LAJME

SI E NJOHËM JUSUF GËRVALLËN

Timo MERKURI ( Sarandë )
SI E NJOHËM JUSUF GËRVALLËN
Emri i Jusuf Gërvallës u bë i njohur në Shqipëri vetëm pas vrasjes së tij më 17 Janar 1982 në Shtutgart së bashku me të vëllain (Bardhoshin) dhe një veprimtar tjetër (Kadri Zekën). Lajmi u dha zyrtarisht dhe bëri bujë të madhe në popull edhe për faktin se për vrasjen u “akuzua” UDB-a jugosllave.
I
Pas këtij lajmi, vërshoi nëpër rrugë jo zyrtare informacioni se Jusuf Gërvalla ishte një i ri kosovar, aktivist politik që po organizonte diçka të madhe për Kosovën dhe se para vrasjes kishte qenë në Tiranë, ku ishte takuar edhe me Udhëheqësin.
Madje pëshpëritej se arsyeja e vrasjes së tij “paskësh” qenë fakti pse ishte takuar me Udhëheqësin, i cili i paskësh dhënë disa direktiva, realizimi i të cilave do t’i sillte Kosovës lirinë.
Pak më vonë qarkulloi një tjetër informacion, sipas të cilit ai hynte e dilte shpesh në Shqipëri, ku takohej me udhëheqjen dhe merrte direktiva dhe literaturë. Pra, ishte një njeri i angazhuar politikisht, një tip “ilegali” me kobure në brez dhe askund nuk u përmend se “koburja” e tij ishte pena dhe kitara.
Dikur qarkulloi fjala se ai ishte edhe gazetar dhe, meqenëse u hodh në qarkullim një fotografi e tij me kitarë në dorë, gazetarit ju shtua edhe emërtimi ”këngëtar”, por pa u sqaruar në se ishte këngëtar i muzikës së lehtë apo i ndonjë gjinie tjetër. Hamendësimin e përfolur si këngëtar të këngëve epike e prishte kitara në dorën e tij, ndaj nuk ju mëshua shumë këtij aspekti. Veçse ndërkohë kishte rrëshqitur fjala se ky djalosh ishte dhe poet, por meqenëse poezitë e tij nuk ishin vlerësuar(ata që i kishin parë) në përputhje me vijën e socrealizmit, instruktorët e partisë morën direktivën që të sqaronin popullin se: ai vetëm sa krijonte tekstet e këngëve që këndonte bashkë me shokë nëpër piknikë dhe mbrëmje vallëzimi. Sikur bëhej gjithçka që Jusuf Gërvalla të mos prezantohej në popull si një poet, sikur ekzistonte një frikë e fshehur për poezinë e tij.
Veçse poetët flisnin nën zë me njeri tjetrin duke e vlerësuar si një poet të rrafshit të epërm të poezisë shqipe, me një poezi moderne, me një ligjërim lirik në poezitë e malit, të dashurisë, të dhembjes, të vetmisë dhe se ai ishte një zë i patjetërsueshëm në poezinë shqipe.
Në ato vite isha me punë në Helshan të Kukësit dhe në shërbimet e mia në Kukës apo në kthim nëpër Fajza, nga miqtë e mi poetë më ranë në dorë poezitë e para të tij. Nuk mund të them që u mrekullova, ju them që u hutova nga stili, metafora dhe struktura e vargjeve. Mbaj mend që i lexova disa herë, por as unë nuk u fola shokëve që m’i dhanë dhe as ata nuk më folën mua për vlerat e asaj poezie. Madje edhe kur shkova me leje në Sarandë, në bisedat me krijuesit saranditë, porsa përmendej emri i Jusuf Gërvallës si poet, bisedën e mbulonte heshtja. Ishte koha e bashkë-bisedimit në heshtje. Një miku im (A.M.) më dha disa poezi të tjera të Jusufit. Në heshtje m’i dha dhe ai, në heshtje ia ktheva pas dy ditësh pasi i kisha lexuar e kopjuar. Do jetë e para herë në historinë e letërsisë që një poet vjen në heshtje te poetët e tjerë dhe lexuesit e tij, ndonëse ishte një heshtje gjëmimtare.
Të kuptohemi, heshtnim ne, heshtte gjithë inteligjenca shqiptare dhe populli, ndonëse instruktorët e partisë flisnin gjithmonë nëpër mbledhjet e Frontit dhe organizatave të masave, por e folura e tyre përplasej në heshtjen masive, siç përplaset lakuriqi i natës në shkëmb kur del gabimisht nga shpella e errët në dritën e ditës.
Pas një “heshtjeje” të thellë për “vetëvrasjen“ e ish kryeministrit të vendit në mesin e dhjetorit të kaluar ( 1981 ), kjo heshtje intelektuale ishte si dëbora e re që zë dëborën e një viti më parë, duke krijuar një akullsi. Ishte një ftohje e frikshme.
II
Befas në një manifestim publik, udhëheqësi i partisë dhe i shtetit nxori në tribunë dhe e mbajti pranë vetes një vajzë të vogël rreth 10 vjeçare, e cila i dhuroi një tufë karafilash, prurë nga Gjermania. Menjëherë u përhap lajmi se kjo vajzë, të cilës udhëheqësi i partisë dhe i shtetit i përkëdhelte flokët në tribunë, ishte vajza e Jusuf Gërvallës. Askush nuk pyeti për të rikujtuar se kush ishte ky njeri. Emrin e tij e kishim në kujtesë si emrin e një martiri, ndonëse fizikisht të panjohur. Pas këtij informacioni zë ulët populli u elektrizua, shpërtheu në brohoritje e duartrokitje të papara ndonjëherë. Ishte shpërthimi i parë publik për shkak të emrit dhe kujtimit të Jusuf Gërvallës.
Zakonisht nëpër manifestimet e fillim majit në bulevardin kryesor të kryeqytetit, punëtorë e fshatarë që parakalonin të organizuar nëpër kuadrate, kur afroheshin para tribunës së udhëheqjes brohorisnin për partinë dhe udhëheqësin, por dendësia e manifestimeve kishte krijuar një rutinë tonaliteti të brohoritjeve. Duhej një ngjarje e veçantë që të rritej edhe më ky tonalitet. Prezantimi para popullit i vajzës së martirit kosovar Jusuf Gërvalla nga vetë udhëheqësi i partisë dhe i shtetit, duke lënë të kuptohet se familja e Jusuf Gërvallës kishte gjetur mbrojtje dhe përkrahje në Shqipëri dhe se këtë mbrojtje ia kishte siguruar vetë ai, udhëheqësi, ngjalli në popull një ndjenjë pozitive. Kështu shpjegohet që me t’u përhapur ky lajm, duartrokitjet dhe brohoritjet para tribunës u ngritën në një oktavë të padëgjuar ndonjëherë, kuadratet e njerëzve u prishën dhe u dyndën para tribunës. Kuadrati tjetër që vinte më pas shtoi masën e njerëzve dhe brohoritjet. Ndonëse brohoritjet cilësonin partinë dhe udhëheqësin, dëgjimi mes manifestuesve i shprehjeve me fjalë plot dhembshuri për “jetimen” dhe “të shkretën vajzë jetime” linin të kuptohej se ato brohoritje dhe duartrokitje i ishin adresuar asaj fëmije, e cila sigurisht nuk kuptonte asgjë, veçse i gëzohej masës festive të njerëzve që brohorisnin dhe duartrokitnin. Në fakt njerëzit e ndjenë se nxjerrja e kësaj vajze të vogël në tribunën e udhëheqësit në këtë manifestim ishte një spektakël i organizuar politikisht, por populli instinktivisht pasqyroi shpirtin e tij solidar me vajzën e vogël jetime .
III
Lajmi i botimit të librit me poezi të zgjedhur “Dhimbje të ndrydhura“ të krijimtarisë poetike të Jusuf Gërvallës nga shtëpia botuese “Beqir Musliu”, Gjilan dhe ca më tepër që përzgjedhjen e poezive dhe parathënien e ka bërë shkrimtari dhe njohësi i thellë i artit poetik, studiuesi Anton Nikë Berisha, është një lajm festiv. Tek i miri zgjidhet më e mira, nga më i miri zgjedhës dhe me siguri do i vihet në dorë lexuesit një vepër poetike e admirueshme.
Unë e lexova parathënien dhe përmbledhjen dhe do ta rilexoj sigurisht disa herë, duke i ftuar miqtë e mi ta pasurojnë botën e tyre poetike me magjinë e vargjeve të tij, por ajo që dua të them specifikisht është se: këto botime kaq shumë të kërkuara dhe të domosdoshme për t’u lexuar, sidomos nga krijuesit dhe lexuesit e apasionuar të poezisë, nuk kanë pse të mbeten monopol i lexuesve, banorë të trevave ku botohen. Autorët janë poetë shqiptarë, janë pasuri e letërsisë mbarëshqiptare dhe sidomos libra të tilla cilësorë si ky, duhet të vijnë edhe tek lexuesit dhe krijuesit në Shqipëri, ashtu si dhe librat cilësorë që botohen në Shqipëri duhet të jenë në duart e lexuesve në Kosovë e më tej.
Ndoshta vlen të kujtojmë se hyrja e poezisë së autorëve kosovarë te lexuesi shqiptar, diku aty rreth viteve ’80, fillimisht me një antologji poetike dhe më pas me përmbledhje të zgjedhura të një sërë poetësh të njohur ishte një dritësim tronditës në qiellin e poezisë shqipe. Poezia që lëvrohej në atë kohë në Shqipëri i ngjante atyre kishave të vogla pa dritare , me qirinj të ndezur pranë ikonave, tymi i të cilave të turbullonte pamjen edhe të ikonave, shto këtu faktin që asfiksonte të pranishmit. Në këto kisha dëgjohej vetëm zëri i priftit dhe i dhjakut kur këndonin liturgji apo lexonin ungjillin dhe gjithë të tjerët bënin kryqin me një “amin” të njëzëshëm.
Ardhja e poezisë kosovare me metaforat dhe stilin e saj, ishte si të hapeshin dritare të mëdha dhe të zgjerohej porta te këto kisha, duke lejuar depërtimin e dritës së diellit dhe ajrit të freskët, të cilat zgjeruan frymëmarrjen dhe shikimin e poezisë shqipe. Atëherë i pamë të qarta “ikonat” e mbuluara nga tymi dhe “rason” e lerosur të priftërinjve.
Jo më kot fola për misterin që rrethoi emrin e Jusuf Gërvallës në fillim të njohjes së tij nga lexuesi në Shqipëri, për arsye jo letrare, madje dhe libri i tij “Rrotull” botuar në Tiranë në 1983 nuk e shpërndau “mjegullën” për arsye se nuk iu bë propagandimi dhe shpërndarja e duhur për arsye gjithashtu jo letrare.
Pra, miq e vëllezër, na i dërgoni këto libra se janë edhe për ne.
( Sarandë, më 12.01.2022 )

You Might Also Like