Viti

Në fshatin Priboc u mbajt manifestimi i nëntë i Takimeve të Vendlindjes

Tradita e krijuar e mbajtjes së manifestimit, Takimet e Vendlindjes  në Priboc, komuna e Bujanocit, po vazhdon këtu e nëntë vite. 23 korrik 2017, rruga gjarpërore   e  rrëpirë gumëzhinte nga motoçikletat, xhipat automjetet e shumta dhe traktorët të mbushur plot me banorë që ia kishin mësyrë fshatit  Priboc, të  cilët  katër familjet që janë duke jetuar aty i prisnin sot krahëhapur. Bina e improvizuar me rimorkia  traktori, mbante mbishkrimin “Takimet e Vendlindjes –Priboci 2017, ndërsa në dy anët valonte flamuri kombëtar.

Posa arrinin në lëndinën e gjelbëruar, “Te Kisha”, fillonte përshëndetja e ngrohtë e bashkëvendëseve, që disa, tani e nëntë vjet po takoheshin, e disa për herë të parë.

Jehona e lodrës dhe zurnasë shkonte në tërë fshatrat e Bashkësisë lokale të Zarbicës  e më gjerë.

Prveç bashkëvendëseve të shumtë  që kishin ardhur në takim, një nder të veçantë, manifestimit Takimet e Vendlindjes –Priboci 2017 dhe gjithë pribocasve i bënë dy profesor- doktorët, studiuesit, gjuhëtarët dhe krijuesit e njohur: Baftjar Kryeziu  e Faik Shkodra.

Po ashtu  të pranishëm ishin edhe  deputeti popullor Fatmir Hasni; shefi i kabinetit  të kryetarit të komunës së Bujanocit  Rahim Sadiku; Sekretari i Kuvendit Komunal dhe Drejtori i Zyrës për Zhvillim të Bujanocit; Sevdail Hyseni, Ekrem Krasniqi etj.

Po të mos insistonte konferencierja që të fillojmë programin foljor e kulturor, dukej se nuk do të ndalej biseda e vallja e pribocasëve që kishin dalë sot këtu.

Për fillim, në emër të 4 familjeve, të pranishmit i përshëndeti  dhe u urojë mirëseardhje në fshat,  Hamdi Krasniqi.

Më pas para të pranishmëve, për historikun e shkurtër të fshatit  dhe për disa punët të kryera, brenda një viti, foli veprimtari  i Malësisë së Bujanocit, anëtari i Këshillit të Fshatit, bashkëvendësi, Ismet Tafili.  Ai pasi i përshëndeti familjet që janë duke jetuar në fshat,  zyrtarët komunal,  të pranishmit nga fshatrat tjera, ndër të tjera tha: ……..Edhe sot,  sa jemi ne të gëzuar, po vërej se edhe këto familje janë shumë më të gëzuara. Kështu ka qenë gjithmonë te malësorët, kështu ka qenë  traditë të shqiptarët që mikun ta presin me bukë e krip  e armikun me plumb.  Kjo trashëgimi është përcjell brez pas brezi edhe te fshati ynë. Historia tregon se në çdo periudhë këtu janë zhvilluar luftëra për liri. Këtu Matë Hashani me banorët e krejt kësaj Malësie e kishte luftuar Turkun, me pastaj edhe austriakun, kralin e bullgarin etj.

Këtu ishte vija e frontit e luftëtarëve vullnetarë të Molla Idrizit. Fshati ynë jo vetëm me vullnetarë luftëtarë por edhe me ushqim e kishte furnizuar luftën për Mbrojtjen e Kufirit Kombëtar.

Mbarimi i luftës së Dytë Botërore disa burra të fshatit tonë i përfshiu mobilizimi, duke i dërguar drejtë varrit në Tivar, por deshi fati  dhe  ata u kthyen.

Në rrethana të reja ky fshat ka nxjerrë njerëz të ditur. Menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, iu përvesh punës për mbijetesë, por edhe dërgoi djemtë e vajzat për t’u shkolluar. Është për t’u theksuar se, vajza e parë pas LDB që kishte vijuar shkollimin në Malësi, ishte nga fshati ynë. Ishte ajo Fahrije Zahir (Zahë) Sherifi nga Priboci.

Si banorë që dinin shkrim lexim, menjëherë pas luftës u punësuan një numër i konsiderueshëm, atëherë në komunën e Zarbicës,  ndërsa Ajeti  i Muratit ishte kryesori për rrethin  deri në Leskoc. Edhe në vitet 1990 kur filloi formimi i partive shqiptare, Priboci ishte i pari në Bashkësinë Lokale të Zarbicës që formoi degën e PVD-s.

 Edhe lufta e UÇK-së dhe  UÇPMB-së u ndihmua nga banorët e fshatit. Edhe pse ishin të varfër, ata për djemtë e lirisë ndanin kafshatën e gojës. Dhe nuk ndihmuan vetëm me ushqime e veshmbathje, por edhe duke ua dhënë edhe djemtë e saj.

            Po ashtu ai theksoi se nga komuna e Bujanocit, me angazhim të kryetarit Shaip Kamberi, u rafshua rruga dhe u ndihmuna  dy familje të kthyera në fshat: 

Nevzad Abdullahut  dhe Rexhep Hajdinit. Këtyre familjeve u ndihmuan  edhe Ekrem Krasniqi, Këshilli Fshatit  dhe shumë të tjerë.

 Gjithashtu edhe me ndihmën e banorëve të lagjes Sadikaj, posaçërisht të Sali Sopit u rrafshua rruga për këtë lagje, tha Ismet Tafili.

  Takimin  dhe  të pranishmit i përshëndeti edhe deputeti popullor Fatmir Hasani; shefi i kabinetit të kryetarit  të komunës së Bujanocit, Rahim Sadiku; veteran i arsimit  Xhavit Selmani dhe humanisti Shaban Bajrami nga Muhoci.

Me këtë rast, komuna e Bujanocit, për punën e palodhshme, për kontributin  nga fusha e gjuhësisë  dhe letërsisë  dhe për promovimin e vlerave  kulturore  dhe historike të fshatrave të Malësisë së Bujanocit, i ndau mirënjohje profesor doktor  Baftjar Kryeziu. Baftajr Kryeziu përshëndeti  dhe falënderoj komunën, Këshillin e Fshatit, sikurse edhe foli për mikpritjen  që i kishin bërë banorët e fshatit Priboc dhe fshatrave të Malësisë gjatë studimit  së toponimisë e onomastikës së fshatrave të  Hashanisë.

Këshilli i Fshati ndau mirënjohje edhe veprimtarit  dhe humanistit  Shaban Bajrami dhe  bamirësit dhe njeriut i cili ndihmoi familjet e kthyera  Ekrem Krasniqit.

Takimi i vendlindjes, në pjesën e dytë, pati karakter kulturor. Në fillim  Fatlinda Basha me recitimin  prej një aktoreje  të shkëlqyeshme e me emocione i bëri të pranishmit edhe të qajnë.Recituan edhe Elona dhe Erblin Musliu. Më pas të rinjtë garuan në vrapim si  dhe luajtën lojëra popullore si:  tërheqja në litar, vrapimi me thes, gjuajta e pllakave  me shkop etj. Vallet e burrave nën tingujt e lodrës  dhe zurnasë dhe vallet tjera nuk patën të ndalur.

 

You Might Also Like