Trashëgimi

Shtëpia e Demush Ferizit në Zhujë të Kamenicës

dini  Shkruan: Sherafedin Kadriu, QRTK-Gjilan

Objekti shpërfaq një organizim strukturor interesant për ndërtimet në Malësinë e Gallapit. Shtëpia ka dy etazhe, atë përdhes dhe katin. Përdhesi është ndërtuar me gurë dhe ndonjë hatull të rrallë, i lidhur me llaç balte, ndërsa kati është punuar nga qerpiçët dhe llaçi prej balte në rolin e lidhësit. Në mure janë vendosur shtylla druri dhe hatulla.

Dera hyrëse e përdhesit lidhet me një korridor të ngushtë i cili komunikon me dy kthina anash. Në njërën është ahuri i bagëtive të trasha, ndërsa në anën jugore ndodhet shtëpia e zjarrit, siç quhej dikur. Në të ndodhet edhe një hambar me pesë ndarje që duket se është ndërtuar në vendndodhje. Hambari është përdorë për ruajtjen e sigurt të drithit. Nga shtëpitë e evidentuara nga QRTK e Gjilanit, janë edhe tri-katër shtëpi tjera ku është gjetur hambari në brendësinë e tyre, ndonjëherë edhe në korridore të katit. Përndryshe, tavani i këtyre kthinave është i punuar me dërrasa të vendosura mbi trarë, ndërsa nën ta janë dy arkitrarë, të mbështetur në shtylla prej druri të stilizuar me dy unaza nëpërmjet një gravimi në formë rrathësh të pikëzuar. Edhe kapitelet e shtyllave janë të stilizuar me rrathë të pikëzuar.  Arsyeja e ekzistencës së dy arkitrarëve prej druri lidhet me faktin se kthinat janë të mëdha dhe se ato përfshijnë tërë sipërfaqen e shtëpisë, e cila në katin lart ka katër dhoma dhe një qilar. Komunikimi i kateve bëhet me shkallë të brendshme.

Njëra prej dhomave në katin e sipërm ka qenë odë, ndërsa veç hyrjes nga brenda shtëpisë ka pasur edhe një hyrje të veçantë nga jugperëndimi. Në gjithë sipërfaqen e murit ku ndodhet dera e odës është vendosur një dollap i punuar nga druri i ahut, që sipas Selman Hajadarit,  është quajtur yklyk i bukës. Ai ka pasur një dritare komunikimi me korridorin për të sjellë bukën për mysafirin e radhës, pa pasur nevojë të duken pjesëtarët e familjes. Raftet e dollapit janë të ndryshme dhe secili prej tyre si duket ka pasur një rol të veçantë, njëri ka shërbyer për vendosjen e takëmit të kafesë, tjetri për samovarët (gjygymat) për çaj, tjetri për gotat e kështu me radhë. Dollapi, anën e sipërme, ka të stilizuar një biçim frizi në formë të aplikave, ndërsa mbi të vendi për fyej e kavalle, sepse kjo familje e kishte për zemër këngën. Një nga rapsodët gjilanas të sotëm rrjedh po nga kjo familje, – është fjala për  Qazim Ferizin, të birin e Demush Ferizit.  Një dollap i tillë ka qenë edhe në dhomën e të zotit të shtëpisë, por ai nuk ekziston më.

Shtëpia, e cila ka mbi 100 vjet, fatkeqësisht ka filluar të prishet vetvetiu. Në anën jugore ka rënë një pjesë e murit prej qerpiçësh, sikundër edhe kulmi. Po kështu ka ndodhur edhe me kulmin në pjesën perëndimore, aty mbi odën e shtëpisë. Prandaj, që të kemi një shembull shtëpie të kësaj malësie të largët do duhej intervenuar me shpejtësi, ndryshe objekti ikën. Të zotët e shtëpisë, të cilët kanë zbritur në Gjilan para 35 vitesh, duket se nuk kanë interesim për ta ruajtur më. Janë 35 vjet prej se shtëpia nuk është e banuar. Një kushëri i familjes së Demushit e ka shfrytëzuar vetëm për ahur bagëtish.

You Might Also Like