Viti

U përurua muzeu i qytetit të Vitisë

Sot në qendër të qytetit të Vitisë, është bërë përurimi i muzeut komunal. Në këtë ngjarje kulturore ishin prezent kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Milot Lala dhe Alban Morina nga Fondacioni Kosovar për Trashëgimi Kulturore pa Kufij CHëB,.Ky objekt I përuruar sot me një solemnitet rasti do të ndahet në sektorët që janë me artefakte, etnografik dhe të periudhave të ndryshme historike deri të lufta e fundit të Kosovës.
Në fjalën e rastit i pari i kësaj komune, Sokol Haliti ka potencuar se pas Stubllës së Epërme dhe Pozharanit me muze për herë të parë po bëhet edhe qyteti i Vitisë.
Në fjalimin e tij ai ka potencuar edhe rëndësinë që ka ky projekt për banorët e kësaj komune por edhe për të gjithë ata që vizitojnë atë.
“Ky objekt që gjendet në qendër të qytetit do të shërbejë si tregues dhe udhërrëfyes për çdokënd që dëshiron të informohet mbi të kaluarën e vendit tonë, mbi historinë e krenarinë dhe mbi kulturën e vitiasve ndër vite.
Vitia pas muzeut të shkollave të para shqipe në Pozharan dhe Stubëll të Epërme po bëhet edhe më një objekt të tillë në qendër të qytetit të saj. Në këtë objekt do të gjejnë strehën e merituar shumë artefakte dhe gjësende që tregojnë mbi mënyrën e të jetuarit të paraardhësve tanë”, u shpreh Haliti.
Ai gjithashtu theksoi se Vitia si një komunë e lashtë ka një histori të bujshme me artefakte të rëndësishme që gjenden edhe në Muzeun e Kosovës, sikurse Labirinti i Smirës që sipas tij është simbol i lashtësisë së popullit tonë.
E Milot Lala, Drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport falënderoj Bashkimin Evropian për bashkëfinancimin e këtij projekti dhe foli për historikun e kësaj komune dhe lashtësisë së saj. Ai bëri me dije se muzeu do të jetë i hapur dhe do të mirëpres çdo kontribut të secilit për pasurimin e tij me rëndësi të madhe kulturore-historike.
Ai ka falënderuar edhe A.K.V “Kemajl Azizi” në Viti për mbështetjen e vazhdueshme në realizimin e aktivitetet e ndryshme në mesin e tyre edhe për promovimin e sotme të këtij objekti.
Ndërkaq, Alban Morina nga Fondacioni Kosovar për Trashëgimi Kulturore pa Kufij CHëB tha se kjo organizatë është e përkushtuar për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore duke potencuar se pa bashkëpunimin e të gjithëve projekte të tilla nuk mund të realizohen.
Ai shtoj se me punën e palodhshme të secilit është arritur qe ky objekt të shndërrohet në muze komunale të Vitisë. Përndryshe ky projekt është realizuar në kuadër të bashkëpunimit dhe bashkëfinancimit të Bashkimit Evropian dhe Komuna e Vitisë dhe do është implementuar nga Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHëB Kosova) në kuadër të Nismës për bashkëpunim ndërkufitar (MAKS FORUM).  Aziz Zuka

You Might Also Like