Është ndezur flakadani i Manifestimit Kulturor Mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2026”, duke shënuar hapjen zyrtare të këtij manifestimi tradicional, në kujtim dhe nderim të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit ndër breza.
Hapja e manifestimit u shoqërua me një defile simbolik të të rinjve në qendër të qytetit, ndërsa ceremonia qendrore dhe ndezja simbolike e flakadanit u mbajtën në platonë e Teatrit të Qytetit.
Në ceremoni morën pjesë përfaqësues institucionalë dhe përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, ndërsa programi artistik u pasurua nga Orkestra Frymore “Selman Vokshi”, e cila interpretoi vepra të përzgjedhura të kompozitorëve shqiptarë.
Manifestimi “Flaka e Janarit 2026” do të zhvillohet deri më 31 janar, me aktivitete në katër shtyllat kulturore: arte pamore, letrare, skenike dhe muzikore, duke sjellë në Gjilan artistë dhe artdashës nga mbarë hapësira shqiptare.



