Zgjedhjet që janë mbajtur sot për Këshillat e Studentëve dhe Parlamentin e Studentëve në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, kanë kaluar mirë dhe janë përmbyllur pa asnjë problem. Në zgjedhje kanë marrë pjesë 664 votues ose 25.85% e studentëve me të drejtë vote, të cilët kanë pasur mundësi të votojnë për tri organizata studentore: Rinia Studentore “Kadri Zeka”, Iniciativa studentore “Kadri Zeka” dhe Unioni i Studentëve – Gjilan .
Qendrat e vendvotimit i ka vizituar, menaxhmenti i Universiteti “Kadri Zeka” si dhe përfaqësuesi nga MASHT-it në cilësinë e anëtarit të Kosimionit Zgjedhor, si dhe zyrtar nga KQZ në Gjilan. Ata kanë parë nga afër procesin e votimit, derisa janë shprehur të kënaqur me mënyrën e organizimit dhe mbarëvajtjen e deritashme të zgjedhjeve.
Kryetari i Komisionit Zgjedhor të Zgjedhjeve, Vaxhid Sadriu , njëherësh Sekretar i Përgjithshëm i UKZ-së, tha se procesi ka qenë i rregullt dhe nuk është raportuar për ndonjë parregullsi.
Sipas tij, rezultatet preliminare do të shpallen më 10.05.2021, kurse rezultatet përfundimtare më 11.05.2021, do të bëhet edhe ndarja e mandateve, në proporcion me përqindjen e votave, të cilat i kanë marrë organizatat studentore, për Parlament të Studentëve dhe Këshilla të Studentëve të fakulteteve.
Kryetari i Komisionit Zgjedhor të Zgjedhjeve, Vaxhid Sadriu , njëherësh Sekretar i Përgjithshëm i UKZ-së ka falënderuar studentët, personelin e administratës, anëtarët e KQZ-së, KVV, si dhe të gjithë ata që kanë qenë pjesë e procesit në zgjedhjet e studentëve, duke përfshirë edhe përfaqësuesin e MASHT-it, për angazhimin dhe përkushtimin e tyre, duke bërë që zgjedhjet të kalojnë mirë dhe pa asnjë problem.