Gjilan

E duan Lutfi Hazirin kryetar edhe për një mandat

Ciklin e konferencave me gazetarë të shefave të grupimeve politike që përfaqësohen në asamblenë komunale, të organizuar nga Zyra për Informim, e ka përmbyllur të enjten Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, e cila fillimisht ka thënë se organi më i lart vendimmarrës në nivel lokal, së bashku me trupat e tij ndihmës e ka kryer punën e vetë në mënyrën më të mirë të mundshme, duke marrë vendime në interes të qytetarëve, në 12 seancat e veta të rregullta dhe të jashtëzakonshme, sa i ka mbajtur deri tani.

“Secili anëtar i Kuvendit ka pasur mundësi të barabarta për të marrë fjalën dhe për të paraqitur kërkesa e propozime që kanë qenë me interes për qytetarët e Komunës së Gjilanit. Madje, shpeshherë e kemi anashkaluar edhe rregulloren e punës, për t`i dhënë sa më shumë hapësirë opozitës”, ka thënë Bunjaku-Rexhepi.

Sa i përket propozim-vendimit për ndryshimin e statutit, i cili nuk u procedua në seancën e fundit, edhe pse ishte në rend dite, kryesuesja e Kuvendit sqaroi se opozita kishte treguar gatishmëri për të përkrahur ndryshimet dhe plotësimet në statut, për të rikthyer në kuadër të ekzekutivit dy drejtori – Kulturën, Rininë e Sportin si dhe Inspekcionin, por në momentin e fundit është penguar nga shefat e partisë.

Ndryshimin e qëndrimit të opozitës, në momentin e fundit, pasi e kishte votuar nismën për ndryshimin e statutit dhe pasi ishte deklaruar se do të marrë pjesë edhe në procedurën e miratimit në Kuvend Komunal, ajo e ka cilësuar një lloj tradhtie.

Bunjaku-Rexhepi u shpreh optimiste se në një të ardhme të afërt, opozita do të ndryshojë bindjen dhe do ta votojë statutin. “Nëse nuk ndodh kjo, atëherë qeverisja do të vazhdojë punën kështu siç është, sepse në raport me qytetarët nuk ka asnjë mangësi”, ka thënë ajo, duke sqaruar se rikthimi i dy drejtorive duhet të bëhet për shkak të disa vështirësive të natyrës teknike.

Arsyetimi pse është i nevojshëm ky ndryshim, i kërkuar prej opozitës, është dhënë me kohë dhe në formë të shkruar, ndërkaq organogrami nuk ka mundur të bëhet para se të miratohet statuti dhe të vendoset për rikthimin e këtyre dy drejtorive, ka thënë Valentina Bunjaku-Rexhepi.

“Megjithatë, pavarësisht këtij qëndrimi, raportet tona me opozitën mbeten të mira”, ka thënë ajo, ndërkohë që ka përgënjeshtruar fjalët e disa anëtarëve të Kuvendit për, kinse tërheqjen e opozitës nga procesi i votimit, për shkak të refuzimit të një kushti të tyre.

“PDK e Nisma kanë probleme mes vete për shkak të zgjedhjeve në Drenas”, ka thënë Bunjaku-Rexhepi, duke mohuar të ketë pasur ndonjë kërkesë nga PDK-ja për ta votuar statutin. Për më tepër, ajo ka thënë se LDK-ja nuk hyn në pazar me askënd, sepse i ka votat e veta dhe nuk ka nevojë ta bëjë këtë, por nga opozita kërkon bashkëpunim në çështjet që janë me interes për qytetarët.

Sa i përket LVV, që është ankuar se rekomandimet e tyre nuk janë marrë parasysh, ajo ka thënë se në Kuvend Komunal ka edhe anëtarë të rinj, të cilët nuk i njohin mirë procedurat. Opozita duhet ta kuptojë se një numër rekord i rekomandimeve të saj, sa ka paraqitur LVV, nuk mund të futen si pika të veçanta të rendit të ditës, ka thënë Bunjaku-Rexhepi, duke rikujtuar se në disa raste të tjera, kërkesat e opozitës (PDK-VV), janë pranuar dhe shqyrtuar në Kuvend.

“Nuk është faji ynë, nëse propozimet e opozitës nuk kalojnë, por faji është i tyre që nuk i kanë numrat dhe këta numra mund të fitohen vetëm në zgjedhje”.

Njëherësh, Valentina Bunjaku-Rexhepi ka mohuar që ajo do të jetë kandidate e LDK-së për kryetar Komune në zgjedhjet e ardhshme, duke thënë se personalisht i pëlqejnë sfidat, por jo me Lutfi Hazirin, të cilit do t`i kërkohet që të mbetet në krye të Komunës edhe për një mandat.

“Gjilani ka nevojë për Lutfi Hazirin. Gjilani, asnjëherë në historinë e vetë nuk ka pasur kaq shumë investime sa tani”, ka thënë ajo.

You Might Also Like