Shkruan: Sherafedin Kadriu, QRTK-Gjilan
Shtëpia e Jusuf Ademit është ndër shtëpitë e marra në mbrojtje nga shteti për të cilën duhet treguar përkujdesje të veçantë për disa arsye: sipas gjitha gjasash shtëpia ka rreth 130 vjet, ka një historik interesant, ka një arkitekturë popullore shqiptare që njëkohësisht lidhet me statusin e kryefamiljarit dhe është në një fshat të rrafshët të Malësisë së Gallapit, pra ka një qasje të lehtë edhe për shkak se asfalti i shkon gati tek dera.
I pari i familjes Mahmuti, quhej Mahmut Mërkoja, se vinte nga fshati Mërkojë i Leskocit. Në të vërtetë, sipas Bekim Ademit, 42 vjeçar, është vështirë të përcaktohet data e shpërnguljes së Mahmutit nga Mërkoja, por mund të jetë për disa dhjetëra vite para 1878. Pushteti serb i kohës ia kishte vrarë Mahmutit tërë anëtarët e familjes në fshatin e lindjes dhe ai ishte detyruar të shpërngulet nga vendlindja e tij. Në fillim ishte vendosur në Kosovicë e tek mandej në Leshtar ku e gjejmë edhe sot.
Siç mësojmë nga Fahrije Ademi, 82 vjeçare, vjehrra e saj Zylfia që kishte jetuar rreth 102 vjet ishte reja e fundit e Mahmutit. Në të vërtetë, Mahmuti kishte katër gra dhe me secilën prej tyre kishte pasur fëmijë, e sot janë 68 familje pasardhëse të Mahmutit, – familje të cilat jetojnë në Leshtar, Hajvali dhe Prishtinë.
Shtëpia mund të jetë ndërtuar rreth vitit 1880, me gurë, hatulla dhe llaç prej balte. Mjeshtrit i kanë kushtuar kujdes ndërtimit, sidomos për drurin e bungut të përdorur për hatulla të shëndosha edhe sot, për trarët dhe arkitrarët gjithsesi të shëndoshë, si dhe për dërrasat e tavaneve të të gjitha dhomave.
Objekti ka përdhesin me dy kthina dhe katin sipër me katër dhoma. Në anën veriore, përdhesi është futur krejtësisht në tokë, ku është ndarë ahuri i bagëtive, ndërsa në anën jugore kthinat kanë dritare të mjaftueshme për dritësim.
Përdhesi, siç u tha ka dy kthina, njëra, ajo në jug ishte shtëpia e zjarrit dhe tjetra në brendësi qe ahuri për kafshët. Familjarët mbajnë mend dhomën e zjarrit të ndarë në dy pjesë, në dhomë zjarri dhe ahur, po duket se kjo mund të ketë ndodhë në gjeneratën e dytë, sepse këtë e kundërshtojnë frëngjitë e ruajtura edhe sot, e njëra prej tyre ndodhet pikërisht në pjesën që konsiderohet ahur. Në këtë dhomë ka dhe një oxhak të punuar mirë, me disa dollapë, zakonisht të vegjël rreth tij, me dritare të vogla sa për dritësim, ku ka qëndruar i zoti i shtëpisë, sepse katër dhomat lart në kat ishin të ndara për katër gratë e tij, se siç u tha edhe njëherë tjetër, secila nga gratë kishte dhomën e saj. Tavani i dhomës së zjarrit ka tre shtylla me bazë gurin të vendosur në taban, ndërsa ato mbajnë arkitraun me kapitele të forta po të stilizuar pakëz. Mbi arkitra janë trarët e shtruar me dërrasa. I zoti i shtëpisë në të dy kthinat e përdhesit ka shtuar edhe nga dy shtylla tjera për t’i ndihmuar statikës së shtëpisë.
Fasada e shtëpisë shpërfaet me një çardak të hapur me një rrethojë të trajtuar vetëm me dru dhe pesë shtylla të që mbajnë pjesën e kulmit mbi të. Çardaku ka hyrjen nga ana veriore, ndërsa në mes të tij ka një derë komunikuese me korridorin e gjerë, i cili shpie në katër dhomat përbërëse të katit. Në fund të korridorit është qilari i shtëpisë. Dhomat nuk është se kanë pësuar ndryshime për 130 vjet me radhë, po ndonjë hapje e re për përshtatje ka ndodhur, ndonjë dritare është zmadhuar për dritësim, se dritaret zakonisht kanë qenë të vogla.
Megjithatë janë ruajtur dritaret e vogla, si ato në dhomën e madhe, siç quhet dhoma e gruas së parë të Mahmutit. Kjo dhomë ndodhej në juglindje. Dritaret, kanë qenë të thurura me shufra hekuri. Dhoma tjetër përballë, ka pësuar një hapje të re, dhe për një kohë ka qenë përdorë si odë, ndërsa dhoma në vazhdim të së dytës është konsideruar si dhoma e ndejës, në të cilën ka pasur edhe një trapazan. Në murin verior, në vend të dy dritareve më të vogla, është vendosur një më e madhe për dritësim të bollshëm.
Kulmi i shtëpisë është katërujës, sepse përmasat e shtëpisë 11.5 x 11.70 m, dhe me gjerësinë e murit rreth 70 cm, kanë kërkuar një kulm të tillë. Kulmi i mbuluar me qeramidhe duket se po pëson dita ditës.
Siç na rrëfejnë familjarët dhe fqinjët, ky objekt gjatë viteve 1916-1920 ka shërbyer si shkollë. Shkollën e mësimbesimit e kishte hapur Sherif Mërkonja-hoxhë. Shkolla pra kishte karakter fetar, por mesa duket në të është mësuar edhe gjuha shqipe (thotë Bekim Ademi).
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ky objekt ka qenë shtab i italianëve. Në bodrum ishte vendosur kuzhina, ndërsa në kat banonin ushtarakët italianë.
Pas Luftës së Dytë Botërore, objekti ka shërbyer vetëm për banim.