Sportet luftarake

Si e tronditi boksierin serb, legjenda e boksit Ismet Haziri

Shkruan: Sylejman Ismajli

Gjilan – Boksieri i artë i ish-KB Partizanit të Gjilanit dhe kampionit të shumëfishtë të ish-Jugosllavisë, Prishtina, Ismet Haziri, i cili i takon gjeneratës së artë të boksit Kosovar, me nostalgji përkujton momentet më të rëndësishme të karrierës së tij.

Në vitin 1983 në Palestrën ish-1 Maji në Prishtinë në praninë e 5 mije shikuesve, Haziri dridh kampionin e shumëfishtë dhe të përkëdhelurin boksierin serb Stankoviq nga Leskovci, i cili në atë kohë mbronte ngjyrat e klubit të Pulës së Kroacisë.

Për këtë meqë të zhvilluar, selektori i ish-Jugosllavisë, Bruno Hartinski, kishte deklaruar në televizionin shtetëror të ish-Jugosllavisë. “Stankoviq shpëtoi nga vdekja e sigurtë, një boksier nga Prishtina gjysmë invalid me hundë të thyer e me arkad të dëmtuar, me grushta të betonit, sa nuk ja mbylli sytë përgjithmonë për ta quar në botën e vdekjes”.

Ndërsa, Ismet Haziri për këtë meqë, kujton.

“Edhe pse kisha bërë operacion hundën dhe kisha arkadën e lënduar deri në asht u përballa me Stankoviqin e pa mposhtur, ku në raundin e tretë ja dridha trutë dhe tërë trupin, dhe qe nga ai moment ky boksier e braktisë boksin ndërsa diskriminimi i madh ishte që gjyqtarët i’a dhanë fitoren boksierit nga Pula”.

Haziri tregon se kur e panë referat se do ta “dërgon” në botën tjetër, boksierin serb, ata raundin e shkurtuan për 25 sekonda.

“Pas meqit Stankoviq më patë thënë se isha buzë vdekjes, por referet ishin ata që më shpëtuan jetën”, rikujton Haziri.

Ismet Haziri, kujton edhe dashurinë e ofruar nga tifozët pas asaj ndeshje.

“Në kujtesën time mbetet se 5 mijë shikues në salle, pas këtij meqi në krah më kanë bartur nga Palestra gjerë në qendër të qytetit në përcjellje të muzikës në të cilën e bënin shikuesit më të mirë të botës, ata ishin shikuesit anembanë Kosovës”.

Haziri, tregon edhe momentin kur mori ftesën që t`i mbrojë ngjyrat e Ish-Jugosllavisë. “Edhe pse humba atë meqë pa meritë, me tri goditjet qe i dhashë Stankoviqit dhe ja dërmova trutë, selektori i atëhershëm, Bruno Hartinski, me ftoj t`i mbroj ngjyrat e ish-Jugosllavisë në kategorinë Gjysme e Mesme për dy vite radhazi.

Në kujtesë të Hazirit ka mbetur edhe meqi në mes Buduqunostit të Titogradit dhe Prishtinës në Titograd (Podgorica e sotme). “Ishim duke humbur me rezultat 8:2 dhe që nga kategoria ime të gjitha duelet i fitojmë me nokaut duke e përmbyll rezultatin në 12-8, këtë ka mundur ta bën vetëm Prishtina, ndërsa shikuesit në palestrën “Moraqa”, brohoritnin “se te gjithëve do t’ju pjekim në hell dhe për dark do t’ju hajm”, e ishin kohëra të vështira por zemrat tona ishin me të fuqishme se 20 milion njerëz të ish-Jugosllavisë”.

Ndërsa, për gjendjen e tanishme të boksit Kosovar, Haziri, lëshon lotët e dhimbjes për mjerimin që ka pësuar ky sport. “Është mëkat i madh që sporti nacional të humbet, Kosova nëpërmjet meçeve tona në Palestër e ka shpreh patriotizmin dhe dhunën ndaj popullit që është ushtruar, ndërsa sot në liri të shuhet boksi, kjo është marri e njerëzve të cilët merren me sport, edhe zoti nuk na fal këto gabime”.

Haziri përkujton me mallëngjim shoqërinë e cila ka mbretëruar në KB Prishtina.

“Ne kemi qenë shtet në vete, ne kemi boksuar ndaj një shteti artificial, por të gjitha këto i ka mposhtur vëllazërimi i cili ka mbijetuar në klub, ne në mes vete ishim babë, nënë, vëlla e mbi të gjitha kishim zemrën dhe frymën e njëjtë”.

Kur përmendet emri i trajnerit, Lah Nimani, Haziri lëviz nga vendi.

“Lah Nimani ka qenë strateg, psikolog e babë për të gjithë boksieret e klubit, ai ka pasur diçka në shpirtin e tij që vetëm zoti mund ta dijë. Hallall i qoftë djersa qe kam derdhur për të, për popullin shqiptarë dhe për boksin kosovar”.

Haziri tani i ka harruar dorëzat e boksit duke punuar me elementet e betonit duke mbajtur familjen e tij, por njiherit sa herë që është kërkuar nga ai vazhdimisht i ka dalë në ndihmë njerëzve skamnorë dhe gjithë popullit shqiptarë, duke treguar se përpos që ishte një sportist i madh, ai është edhe humanist i devotshëm.

Qyteti i Gjilanit duhet të mburret me një sportist çfarë ishte Ismet Haziri, i cili kudo që është paraqitur nëpër ringjet anembanë ish-Jugosllavisë e Evropës na ka bërë krenar jo vetëm si qytetarë, por ai ka nderuar gjithë popullin shqiptarë.

Me 15 qershor 2017, Njësia për Sport e Komunës së Gjilanit, boksierin e famshëm, Ismet Hazirin e ka shpallur “Nderi i Qytetit”.

You Might Also Like