Enver Sadiku
Vendosja e sundimit serb në trojet e banuara me shqiptarë pas Luftërave Ballkanike të viteve 1912-1913 ishte pasuar me vrasje, plaçkitje, terror e masakra që forcat serbe ushtruan mbi popullatën e pambrojtur shqiptare. Veprimet më çnjerëzore ndaj popullatës shqiptare ishin ushtruar nga ana e ushtarëve të Armatës Serbe, njësiteve vullnetare e të komitëve serbë.
Diplomacia, shtypi ndërkombëtar i kohës, organizatat që u morën me pasojat e Luftërave Ballkanike, por edhe vetë socialdemokratët serbë, raportuan për krime ndaj popullatës shqiptare që nuk i ka njohur njerëzimi deri më atëherë. U keqtrajtuan, u rrahën e u vranë qytetarë të pafajshëm, iu dogjën shtëpitë, iu vodh pasuria e u përndoqën me mijëra shqiptarë nga trojet e veta.
Pushtuesit serbë duke dashur të paraqiten para botës si çlirimtarë dhe se kinse kishin çliruar Ballkanin prej Perandorisë Osmane, para zyrave diplomatike të vendeve të Evropës paraqiteshin se gjoja popujve të nënshtruar nën Perandorinë Osmane e me këtë edhe shqiptarëve ua kishin sjellë lirinë, gjë e cila në terren ishte krejt ndryshe.
Menjëherë pas hyrjes në trojet shqiptare të ushtrisë serbe, filluan krimet, vrasjet e plaçkitjet. Nuk u kursyen qytetet, kurse edhe fshatrat përreth tyre u dogjën deri në themel e në masakrat e dhunën që ushtruan forcat serbe mbi shqiptarët, nuk u kursyen as gratë, pleqtë e fëmijët.
E tërë kjo dhunë u pasqyrua në shtypin evropian. Për gjendjen e rëndë të fshatrave dhe të popullatës shqiptare, Leo Freundlich, pos tjerash do të shkruante se katundet ishin bërë rrafsh me tokë, popullata u masakrua në mënyrën më të vrazhdë dhe se shtëpitë që shqiptarët e varfër i kishin ngritur me shumë mund, tashti ishin shndërruar në rrënoja dhe tym që dilte prej tyre. Edhe Edith Durham, e cila ishte dëshmitare e drejtpërdrejtë e këtyre ngjarjeve shkruante se “nga krahinat e pushtuara vinin lajme të dhimbshme mbi mizoritë e padëgjuara që i kryenin serbët ashtu edhe malazezët mbi popullsinë shqiptare. Ata në vend që t’i fshihnin veprat e tyre, përkundrazi mburreshin me to”. Gazeta “Reichespost” që botohej në Vjenë, e cila shkruante për masakrat që kishin bërë forcat serbe gjithkund nëpër trojet shqiptare, shkruante se më së paku 2500 shqiptarë janë mbytur. Kjo gazetë kërkonte që Evropa të hetojë dhe të gjykojë. Gazeta londineze “Daily Telegraph” botoi korrespodencën nga Vjena për masakrat ndaj shqiptarëve e për këtë shkruanin edhe gazetat serbe siç ishte “Radniçke Novine”, sipas të cilës ishin komitët e armatosur deri në dhëmbë ata që futeshin nëpër shtëpi pas mesnate, i nxirrnin meshkujt përjashta për t’i dërguar në polici të lidhur. Aty i shpallnin si kaçakë dhe i shtronin në dajak.
Korrespondenti special i “Daily Telegraph” raportonte se sjelljet mizore të trupave të gjeneralit Jankoviq ua shkuan të gjitha tmerreve të historisë. Serbët, në marshimin e tyre drejt Shqipërisë i vranë pabesisht jo veç shqiptarët e armatosur, por në tërbimin e tyre madje edhe individët e paarmatosur, pleqtë, gratë, fëmijët dhe foshnjat në gji të nënave.
Për masakrat që kishin kryer forcat serbe kishte shkruar edhe gazetari rus Lev Davidovič Troicki (mbiemri i vërtetë Bronstein 1879 – 1940), i publicist dhe mendimtar që në vitin 1912 si reporter lufte punonte për gazetën ukrainase “Kievskaja mysl” . Ai në këtë gazetë përshkruan tërë tmerrin që ka parë në vitin 1912 pasi kishte kaluar kufirin e vejtër serb e më pas edhe tërë atë që kishte ndodhur në Kumanovë dhe Shkup. Ai shkruan se si skaj hekurudhës kishte parë se si digjeshin shtëpitë dhe prona , që flakën ua kishiun vënë formacionet ushtaraka dhe paraushtarake serbe, që njiheshin me emrin cetnikë.
Temë kryesorre e këtij trajtimi është se si e përshkruanin disa nga gazetarët francezë tërë atë që e kishin parë në këtë luftë.
Në mesin e rreth 300 gazetarëve që kishin përcjellë Luftën e Parë Ballkanike më te numërtit ishin gazetarët francezë. Shtëpitë gazetareske në Francë në këtë kohë kishin dërguar në terren reprterë të vecantë, që ishin ndër më të mirët, më trimat dhe më me përvojë. Kishte gazeta që kishin dërguar dy e më tepër gazetarë dhe secili prej tyre me vete kishte edhe fotoreporterin, që njëkohësisht ishte edhe grafist apo piktor. Shumë prej tyre i ankoheshin qendrës se janë duke punuar në kushte shumë të vështira dhe se në shumë raste shkrimet e tyre kontrolloheshin dhe nuk u lejohej që të shkruanin për sjelljet cnjerëzore të ushtrisë dhe formacioneve paraushtarake, që ato kryenin ndaj civilëve, mbi djegjen e fshatrave dhe mizori të tjera. Ankesa të tilla patën gazetarët e gazetave franceze „Le Temps“, „L’Illustration“, „Le Journal“, por edhe të gazetave të tjera si korrespondentët e gazetave angleze „Standard“ dhe „Morning Post“.
Ata shkruanin se qeveritarët serbë po u bëjnë censurë gjatë raportimit nga frontet e luftës, se nuk po u lejojnë të marrin pjesë në fushbeteja dhe se nuk po i lejojnë që t’a fotografojnë ushtrinë.
Mdegjithatë, pati gazetarë e opinionistë francezë, të cilët demaskuan veprimet cnjerëzore të ushtrisë serbe gjatë Luftës së Parë Ballkanike.
I tillë është raportimi i gazetës franceze “L’Aurore” në të cilin publicisti Pol Rishar (Paul Richard) në artikullin me titull “Optimizmi evropian dhe mizoritë ballkanike” më datë 03 shkurt të vitit 1913 shkruan për mizoritë që kryen forcat serbe në territoret që kishin pushtuar.
Sipas këtij gazetari është një kohë kur gjylet kanë fjalën kryesore. Ai pasi përshkruan soditjen që bënë Evropa në kohën që në këtë pjesë ta saj ndodhin luftëra, shkruan edhe për aspiratat megalomane të mbretërive të vogla ballkanike për të pushtuar sa më shumë territore që nuk janë të tyret. Gazetari që duket se nga afër ka parë zhvillimet, shpreh habinë me qasjen që ka Evropa për këtë luftë dhe nis rrëfimin me atë që po ndodh në terren. Rishar shkruan se në rrethin e Kumanovës 31 fshatra shqiptare janë shkatërruar dhe se popullata i është nënshtruar një masakre të paparë. Ata që patën fatin të ikin po enden nëpër male të uritur dhe në të ftohtë. Janë shkatërruar e djegur edhe lokalitete të tjera, burrat janë mbytur e janë prerë në fyt. Në rajonin e Kavadarit 34 fshatra janë shkatërruar. Në Drenovë gati se të gjitha banorët janë varrosur të vdekur e të gjallë, në vende të tjera janë dhunuar gra e fëmijë, në Petrovë të gjitha femrat janë mbyllur në një kafiteri dhe aty janë djegur, në Kurkobovë ato janë djegur në një xhami, ndërkohë që Evropa e verbër admirohet dhe mbështet çështjen e Aleatëve Ballkanikë.
Më vonë, pas përfundimet të Luftërave Ballkanike në Raportin e Komisionit Ndërkombëtar për Luftërat Ballkanike, që ka të bëjë me luftimet që i bëri Serbia, thuhet se gjetjet e Komisionit Ndërkombëtar kanë rezultuar se ka pasur krime të rënda luftarake. Sipas këtij raporti është vërtetuar se armët nuk janë përdorur vetëm kundër ushtrisë armike, por edhe për terrorin ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë dhe në Maqedoni, njerëzve të vjetër, fshatarëve, bujqve, grave dhe fëmijëve. Sipas raportuesve të këtij komisioni Serbia kreu krime të papara, duke shndërruar në hi shtëpi të tëra e duke masakruar në mënyrë masovike popullsinë e paarmatosur dhe të pambrojtur. “Akte të dhunës të papara, plaçkitje dhe egërsi e llojeve të ndryshme – këto janë mjetet të cilat janë përdorur dhe ende po përdoren nga ushtria serbo-malazeze, me qëllim të ndërrimit etnik të krahinave që janë të banuara vetëm me shqiptarë”.
Në raportimin e Komisionit Ndërkombëtar thuhet se e tërë kjo dhunë ishte e dirigjuar nga kreu i ushtrisë serbe, ngase kjo ushtri nuk bëri asnjë hap në ndaljen e vrasjeve, plaçkitjeve, grabitjeve e dhunimeve të shqiptarëve, por ajo ishte nxitëse e këtyre krimeve dhe ushtria e kërkonte dhe urdhëronte që të zbatohej kjo dhunë ndaj popullsisë shqiptare.
Krejt kjo dhunë e ushtruar ndaj popullsisë shqiptare, kishte edhe një qëllim tjetër, atë të shpërnguljes së saj dhe kolonizimin e këtyre trevave me serbë të ardhur.