Trashëgimi

Shtëpia e Ajet Kokës në Kokaj

dini Shkruan: Sherafedin Kadriu, QRTK – Gjilan

Shtëpia e Ajet Kokës gjendet në fshatin Kokaj të komunës së Gjilanit. Është ndërtuar në fillim të viteve ‘60 të shekullit XX. Ajet Koka shtëpinë e kishte ndërtuar pasi ishte liruar nga burgu, në të cilin kishte qëndruar për 7 vite me radhë. Në vitin 1970, Ajeti qe detyruar të shpërngulet nga Kokaj për t’i ikur UDB-së serbe. Ishte vendosur në Maqedoni, pastaj në Leran të Preshevës ku i jetojnë edhe sot pasardhësit.

Shtëpia është e vogël, ka vetëm përdhesin dhe ka kulm katërujor të mbuluar me tjegulla të vjetra – qeramidhe. I ka dy dhoma, njëra me dimensione 4 x 4 m dhe tjetra 2.5 x 2.5 m. Dhoma e madhe ishte përdorur për miq. Kjo dhomë i ka dy dritare, njëra me dimensione normale, ndërsa tjetra me dimensione më të vogla. Dhoma e vogël ishte përdorur për ndejë, si dhomë zjarri. E ka oxhakun dhe një gjiriz, kurse dritare nuk ka fare.

Shtëpia është ndërtuar me qerpiçë dhe dru, përkatësisht shtylla dhe hatulla, si elemente konstruktive mbajtëse. Shtëpia ka vetëm themelin me gurë, me një thellësi deri në gjysmë metri. Mësohet se kjo shtëpi për disa vite ka shërbyer si bibliotekë e shkollës. Në vitin 1996, shkrimtari i njohur për fëmijë, Zejnullah Halili, po në këtë shtëpi kishte promovuar librin e tij “Gëzimet e fëmijëve”. Tani shtëpia është e pabanueshme dhe në gjendje fizike shumë të keqe.

You Might Also Like