Në kuadër të “Flakës së Janarit 2026”, në Teatrin e Qytetit në Gjilan është mbajtur ngjarja përcjellëse “Akademia e Flakës…”, e cila i është kushtuar “Masakrës së Reçakut”, ngjarje në të cilën ka qenë i pranishëm edhe kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili në këtë akademi ka thënë se “Flaka e Janarit” i mbijetoi kohës dhe u kthye në Manifestim Tradicional. Ky manifestim kishte nisur si shënim i dhjetëvjetorit të rënies së Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës e Bardhosh Gërvallës. Pjesë e manifestimit u bë edhe shënimi i rënies së Rexhep Malës e Nuhi Berishës.
“Është me rëndësi të ruhet tradita, të kultivohen vlerat kombëtare dhe të ndërtohet shtetësia e Kosovës, sepse nën kulmin e kësaj shtëpie të përbashkët gjejnë strehë të gjithë njerëzit e atdheut tonë dhe miqtë tanë”, tha Kurti ndër të tjera, duke shtuar se kjo traditë e shënimit të Flakës së Janarit përkohësisht ishte ndërprerë për shkak se më 15 janar 1999 kishte ndodhur Masakra e Reçakut, ku u vranë 45 civilë të pambrojtur e të paarmatosur.
“Duhet të kujtojmë rolin unik të ambasadorit William Wolker si dëshmitar dhe denoncues i Masakrës së Reçakut. Deklarata e tij ia bëri botës të qartë të vërtetën për krimet shtetërore të Serbisë në Kosovë. Faktet dhe dëshmitë për Reçakun mbetën të regjistruara në drejtësinë ndërkombëtare, si konfirmim se e vërteta për këto krime nuk mund të mohohet dhe se drejtësia, sado e vonuar, mbetet detyrim moral dhe historik”, tha Kurti duke shtuar se muajin e kaluar, të vitit që lamë pas, Republika jonë ndërmori edhe një hap të rëndësishëm në rrugën e drejtësisë, kur Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 21 personave për Masakrën e Reçakut, për krime lufte.
Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, tha se janari në Kosovë është më shumë se një muaj i ftohtë dimri, ai është plagë e dritë, dhimbje që nuk plaket e shpresë që nuk shuhet, është muaji i “Flakës…”, është ndërgjegjja e jonë kolektive dhe zjarri që vije nga sakrifica dhe që na kujton se liria nuk na u dhurua, por u fitua me gjak. Reçaku na përkujton dhimbjet e luftës, ngjarje që na tregoi se populli e meritonte lirinë. Ai i kushtohet heronjve që luftuan për lirinë, atyre që e kuptuan se për lirinë duhet luftuar. Ata zgjodhën të jetojnë me dinjitet dhe nuk u nënshtruan, andaj u flijuan për lirinë.
“Strukturat shtetërore janë amanet i atyre që ranë për liri. Të punosh për shtetin është përgjegjësi e madhe, sepse gjaku u derdh për barazi, liri e shpresë për secilin qytetar”, tha Alban Hyseni, kryetar i Gjilanit.
Në pjesën e akademisë me vështrimet e tyre u paraqitën studiuesit e historisë Blerim Haziri dhe Sylë Ukshini. Haziri në mënyrë kronologjike ka paraqitur të gjitha krajatat nëpër të cilat ka kaluar populli i Kosovës, që nga rekrutimi me dhunë në ushtrinë e ish-Jugosllavisë, ku shumë të rinj atje gjetën vdekjen, pastaj rastin e inskenuar kafiterinë “Panda” në Pejë, krim i cili u tentua t’i mëveshët shqiptarëve, por që doli se ishte një rast i inskenuar nga vetë serbët për të vazhduar me shumë vrasje e masakra e ndër më të tmerrshmet ishte „Masakra e Reçakut“, që shënoi kulmin e dhunës policore-ushtarake e paramilitare serbe. Kjo ngjarje bëri bujë në mediet ndërkombëtare e misioni verifikues, të cilët hodhën poshtë pretendimet serbe. Çështja e Reçakut ndërkombëtarizoi edhe ë tepër situatën në Kosovë dhe ndërgjegjësoi botën, kurse NATO ndërhyri ushtarakisht.
Për “Masakrën e Reçakut” me kumtesë u paraqit edhe studiuesi Sylë Ukshini, i cili pas ka përshkruar rrethanat politike e ushtarake në të cilat ka ndodhur ajo, ka shtuar se me “Masakrën e Reçakut” u shemb gënjeshtra e madhe e Serbisë për shqiptarët dhe këtë e ka ndërlidhur edhe me periudhën nëpër të cilën po kalojmë sot, se çka po ndodh në raportet Kosovë – Serbi.
“Reçaku është provë e ndërgjegjes evropiane”, ka thënë studiuesi Sylë Ukshini.
Në këtë akademi është mbajtur edhe një pjesë e muzikës klasike në të cilën nën organizimin e profesoreshës Rina Hamdiu, ku u interpretuan katër pika “Gryka e Kaçanikut” nga kompozitori Pjetër Gaçi, “Baresha” nga kompozitori Rexho Mulliqi, “Besa besë”, kompozuar nga Ilir Shaqiri dhe “Orkestrale”, kompozuar nga Valton Beqiri në dirigjimin e kompozitorit Hajrullah Syla.





