Gjilan

U mbyll “Flaka e Janarit 2026”

Me “Gala Mbrëmjen” ku u shpërblyen më të mirët u përmbyll “Flaka e Janarit 2026”

Në përmbyllje të “Flakës së Janarit 2026”, e organizuar nën patronatin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, e nën përkujdesje të Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport, është mbajtur “Gala Mbrëmja” në të cilën janë shpërblyer më të mirët në të gjitha shtyllat e këtij manifestimi.

U.d i drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport, Kushtrim Zeqiri, ka përcjellë fjalën e kryetarit të Komunës së Gjilanit, i cili për arsye objektive nuk ishte i pranishëm në këtë ngjarje.

Ndër tjerash, kryetari Hyseni në fjalën e tij ka thënë:
“Ndërsa jemi mbledhur sonte në këtë Gala Mbrëmje, ne nuk jemi vetëm duke shënuar një datë tjetër në kalendar, por po ndezim edhe një herë atë zjarr që nisi 35 vite më parë. Flaka e Janarit nuk është vetëm një simbolikë poetike; ajo është ADN-ja e lirisë sonë, është drita që lindi nga errësira më e thonjtë e historisë sonë moderne.

Për mbi tri dekada, janari për ne nuk ka qenë vetëm muaji i ftohtë i dimrit, por muaji i ngrohtësisë që buron nga gjaku i derdhur. Sot, në këtë 35-vjetor, ne kujtojmë me përulësi kolosët tanë: Kadri Zekën, Rexhep Malën, Nuhi Berishën, Jusuf e Bardhosh Gërvallën, e deri te rënia heroike e Komandantit Legjendar Adem Jashari që pasoi më vonë.

Ata nuk ranë që ne të vajtojmë, por që ne të jetojmë. Ata e kuptuan se liria nuk dhurohet – ajo fitohet me çmimin më të lartë, dhe ata nuk hezituan ta paguanin atë.

Në këtë mbrëmje festive dhe reflektuese, duhet të pyesim veten: Çfarë po bëjmë ne me lirinë që ata na lanë trashëgim?

Duke mbajtur gjallë “Flakën”, ne sigurojmë që brezat e rinj të dinë se rrënjët e shtetit tonë janë të ujitura me sakrificë.

Ky manifestim që bashkon artin, poezinë dhe muzikën, tregon se pushka e dëshmorit dhe penë e artistit janë dy anët e të njëjtës medalje: dinjitetit kombëtar. Flaka na kujton se përballë idealeve të mëdha, ne jemi një. 35 vite janë sa një jetë njeriu, por në historinë e një kombi, ato janë vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë drejt dritës. Uroj qe kjo natë te shërbej si një zotim se “Flaka e Janarit” do të vazhdojë të digjet në zemrat tona, në këngët tona dhe në themelet e Kosovës sonë të dashur”, thuhet në fjalën e të parit të Gjilanit, Alban Hyseni, të cilën para audiencës së pranishëm në “Gala Mbrëmje”, e solli u.d i drejtorit të DKRS-së, Kushtri Zeqiri.

Përndryshe, “Gala Mbrëmja” ka vazhduar me ndarjen e çmimet për më të mirët, sipas jurive përkatëse.

Për shtyllën ‘’Peneli i Flakës’’, juria në përbërje Ahmet Ibrahimi, Miradije Shahiqi dhe Ragip Ramadani kanë vlerësuar krijimet pjesëmarrëse në kategori përkatëse në konkurs, me sa vijon:
Çmimi për veprën më të mirë në konkursin “Peneli i Flakës 2026” në pikturë – Arianit Lakna. Çmimi për veprën më të mirë pjesëmarrëse në konkursin “Peneli i Flakës 2026” në skulpturë – Selam Kastrati. Derisa, Shoqata e Arteve Pamore në Gjilan, vlerësoi se çmimi kryesor, që është çmimi blerës i Galerisë, t’i jepej artistit, Isa Alimusaj, për pikturën e tij “Profile Dardane”.

Janë ndarë edhe çmimet për më të mirët në artin dramatik “Talia e Flakës”, ku sipas vlerësimit të jurisë profesionale në përbërje: Ali Demi, Tringa Hasani dhe Ilir Bokshi, u dhanë këto çmime:
Çmimi – Aktori më i mirë: Bujar Ahmeti nga shfaqja “Gërrdia”, – Teatri Kombëtar i Kosovës.
Çmimi – Aktorja më e mirë: Edona Reshitaj nga shfaqja “Sytë e Ujkut”, – Integra.
Çmim i- Regjia më e mirë: Agon Miftari për shfaqjen “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës”, Teatri “Adriana”, Ferizaj.
Çmimi – Teksti më i mirë: Jeton Neziraj për shfaqjen “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës”, Teatri “Adriana”, Ferizaj.
Çmimi – Shfaqja më e mirë: Shfaqja “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës”, Teatri “Adriana”, Ferizaj.
Çmimi i vetëm i paraparë për koreografi, skenografi, kostumografi, dizajn të dritave ose kompozim muzikor, iu dha kompozitorit Memli Kelmendi.

U dhanë çmimet edhe për gjëzasajues ku juria në përbërje, Zijadin Hasani, Nexhat Hajrullahu e Enver Hajrullahu, pas kontrollimit dhe poentimit të gjëzave të sajuara përcaktuan këta fitues:
Në fjalëkryq:
Çmimi i parë: Skender Tullumi – 50.8 pikë
Çmimi i dytë: Xhelal Abrashi – 49.8 pikë
Çmimi i tretë ndahet në mes të: Mensur Mamuti dhe Muhamet Halili – me nga 46.8 pikë
Në anagram:
Çmimi i parë: Mensur Mamuti – 28 pikë
Çmimi i dytë: Rexhep Hasani – 26 pikë
Çmimi i tretë: Ekrem Krasniqi – 25 pikë
Në shtyllën e artit letrar, juria në përbërje: Afrim Demiri, Alketa Spahiu dhe Arsim Halili vlerësoi se poetja Blinerë Hajdari me poezinë e saj “Përtej lëkure”, është fituese e çmimit “Pena e Flakës 2026”.

Festivali “Yjet e Flakës”, nuk kishin karakter garues, por nga OJQ “Lyra”, janë ndarë mirënjohje për: Kira Demolli, pjesëmarrësja më e re e festivalit, Aron Musliu, solisti me më së shumti paraqitje në këtë Festival si dhe Alika Ajeti, solistja më e kompletuar e Festivalit.

Festivali “Fest Flaka”, poashtu nuk kishte karakter garues, por AKV “Gjilani”, ndau katër mirënjohje edhe atë për: Ahmet Isufin, si dhe Post Mortem për: Demir Krasniqin, Hamit Aliun dhe Nehat Feratin.

Mirënjohje edhe për ata që ishin pjesë e aktivitetit “Këngët e Jusufit”, ku u nderuan Ylberina Avdyli, Hekuran Bllaca, Mentor Latifi, Blend Arifi, Safete Mustafa Baftiu.

Përndryshe, u dhanë mirënjohje edhe për të gjithë organizatorët e shtyllave të “Flakës së Janarit”, e cila sonte shënoi edhe mbylljen e këtij edicioni, që ishte i 35-ti me radhë.

You Might Also Like