Dueli i dy skuadrave që kanë siguruar garat evropiane këtë stinor ka kaluar me një goleadë në 10-minutat e fundit të saj, për të ndërruar plotësisht kahjen e ndeshjes, nga një e mërzitshme në momente, në plotë befasi pas secilit gol.
E këtë e ka shfrytëzuar më së miri Blerim Krasniqi i Gjilanit, që ka shënuar hat-trick në fitoren e ekipit të tij ndaj Llapit, për të siguruar një tre pikësh që në fund ata mund t’i bëj nënkampionë në Superligë për këtë edicion.
Llapi 2-4 Gjilani [Bianor Neto 79, 87 – Blerim Krasniqi 3, 82, 88, Shend Kelmendi 90+4].
Krasniqi kishte hapur serinë e golave në fillim të ndeshjes, por kur Llapi barazoi 11 minuta para fundit të ndeshjes, ai u ndez përsëri për t’ia siguruar fitoren ekipit të drejtuar nga Alban Hyseni.
E Tahir Batatina me Llapin e tij ka arritur vetëm dy herë të shpresojë në pikë, pas barazimeve që i bënte Bianor Neto, kur shënoi për 1-1 dhe 2-2. E deri në fund me Krasniqin dhe Shend Kelmendin Gjilani e fitoi plotësisht ndeshjen për t’i ikur tash Dritës së tretë në renditje me 4 pikë, kur kanë mbetur edhe dy xhiro deri në fund të stinorit në Superligë.
Llapi teorikisht mund të përfundojë edhe i treti në renditje, nëse Drita gabon dy herë dhe llapjanët fitojnë dy herë!