Një vendim kontrovers i gjyqtarëve ka tronditur përfundimin e turneut ndërkombëtar të boksit në Sarajevë, ku boksieri gjilanas Endrit Jerliu u mposht në mënyrë të diskutueshme në finalen e madhe kundër boksierit nga Austria, Ihor Nehodi.
Jerliu, i cili kishte treguar formë të shkëlqyer gjatë gjithë garës, në gjysmëfinale e kishte deklasuar boksierin kroat Jura Tutangjiq, duke siguruar kështu medaljen e argjendtë dhe kualifikimin për në finale.
Në përballjen finale, Jerliu dominoi shumicën e raundeve ndaj Nehodit, duke treguar teknikë, shpejtësi dhe qartësi në goditje, gjë që u vlerësua edhe nga publiku i pranishëm në sallë. Megjithatë, për habinë e të gjithëve, gjyqtarët vendosën që fitoren t’ia japin boksierit austriak – një vendim që u prit me reagime dhe pakënaqësi të theksuar nga publiku dhe ekipi shqiptar.
Trajneri i Jerliut, Nazim Halili, i zhgënjyer me vendimin e gjyqtarëve, deklaroi përmes telefonit:
“Endriti ishte dukshëm më i mirë se kundërshtari i tij. Gjyqtarët ia morën një fitore të pastër. Gjatë tri raundeve, Endriti tregoi një performancë të jashtëzakonshme. Ky është një vendim për çdo kritik, sepse i mohohet një sportisti një fitore e merituar.”
Pavarësisht rezultatit përfundimtar, juria e turneut e shpalli meçin mes Jerliut dhe Nehodit si më të mirin e finales, një vlerësim që vetëm sa thekson edhe më shumë peshën e gabimit të gjyqtarëve.
Në turne morën pjesë boksierë nga 14 shtete, duke e bërë konkurrencën të ashpër dhe të nivelit të lartë.
Pavarësisht humbjes së kontestuar, Endrit Jerliu doli nga ky turne si një prej yjeve më premtues të boksit shqiptar.