Futboll

Të rinjtë e SC Gjilani fitues të turneut “Megi Cup International”

Futbollistët e tinj të Gjilanit, të kategorisë U-15 janë fitues të turneut “Megi Cup International”, i cili është mbajtur në Durrës në Shqipëri. Në një kategori të fortë, kuq e bardhët pa asnjë humbje kanë ngadhënjyer në këtë turne, duke dëshmuar se pos në vendin e tyre, ata janë të pa konkurrencë edhe nëpër turne të ndryshme.

Duhet cekur se pikërisht ky ekip është kampion në gjeneratën e vet në Lidhjen Rajonale të Futbollit të Gjilanit, ku kishin ngadhënjyer bindshëm.

Siç thekson Sadullah Ajeti, trajner në këtë turne pati një konkurrencë të mirë, ku përpos SC Gjilani, pjesëmarrës ishin edhe ekipe të tjera nga Shqipëria e Kosova.

Në ndeshjen e parë SC Gjilani mundi Ferizajn me rezultat 3:0, pastaj u ndesh me Laprakën me të cilën barazoi 0:0, për t’u përballur në fund me Talentin, ku ngadhënjeu me rezultat 2:0. Në gjysmëfinale Gjilani mundi Arsenalin me rezultat 2:0, kurse në finale ishin më të mirë se sa Ferizaj me rezultat 3:2 dhe me plot meritë u shpallën fitues të turneut “Megi Cup International” dhe u stolisën me kupë. Ndeshjet janë zhvilluar në Fushën International “Penza”.

SC Gjilani në këtë turne ka marrë pjesë edhe me grupmoshat U-13, të udhëhequr nga trajneri Brezart Ismajli, ku gjithashtu kanë patur lojëra të pëlqyeshme. Ekspedita e Gjilanit në Shqipëri ka qëndruar gjashtë ditë dhe kjo pos për përgatitje për kampionatin e ri dhe për pjesëmarrje në turne, u ka shërbyer edhe për argëtim, shoqërim dhe të qenit pjesë e grupit për disa ditë me radhë, që është faktor me rëndësi në futboll. Ekspeditën e SC Gjilani e ka përbërë edhe trajneri tjetër Selajdin Jerliu.

You Might Also Like