Festivali i Dramës Shqipe, “Talia e Flakës” ka vazhduar sipas programit të paraparë, duke prezantuar në natën e tretë shfaqjen “13”, prodhim i teatrit “Adriana” nga Ferizaji.
Që në hapje të perdes binte në sy të publikut vigjilentë skena “ndryshe” nga ç’është pa në të kaluarën, pasi sipërfaqja e saj kishte formë të pjerrtë, e jo të rrafshtë si zakonisht, ndërsa shfaqja “13”e autorit Sulejman Rushiti, nisi me simbolikën e syrit që hapet e mbyllet, prej nga, fillimisht si një siluetë e më pas si një engjull paraqitet njëra nga protagonistet, Dora Xhemaili, e cila mëton të pushtoj qiellin e pafund, duke hapur e mbyllur krahët.
Pikërisht skena është gjetja autentike që e veçon shfaqjen “13”, me tërësinë e strukturës, pasi aty do të jetë “arena” ku aktorët do të bartin mbi supet e tyre “peshën” e rëndë të saj (skenës).
Në fakt loja e aktorëve e sistemuar në rrjedhën e shfaqjes, vjen tejet natyrshëm, për të dëshmuar kësisoji qartë se shfaqja është punuar një periudhë të gjatë e me përkushtim dhe është realizuar me mund të madh e kujdes të theksuar, pasi herë-herë krijohet përshtypjen e tillë e harmonisë skenike që më shumë shëmbëllen me prezantim skenik të një teatri të baletit, ku veprimet janë të sinkronizuara e harmonizuara me kujdesin e saktësisë absolute të hapësirës dhe kohës!
Autori Rushiti, i cili njëherit është edhe regjisor i shfaqjes, përveç që ka mbarështruar dramën me pjesë të shkëputura nga veprat e autorëve tanë të shquar, Kadare, Fishta, e mbase edhe Kristo Floqi, etj, ai ka arritur t’i përshtasë të tëra, siç do të shkruante Aristoteli në “Poetika” – në një të vetme.
Kësisoji ai i ka qëndruar besnik me kujdes e delikatesë tërësisë së tekstit, për ç’gjë ka vënë në veprim edhe intuitën krijuese me situata të këndshme autoriale, të cilat i ka adaptuar e harmonizon në tërësinë strukturore me sensin e një krijuesi të mprehtë, e me një “penë të stërholluar” krijuese!
Rushiti poashtu ka zgjedhur figura e elemente stilistike skenike, ndërsa nuk ka denjuar të kujdeset në po atë nivel dhe me po atë masë përkushtimi edhe kur bëhet fjalë për pjesën muzikore, ndërsa skena e shfaqjes është aq funksionale sa ndonjëherë krijohet përshtypja se edhe po të ishin më shumë se 13 aktorë në skenë, aq sa numëronte shfaqja, ajo, (skena), nuk do të dukej asnjëherë e pamjaftueshme si hapësirë skenike.
Autori poashtu ka zgjedhur herë – herë të flasë me lojën e numrave të reflektuar në pjerrtësinë e skenës, ndërsa përshkrimi i ngjarjeve krahas lojës së aktorëve ishte një tjetër veçori që e bënte shfaqjen akoma më të realizuar skenikisht e artistikisht.
Kishte raste madje kur në të njejtën kohë, në skenë gjendeshin mbi dhjetë aktorë, të cilët asnjëherë nuk ishin të c’akorduar, pavarësisht se situata të tilla janë vështirë të realizueshme.
Pa mëdyshje shfaqja si e tërë ka nxitur reagime e opinone të ndryshme në mesin e artdashësve prezentë, të cilët në përgjithësi e kanë vlerësuar pozitivisht, qoftë kur bëhet fjalë për tekstin dramatik apo realizimin skenik të tërësisë së shfaqjes, duke përfshirë në po ato vlerësime pozitive edhe lojën e aktorëve.
Sipas dramaturgut Agron Gërguri, në shfaqje gjejmë figura, situata, gjendje e domethënie historike. Me burra që nisen për luftë e gra që i presin, ndërsa vula bëhet kryesore, pjesë nga “Viti i Mbrapshtë” i Kadaresë.
“Rrëfimi skenik kalon nëpër krahina të ndryshme të Shqipërisë, që nënkuptohen përmes pjesëve muzikore të adaptuara… Ushtria e Shestan Verdhës, e cila më shumë bënë plane sesa që lufton! – Duke ecur nëpër kalvarin e historisë rrëfimi arrinë deri tek viti 1999, Lufta e Kosovës, si nyje e kapërcimit të shekullit XX-të. Gjithëherë historia e heronjëve tanë ngatërrohet nga ata që festojnë trimërinë e atyre që nuk janë më… (“sesa nisim një punë të re, të parët që e prishim jemi ne…”, mbarështrime emblematike nga opusi i Fishtës, që bëhet lajtmotiv i shfaqjes”, tha dramaturgu Gërguri, sipas të cilit, në këtë mënyrë mbërrijmë tek një teatër i absurdit, ku mësues shteti bëhen Afganistanët!…
“Shfaqja është ndërtuar me personazhe e figura përfaqësuese të cilat aktorët i nxorën përmes parodizimit. Idiomat teatrore bëhen mesazhe qortuese: – pse jemi kështu si jemi? – në këtë tip shfaqje, regjisori është demiurge, i jep karakterin shfaqjes si regjisoriale. Mizanskena e organizuar mirë, ndërlidhja e skenave është realizuar bukur përmes këngëve nga thesari i etnosit tonë burimor. Interpretimi harmonik dhe në funksion të idesë së shfaqjes. Skenografia e ndihmuar nga ndriçimi i mirë, ishin pjesë funksionale të shfaqjes”, shtoi Gërguri.
Teksti & Regjia: Sulejman Rushiti, Luajtën: Ali Krasniqi, Arben Marevci, Blin Mani, Dashuri Regjepi, Donika Zeqiri, Dora Xhemajli, Edona Berisha, Elton Tahiri, Jajush Ramadani, Kushtrim Qerimi, Milot Salihu, Nexhat Xholi e Sherif Bega.
Festivali i Dramës Shqipe “Talia e Flakës 2025”, në natën e katërt sjell para aftdashësve gjilanas shfaqjen e teatfit të të Tetovës “Dredhitë e Patokut”, me tekst nga Gjergj Fishta e regji të Kushtrim Bekteshit.