OPINION

TË DHËNA PËR BFI NË RRETHIN E GJILANIT NDËRMJET DY LUFTËRAVE BOTËRORE

                  

aliriza  Shkruan: Mr. sc. Aliriza Selmani

  1. Pozita e BFI- gjatë luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore

 

Pas fillimit të luftërave ballkanike dhe okupimit të Kosovës nga ushtria serbe në vjeshtën e vitit 1912, u bë një çrregullim pothuaj i tërësishëm i jetës, kurse synimi kryesor i Serbisë ishte zhdukja e elementit shqiptar nga trojet e tyre etnike dhe kolonizimi i këtyre viseve me elementin serb e malazez. Në këtë kohë ishte paralizuar jeta institucionale e BFI dhe ishin shkëputur lidhjet me qendrën islame në Stamboll. Vetëm pas marrëveshjes së Stambollit në mars 1914, midis Mbretërisë Serbe dhe Qeverisë Osmane, me të cilën u garantoheshin të drejtat e popullsisë myslimane në viset e okupuara, gjendja pjesërisht ishte ndryshuar dhe filluan të vepronin disa myftinj të rretheve, vakëfet mearife të rretheve në krye me mytevaliun dhe imamët e xhematëve. Këtë aktivitet e ndërpreu Lufta e Parë Botërore (1914-1918), kur Rrethi i Gjilanit me pjesën më  të madhe të Kosovës, nga fundi i vitit 1915, ishte nën okupimin bullgar dhe prej kësaj kohe u paralizua pothuaj e tërë jeta fetare islame kurse shumica e xhamive, mezgjideve, lokaleve shkollore etj. u shfrytëzuan për nevojat ushtarake të okupatorit, duke u shndërruar në kazerma, depo, stalla për kuaj etj.

 

  1. BFI ndërmjet luftërave botërore

 

Pas okupimit të mbi gjysmës së trojeve shqiptare dhe themelimit të shtetit SKS më 1919, Rrethi i Gjilanit hynte në kuadër të  Qarkut të Kosovës, kurse nga viti 1929, në kuadër të Banovinës së Vardarit dhe ishte rrethi më i madh në Kosovë, ku pjesën dërmuese të popullsisë e përbënin shqiptarët e besimit islam. Sipas një liste të popullsisë  myslimane në rrethëveprimin e Këshillit të Ulemave të Shkupit për vitin 1938/39, shihet se Rrethi i Gjilanit kishte 8.357 shtëpi me gjithsej 63.783 banorë mysliman, kështu që pas atij të Prizrenit kishte numrin më të madh të banorëve mysliman në Kosovë.

Më 1919 me urdhër të ministrisë së fesë u bë regjistrimi i pasurisë së vakëfeve dhe u bë rregullimi administrativ i BFI në Kosovë, u formuan myftinitë e qarkut dhe të rretheve. Në Rrethin e Gjilanit u formua myftinia e cila i takonte Myftinisë së Qarkut të Prishtinës, më vonë nën atë të Prizrenit, kurse si myfti më 1920, përmendet Jusuf Zijaja. U caktuan Këshillat e Xhematit,  ku sipas të dhënave dokumentare  për vitin 1935, në Rrethin e Gjilanit ishin 25 këshilla, në kuadër të cilëve vepronin  imamët e xhematit, ku për çdo imam kishte 100-300 shtëpi muslimane, varësisht prej numrit të shtëpive të lagjes apo fshatit. Në këtë kohë në tërë Rrethin e Gjilanit kishte gjithsej 64 xhami, nga të cilat 4 në qytet dhe 60 në fshatrat më të mëdha të rrethit, të ndërtuara me kohë dhe nga materiali i ndryshëm, nga to, 19 xhami ishin të ndërtuara ndërmjet luftërave botërore. Në 41 xhami shërbenin imamë të emëruar, 20 prej tyre me vendim nga Ulema Mexhlisi i Shkupit, 18 imam të paguar nga arka e Mexhlisit, kurse të tjerët (29) paguheshin nga populli. Imamët e xhematit ishin organe bazë  të BFI, përmes të cilëve organizohej jeta fetare në krye me imamin-hoxhën. Xhematet i formonte myftiu i rrethit, ndërsa i vërtetonte Myftiu i Qarkut dhe kjo i dërgohej myftiut suprem për aprovim. Çdo xhematë kishte edhe pronën- vakëfin e vet. Në krye të Vakëfeve të rrethit gjendej Këshilli i Vakëfit, të cilin e zgjidhte myftiu, ndërsa atë të vendit e zgjidhte këshilli i vakëfit të rrethit. Këshillin e vakëfeve të rrethit e përbënin përfaqësuesit e të gjitha vakëfeve të vendit, me mandat tri vjeçar. Nga viti 1928, ekzistonin dy lloje të imamëve, imamët shtetërorë që paguheshin me rrogë dhe imamët e fshatrave të cilët i paguanin besimtarët, imamët shtetërorë ngarkoheshin me detyrë të mbanin evidencën për numrin e myslimanëve të lindur, të kurorëzuar dhe të vdekur.

Me diktaturën e 6 janarit 1929, u bënë ndryshime në strukturën udhëheqëse profesionale të BFI, u formuan Komisionet e vakëfeve mearife të rrethit si njësi fetaro-administrative të rrethit, që përbëheshin prej kryetarit dhe një numër të këshilltarëve të cilët emëroheshin nga Ministria e Drejtësisë. Komisionet për një kohë kishin pothuajse tërë pushtetin lokal fetar në duar të veta, si mbanin evidencën e pasurisë së tundshme e të patundshme të vakëfeve, mbikëqyrnin funksionin e vakëfeve dhe të institucioneve të tjera fetare (xhamive, mejtepeve, medreseve etj.) jepnin propozime për shitblerjen, shkëmbimin ose dhënien me qira të objekteve të vakëfit, të emërojë dhe shkarkoj nëpunësit fetarë në rreth etj. Kjo zgjati deri me konstituivin e Ulema Mexhlisi i Shkupit më 1930, i cili zëvendësoi Myftininë Supreme të Beogradit për Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi që ushtronte mbikëqyrjen e tërësishme të jetës fetare islame, të institucioneve fetare shtetërore në principin e moralit fetarë, në hartimin e plan-programeve për shkollat fetare islame si dhe lëndën e mësim besimit në shkollat shtetërore në gjuhën serbe, do të bëjë emërimin e nëpunësve fetarë, mbikëqyrjen e punëve të tyre etj.

Për shkak të nevojave në rregullimin e çështjeve juridike, familjare dhe trashëguese të myslimanëve, me Ligjin mbi gjyqet e sheriatit nga viti 1929, filluan të formohen Gjyqet e Sheriatit, ku parashihej që në çdo rreth ku jetojnë mbi  5000 mysliman të formohet gjykata  e sheriatit të shkallës së parë, të cilët do të gjykonin sipas parimeve të sheriatit dhe do të vepronin para gjyqeve shtetërore, me gjyqtarë që do të paguheshin prej shtetit. Ekzistonin edhe gjyqet e shkallës së dytë apo gjyqet supreme me qendër në Shkup dhe Sarajevë. Në bazë të Dekretit të datës 16.05. 1931, lëshuar nga Reis-ul-Ulema, për gjykatës të gjykatës së sheriatit të Rrethit të Gjilanit, ishte emëruar Nexhib Fazllagia, i cili ishte njëherit edhe kryetar i Komisionit  të Vakëfit Mearife të rrethit. Në të dhënat e kohës shihet se ky prapë më 1934, kishte marrë rekomandimin nga Ulema Mexhlisi i Shkupit dhe ishte riemëruar në këtë detyrë, përkundër mungesës së shkollës përkatëse për gjyqtar të sheriatit. Kjo ishte bërë për shkak të mungesës së personit me kualifikim përkatës. Duhet cekur se organet e administratës fetare islame, ishin të vetmit organe institucionale legale për shqiptarët, ku komunikohej në gjuhën shqipe dhe të cilët luajtën rol të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar.

 

  1. Aktiviteti fetar-patriotik i ulemasë fetare islame

 

Politikës antishqiptare të gjenocidit, iu kundërvu pjesa dërmuese e ylemasë fetare islame, të cilët duke pa fenë si pjesë të pandashme  të interesave kombëtare, gjithnjë qenë pranë masës të cilës i takonin dhe shumë prej tyre ranë viktimë e terrorit shtetëror.  Aktiviteti i tyre zhvillohej përmes formave legale të punës së Ulema Mexhlisit të Shkupit, Kuvendit të Vakëfeve, Komisionit të Vakëfeve të Rrethit, Imamëve të Xhematit etj. si dhe përmes formave ilegale, si pjesëmarrës në Lëvizjen Kaçake, përmes lidhjeve të fshehta me Komitetin “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” me qendër në Shkodër dhe formave të tjera. Me këtë rast duhet veçuar kontributin e Ulema Mexhlisit të Shkupit dhe organizatën legale “Xhemijeti” (Bashkimi), e cila deri më 1925 veproi legalisht, por edhe pasi që ishte ndaluar vazhdoi të vepronte në mënyrë ilegale. Ardhja e Ferat Dragës në krye të Ylema Mexhlisit më 1938, i dha një impuls të fortë veprimtarisë fetare e patriotike të gjitha organizatave bazë të BFI në Kosovë e Maqedoni. Në Ylema Mexhlisin e Shkupit një rol të rëndësishëm e pati edhe Kryeimami (Bashvajzi) Mulla Idriz Hajrullahu (në literaturë i njohur si M. Idriz Gjilani), i cili erdhi po në atë vit kur erdhi edhe Ferat Draga. Që nga themelimi Ylema Mexhlisi i Shkupit, pos aktiviteteve tjera  mori masa të ngutshme për ndërprerjen e shpërnguljes së shqiptarëve për Turqi. Për këtë qëllim urdhëroi organet fetare të rretheve dhe nëpunësit tjerë islam, që me të gjitha forcat të vihen në aksion kundër shpërnguljes e cila po rrezikonte qenien kombëtare, ku pos tjerash thuhej: “Organet fetare përmes konferencave dhe tubimeve të ndryshme, nëpunësit fetarë përmes vazeve, të këshillojnë saktë elementin mysliman se shpërngulja është dukuri e dëmshme…”, në fund urdhërohej  çdo imam i xhematit që për aktivitetin e vet të njoftojë me shkrim Ulema- Mexhlisin e Shkupit.

Për aktivitetin fetar e patriotik të Ulema-Mexhlisit të Shkupit, organizatës “Xhemijeti” dhe organeve tjera të BFI, si dhe lidhjet e tyre sekrete me konsullatën e Shqipërisë në Shkup dinin çarqet e pushtetit Jugosllav. Prandaj vendosën që të marrin masa konkrete për ndërprerjen e këtij aktiviteti, e sidomos të Ferat Dragës, për ët cilin thuhej:” Që kur u zgjodh për Kryetar të Kuvendit të Vakëfeve Mearife të Shkupit më 1938, u bë tribun i vërtetë i rrymës politike kombëtare në Kosovë”, kurse sipas raporteve sekrete ushtarake, Ferat Draga kishte rolin kryesor në përhapjen e nacionalizmit shqiptar dhe për këtë shkak duhet që patjetër të ndërrohet nga ky post. Kjo bëri që Ministri i Drejtësisë së këtij shteti në maj 1940, mori vendimin e pa ligjshëm, që të formohet Komesariati Shtetërorë, prej tre anëtarësh në Ulema Mexhlisin e Shkupit, si organ më i lartë mbikqyrës i të gjitha organeve të BFI në viset jugore. Kjo hasi në protesta të shumta të organeve dhe individëve të ndryshëm të BI të Jugosllavisë, drejtuar organeve shtetërore dhe qeverisë. Mirëpo edhe këto masa shtetërore nuk arritën ta ndërpresin aktivitetin fetar e patriotik, të ulemave fetarë dhe si thotë Dr.Lefter Nasi “…Lufta për ruajtjen e besimit islam, u bë një faktor i rëndësishëm qëndrese dhe mjet i fuqishëm shprehës i përkatësisë kombëtare.”

 

  1. Arsimimi islam ndërmjet luftërave botërore

 

Gjatë luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, arsimi fetar islam ishte paralizuar gati në tërësi dhe në bazë të dhënave të kohës shihet se ishin suprimuar të gjitha shkollat fetare islame iptidaijet (filloret), Ruzhdijet (pro gjimnazet), Idaditë (gjimnazet), pos medresesë së Gjilani  (me 26 nxënës) dhe të asaj të Jeni Pazarit që ishin lejuar të punonin, të cilat mbaheshin nga vakëfet dhe nga  vetë nxënësit me prodhime natyrore.

Edhe pas formimit të Mbretërisë SKS, gjendja dhe pozita e arsimit islam ishte mjaft e rëndë, por me që arsimi islam është bazë themelore për mirëvajtjen e tërësishme të besimit islam dhe në mungesë të shkollës shqipe, shkolla fetare do të jetë i vetmi institucion arsimor i popullit shqiptarë, ku do të krijohet inteligjenca fetare dhe laike.  Nisur nga kjo u bënë përpjekje të shumta që të shfrytëzohet e drejta ligjore për hapjen e shkollave fetare dhe filloi funksionimi i mejtepeve, medreseve etj. si shkolla private të cilat ishin të ngjashme me ato të kohës së Perandorisë Osmane të cilat mbaheshin nga vakëfet dhe vetë populli.

Në fillim të kësaj nisme shteti nuk bënte pengesa në hapjen e shkollave fetare, duke menduar se me forcimin  ndjenjave fetare do të dobësoheshin ato kombëtare dhe me këtë do të realizohej shpërngulja për Turqi. Që nga fillimi i vitit 1919, filloi hapja e mejtepeve me iniciativën  e vetë popullit, por meritë të madhe në hapjen e tyre në fillim pati edhe organizata “Xhemijeti”, e cila merrej me organizimin e shkollave islame dhe angazhohej në autonominë e tyre. Ndërkaq për shkak të interesimit gjithnjë e më të madh për mejtepe, me ndërhyrjen e Ylema Mexhlisit të Shkupit, nga viti 1933,  filloi me të madhe hapja  e këtyre shkollave. Kështu në listën e numrit të mualimëve dhe sibian mejtepeve, sipas raportit të Ulema Mexhlisit të Shkupit, për vitin 1938/39, në tërë Kosovën ishin gjithsej 296 mejtepe me 11.362 nxënës, në këtë kohë krahasuar me rrethet tjera të Kosovës, Rrethi i Gjilanit kishte numrin më të madh prej 75 mejtepeve (sibian mejtepe) dhe të numrit të nxënësve, 3.460 fëmijë, me të cilët punonin 72 mualim-mësues. Këto shkolla ishin të hapura si në qytet ashtu edhe në fshatrat më të mëdha të rrethit.

Mejtepet ishin shkolla trevjeçare, ku regjistroheshin fëmijët e moshave të ndryshme dhe mësonin bazat themelore të edukimit islam, K’uran, shkencën mbi fenë dhe shkrimin turqisht-osmanisht. Mësimi zhvillohej në gjuhën arabe dhe turke kurse komentimi bëhej në gjuhën shqipe. Mejtepet punonin në kushte të vështira, nëpër shtëpi private, lokalet e vakëfeve, xhami etj. Sipas të dhënave memoriale në Gjilan mund të kenë vazhduar punën të pesë iptidaijet e kohës osmane, që do të thotë për çdo lagje nga një, me nga një mësues. Kështu afër “Atik” Xhamisë ishte një mejtep, ku për një kohë si mësues-mualim ishte Mulla Shaipi i Vogël; një mejtep në Balec Mëhallë i Gani Qaushit, ku si mësues ishte një Haki ef. i Gjilanit; një mejtep në Dere mëhallë, në shtëpinë e Mulla Selmanit, ku kanë dhënë mësim djemtë e nipat e tij si Hafëz Ilazi etj. si dhe një mejtep afër Hamamit. Në bazë të një liste për punën e mejtepeve dhe emërimin e mualimëve  në territorin e Ylema Mexhlisit të Shkupit, shihet se gjatë vitit shkollor 1933/34 dhe 1935/36, në Rrethin e Gjilanit punonin 50 mejtepe me kaq mualimë.

Që nga viti 1919, në Gjilan e rrethinë filluan punën shkollat fillore shtetërore  katër klasëshe në gjuhën serbe, në të  cilat i vijonin mësimet  edhe një numër i vogël i fëmijëve mysliman-shqiptarë. Në bazë të raportit të mbikqyrësit të shkollave serbe në Rrethin e Gjilanit, të 4 prillit 1919, dërguar Ministrisë së Arsimit në Beograd, shihet se në këtë rreth  ekzistojnë vetëm 5 shkolla fillore zyrtare për fëmijët mysliman (shqiptar), si shkolla shtetërore dhe ato ishin: një shkollë në Gjilan dhe në fshatrat Hogosht, Koretin, Rogoqicë dhe Cernicë. Në shkollën e Gjilanit formohen tri paralele të klasës së parë për fëmijët mysliman, në të cilat do të punojnë tre mësues serb dhe tre imam të fesë, si kryes shtetëror të detyrës së mësuesit. Mësim-besimi në këto shkolla sipas plan-programit plotësues të vitit 1926, mbahej nga dy orë në ditë, zakonisht pas mësimit të rregullt dhe mësonin Kur’an, shkencën mbi fenë dhe gjuhën turke. Mësimi në këto shkolla ka zgjatur 4 vjet, por për shkak të pengesave gjuhësore mësimi për fëmijët shqiptar në këto shkolla zgjatëte 5 vite, fëmijët shqiptarë  ishin të detyruar të fillonin një vit më parë. 

Më 1922, në Rrethin e Gjilanit kishte të regjistruar 673 nxënës mysliman, ndër të cilët 39 vajza në shkollën e qytetit. Më 1924, fëmijët shqiptar mësimet i vijonin në 13 shkolla fillore të rrethit, ku kishte 725 fëmijë mysliman, nga të cilët në shkollën e qytetit ishin 5 paralele me 220 nxënës. (djem e vajza). Mirëpo krahasuar me numrin e banorëve të fesë islame, ky numër i fëmijëve që vijonin shkollimin  ishte tejet i vogël. Mësuesit e këtyre shkollave është dashur të kenë të kryer Darul Mualiminë (Shkollën Normale), ose ndoj shkollë të ngjashme. Si mësues të parë të fesë islame në shkollat shtetërore të Gjilanit përmenden Bajram Rashiti nga Llashtica (me shkollën Darul Mualiminë të kryer në Prishtinë), Hysen Hajdari dhe Binaze I. Dauti-Hoxha Hanemi (me shkollën Normale të kryer në Stamboll) dhe Shaip Rexhepi. Duke e pa se çdo arsimim i shqiptarëve ishte rrezik për shtetin Jugosllav, organet e shtetit filluan ta shtonin kontrollin ndaj mësuesve të fesë dhe me urdhrin e Ministrisë së Arsimit, më 1924, u larguan nga detyra mësuesit e fesë në shkollën e Gjilanit, Bajram Rashiti, Hysen Hajdari dhe Binaze Dauti, Ruzhdi Mehmetin në Roganë dhe Raif Halimin dhe Isuf Ibrahimin në Mogillë. Kjo praktikë do të vazhdojë edhe në vitet e më vonshme. Largimi i tyre ishte bërë për shkak se pos përhapjes së kulturës islame dhanë kontributin e tyre në mësimin ilegal të shkrim-leximit shqip dhe ngritjen e ndërgjegjes kombëtare.

Si shkollë fetare private e rangut të dytë ishin medresetë, të cilat u lejuan të vepronin nga mesi i vitit 1920, por në numër të kufizuar. Në bazë të dhënave dokumentare shihet se më 1931 në Kosovë punonin 8 medrese aktive, në Prishtinë dhe Prizren nga dy medrese kurse në Mitrovicë, Pejë, Gjilan, Gjakovë, Vushtrri dhe Ferizaj nga një medrese. Medresetë ishin shkolla 6-8 vjeçare të trashëguara nga koha e Për. Osmane, ku regjistroheshin nxënës ( të moshës 12-19 vjeçare) nga të gjitha viset  e rrethit dhe ishin në mbikëqyrje direkte të Këshillit të Vakëfeve të Rrethit. Në krahasim me mejtepet këto shkolla ishin në një nivel më të organizuar, me lokale të rregulluara, inventar më të mirë me një bibliotekë të vogël librash dhe dhoma të fjetjes për nxënës. Shkollat kishin programin, kohën e caktuar të mësimit ku shënoheshin orët mësimore dhe mungesat e nxënësve, kurse si lëndë mësimore kishin: Kur’an, Itikade, Ibadete, Gjuhë arabe, Shkrim arab, Shkrim turqisht, Histori islame dhe Ahlak. Myderrizët (profesorët) gjatë vitit shkollorë pos shpjegimit bënin edhe vlerësimin e diturive të nxënësve, kurse në fund të vitit shkollorë organizonin provimet e nxënësve para komisionit të posaçëm. Pas kryerjes së medresesë merrej titulli i ulët fetarë, me të cilin mund të emëroheshin imam xhamie, nëpunës fetarë ose mund të vazhdonin shkollimin e mëtutjeshëm.

Në Gjilan e rrethinë që nga gjysma e dytë e shek. XIX, punonin dy medrese, njëra në Gjilan dhe tjetra në fshatin Dobërçan. Derisa medreseja e Dobërçanit ndërpreu punën me fillimin e Luftës së Parë Ballkanike, ajo e Gjilanit vazhdoi të punojë në mënyrë permanente  deri në nëntor 1944, në lokalet e xhamisë “Atik”. Në këtë shkollë punonin zakonisht nga dy myderrizë. Pas okupimit serb si myderriz dhe drejtor të sajë ishin: Ymer ef. (1912-1916); Abdyrrahim ef. (1916-1937); Tahir ef. (1937-1939). Në bazë të raportit të punës së Ylema Mëxhlisit të Shkupit, për vitin 1938/39,  shihet se medreseja e Gjilanit ishte ndër medresetë më aktive në Kosovë, ku me vendimin e Ylema Mexhlisit të Shkupit, për drejtor dhe myderriz më 27 maj 1939, ishte emëruar Mehmet Sadiku (i Groshinës së Shkupit A.S.), me të ardhura mujore 500 din. kurse myderriz i dytë ishte emëruar Salih Mehmeti (nga Dobërçani A.S). Ndërkaq gjatë Luftës së dytë Botërore (1941-1944), si drejtor dhe myderriz i medresesë në Gjilan ishte Haki ef. Sermaxhaj nga Hogoshti.

Me konsolidimin e Mbretërisë Jugosllave pas diktaturës së 6 janarit 1929, u ashpërsuan masat ndaj BFI,  e cila e humbi autonominë formale, u bë centralizimi i plotë i institucioneve arsimore dhe u ashpërsuan masat ndaj sibian mejtepeve. Këtë vit është nxjerrë ligji për shkollat popullore me të cilin ndërpriteshin të gjitha shkollat private pra edhe ato fetare-mejtepeve pranë xhamive në Rrethin e Gjilanit e vende tjera, me motivacion se përhapnin librin shqip te popullata shqiptare. Andaj veprimtaria e shkollave fetare islame ndër shqiptarët do të hasë në pengesa  nga organet qeveritare dhe do të ketë ndërprerje të kohëpaskohshme të tyre, pushim nga puna të mësuesve të fesë etj. Lidhur me vëshërsitë e veprimtarisë së këtyre shkollave flitet edhe në një raport të Ulema mexhlisit të Shkupit, ku ndër të tjera thuhet:”Sapo u hapën 25 sibijan-mektebe, pasoi vendimi nga Ministria e Arsimit për mbylljen e tyre, sepse hapjen e mektebeve e konsideron si veprim të kundërligjshëm të Ligjit mbi Shkollat Popullore…”Edhe pse kjo e drejtë ishte e garantuar me nenin 18 të Ligjit mbi BFI,  të viseve të jugut. Mbyllja e këtyre shkollave nga organet qeveritare kishte karakter politik, sepse te nxënësit e këtyre institucioneve “Po zgjohet me të madhe vetëdija kombëtare, ndërsa mësuesit e tyre janë njerëz të rrezikishëm Si çdokund në Kosovë edhe në Gjilan lëvizja kulturo-arsimore e kombëtare, u mundu t’i shfrytëzojë edhe format tjera legale për arsimimin e rinisë shqiptare, në shpërndarjen e  ilegale të librave shqipe etj. Për këtë qëllim në Gjilan ishte formuar shoqata humanitare “Gajret”, me iniciativën e mësuesit Adem Prekiqi, ku tuboheshin intelektualët e besimit islam dhe e cila kishte lidhje direkte me “Komitetin e Kosovës” me qendër në Shkodër.

Përkundër përpjekjeve të shtuara nga organet shtetërore serbe, institucionet e ndryshme fetare islame, gjatë gjithë kohë ishin vatra  të ngritjes së vetëdijes fetare e kombëtare të popullit shqiptar, kurse pjesa dërmuese e inteligjencës fetare ishte në ballë të veprimtarisë patriotike, duke qenë gjithnjë me popullin dhe hallet e tij. Për këtë flasin të dhënat shumta dokumentare të kohës.  Kjo shihet edhe nga shkresa e Ministrit të fesë dërguar Këshillit të Ministrisë së Arsimit në Beograd, më 7 shtator 1928, ku pos tjerash thuhej: ”Në viset jugore çështja e arsimit fetar të myslimanëve është shumë e komplikuar…Në këto vise 50 myfti dhe 600 imam, prej të cilëve asnjëri nuk e njeh gjuhën serbe, të gjithë janë të edukuar në frymën armiqësore ndaj vendit tonë.”  Këto ishin informata të sakta sepse pjesa dërmuese e ylemave fetarë islam, ose ishin anëtarë të “Komitetit të Kosovës”, ose anëtarë të Këshillit të “Xhemijetit” neper qytete e fshatra, kurse për punën e tyre merrnin instruksione nga Ferat Draga, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Qamil Bala e të tjerë.

Nga kjo që u tha mund të konkludojmë se në periodën ndërmjet dy luftërave botërore, përkundër presioneve të vazhdueshme, të cilat përcilleshin me vrasje, burgosje dhe masa tjera terrori nga ana e pushtetit okupues serbo-sllav, pjesa dërmuese e ulemave fetarë shqiptarë i qëndroi stoik idealeve  të veta fetare e kombëtare dhe së bashku me të tjerët i sfidoi realizimit të Konventës Jugosllavo-Turke të vitit 1938, për shpërnguljen e shqiptarëve.


 

 

 

You Might Also Like