Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan ka përuruar sot objektin e ri, i cili do të shfrytëzohet për organizimet e Departamentit të Gruas, si dhe për mbajtjen e mësim-besimit nga nxënësit e këtij qyteti.
Në këtë ceremoni i pranishëm qe edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i cili shoqërohej nga bashkëpunëtorët e tij, përfaqësuesit e Këshillit të BI-së së Gjilanit, si dhe përfaqësuesi i shoqatës “Swiss Barakah”, njëherësh bashkëdonatori, Ardian Mehmetaj.
Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, Myftiu Tërnava, ndër të tjera kujtoi rëndësinë e mësimit si porosi e parë hyjnore. Ai tha se fjala e parë e zbritur te Muhamedi a.s., është fjala “Lexo”, çka dëshmon se përmes leximit vije arsimimi, edukimi dhe mësimi. Myftiu Tërnava më pas vazhdoi me porositë për ruajtjen e vetes, vendit dhe familjes, duke kujtuar kështu sakrificën e këtij populli për të arritur këtu ku jemi sot.
Kryetari i Këshillit të BI-së së Gjilanit, Naim ef. Aliu, falënderoi donatorët për përkrahjen e dhënë në këtë projekt, duke treguar më pas edhe për rëndësinë që ka shfrytëzimi i këtij objekti për të mirën e fëmijëve të qytetit.
Përfaqësuesi i “Swiss Barakah”, Ardian Mehmetaj, tha se ndjehet i lumtur që ky objekt do të shfrytezohet si mundësi e artë për mësimnxënie, aty ku edhe fëmijët do të kenë mundësi t’i ndjekin aspiratat e tyre.
Në fund, Myftiu Tërnava, vizitoi edhe nxënësit që vijojnë mësim-besimin në këtë objekt.