Gjilan

Si ish-nënkryetari Arbër Ismajli refuzoi emërtimin e një rruge me emrin e babait të tij, prof. Ruzhdi Ismajli?

Gjatë vitit 2019, Komisioni për Emërtimin e Rrugëve në Komunën e Gjilanit kishte propozuar që një rrugë e qytetit të mbajë emrin e profesorit të njohur të Gjuhës Shqipe, Ruzhdi Ismajli. Megjithatë, në emër të familjes, nënkryetari i atëhershëm i komunës, Arbër R. Ismajli, kishte refuzuar këtë propozim për shkak të pozitës së tij politike.

Në një deklaratë publike të dhënë më 26 dhjetor 2019, Arbër Ismajli kishte shprehur mirënjohje për propozimin, duke theksuar:

“Si familje jemi shumë falënderues për respektin e treguar ndaj figurës së prindit tonë dhe familjes në përgjithësi që njëra ndër rrugët e Gjilanit të ketë emrin e babait tim. Për shkak të pozitës politike ku gjendemi dhe për shkak të profilit të babait, kemi vendosur që të heqim dorë nga emërtimi i rrugës dhe ta lirojmë komisionin me kënaqësi për ndonjë emër tjetër.”

Prof. Ruzhdi Ismajli ishte një figurë e njohur në arsimin lokal. Ai kishte dhënë mësim në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Dr. Asllan Elezi” në Gjilan dhe kishte udhëhequr këtë institucion për pesë vite me radhë. Gjatë viteve të vështira të mbylljes së shkollave nga regjimi serb, ai kontribuoi në themelimin dhe funksionimin e shkollës për nxënës nga Anamorava dhe Lugina e Preshevës. Përveç kontributit në arsim, Prof. Ruzhdi Ismajli ishte edhe një nga themeluesit e parë të degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan. Ai u nda nga jeta më 4 prill 2005.

Aktualisht, Arbër R. Ismajli është njëri nga kandidatët për kryetar të Komunës së Gjilanit në zgjedhjet lokale të ardhshme. Kandidatura e tij është mirëpritur nga një numër i konsiderueshëm qytetarësh, ndërsa fushata zgjedhore vazhdon në kuadër të përgatitjeve për garën komunale.

You Might Also Like