.02.2018 në sallën solemne të FSHMN-së në Prishtinë, prof. dr. Muhib Lohaj – kryetar i Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës (SHMK), shpalli solemnisht rezultatet zyrtare të Olimpiadës së X Matematike të Kosovës – OMK 2018, të mbajtur më 27.01.2018 në Gjimnazin e Specializuar Matematikor në Prishtinë. Sivjet organizimin e kësaj olimpiade e mbështeti materialisht Instituti “ATOM” në Prishtinë. Ky institut i siguroi edhe shpërblimet për garuesit fitues, si dhe do të bëj përkrahjen me trajnime përkatëse për më të suksesshmit e kësaj gare, e më pas të ekipit të përzgjedhur të Kosovës për pjesëmarrje në IMO 2018.
Matematikanët e rinj gjilanas shkëlqyen përsëri me suksesin e treguar në këtë olimpiadë. Ata edhe sivjet vazhduan traditën e sukseseve. Kuptohet, këtu duke i llogaritë edhe nxënësit gjilanas që pikënisjen e sukseseve dhe përgatitjes së tyre matematike e kanë nga shkollat fillore dhe të mesme të Komunës së Gjilanit si dhe olimpiadat matematike të organizuara me standarde tejet të larta në Komunën e Gjilanit si dhe ato në nivel shtetëror dhe gjithëkombëtar, por edhe nga përkrahja e familjes dhe plotësimi i njohurive të tyre jashtëshkollore me instruktorë të ndryshëm. Ndërsa tani këta nxënës po vazhdojnë me sukses të lartë shkollimin në Gjimnazin e Specializuar Matematikor në Prishtinë dhe në Kolegjin ,,Mehmet Akif” në Lipjan.
Kështu nga gjithsejt 12 vende të para në OMK 2018, gjilanasit zunë 5 vende apo 41.67% të tyre, ndërsa nga gjithsejt 21 vetë të kualifikuar për të vazhduar më tej garën për përzgjedhjen e reprezentacionit shtetëror të Kosovës, janë gjithsejt 7 gjilanas apo 33.33% e të kualifikuarve për TST. Por edhe nxënësit tjerë gjilanas që nuk arritën të kualifikohen për të vazhduar mëtej garën, arritën sukses solid në nivel vendi.
Posaçërisht vlen të përmendet për suksesin e treguar gjilanasi ANDI SEJDIU që zuri vendin e parë në klasën e X.
Këtë herë nga ekipi zyrtar i Komunës së Gjilanit, sukses më të madh treguan nxënësit e klasës së IX, ku ERA SYLA (SHMU ,,Selami Hallaqi” – Gjilan) zuri vendin e dytë, ndërsa nxënësi tjetër ART HAJDARI (SHMU ,,Abaz Ajeti” – Gjilan) zuri vendin e tretë.
Pos këtyre nxënësve, gjilanasit tjerë që arritën sukses në OMK 2018 pra janë: ANDI SEJDIU që zuri vendin e parë te klasa e X, LEART AJVAZAJ që zuri vendin e dytë te klasa e XI dhe NITA SYLEJMANI që zuri vendin e tretë te klasa e XII.
Nxënësit tjerë gjilanas, që u kualifikuan për të vazhduar garën më tej deri në përzgjedhjen e ekipit 6 anëtarësh të Kosovës për pjesëmarrje në Olimpiadën Botërore të Matematikës IMO 2018 që mbahet më 04-14.07.2017 në Rumani janë BARDH OSMANI që zuri vendin e katërt në klasën e X dhe VIKTOR AHMETI në klasën e XI që u kualifikua në saje të rezultatit të treguar në IMO 2017.
Ju dëshirojmë suksese të mëtejme të gjithë këtyre matematikanëve të rinj!
LISTA E GJILANASVE QË VAZHDOJNË GARËN PËR PËRZGJEDHJEN
E EKIPIT TË KOSOVËS, PËR PJESËMARRJE NË IMO 2018, NË RUMANI
Klasa IX
ERA SYLA , vendi i dytë
ART HAJDARI, vendi i tretë
Klasa X
ANDI SEJDIU, vendi i parë
BARDH OSMANI, vendi i katërt
Klasa XI
LEART AJVAZAJ, vendi i dytë
VIKTOR AHMETI, kualifikohet për pjesëmarrje në TST, në saje të rezultatit të treguar në IMO 2017 ku fitoi medalje nderi
Klasa XII
NITA SYLEJMANI, vendi i tretë