Me këngën e mrekullueshme “Rrjedhë në këngë e ligjërime”, të interpretuar nga këngëtarja Elona Sadiku, është hapur ceremonia e promovimit të librit “Derbi Drita – Gjilani”, me autor Dr. Enver Sadiku.
Ky eveniment kulturor-sportiv u përshëndet në emër të Komunës së Gjilanit nga drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Kushtrim Zeqiri, i cili vlerësoi librin si një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin e historisë sportive të qytetit.
Në emër të Federatës së Futbollit të Kosovës, një fjalë përshëndetëse mbajti Armand Misini, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, duke theksuar rëndësinë e veprave të tilla për ruajtjen e trashëgimisë sportive.
Nga SC Gjilani, me një fjalë përshëndetëse dhe domethënëse u paraqit Drilon Sylejmani, ndërsa në emër të KF Drita foli drejtori sportiv, Valon Zymberi.
Për librin nga aspekti shkencor foli dr. Fitim Rifati, redaktor shkencor i veprës, i cili e cilësoi librin si një arritje të lartë dhe vlerë të shtuar, sidomos për nga dimensioni historik dhe profesional, duke ndërlidhur të kaluarën sportive me aktualitetin dhe perspektivën e sportit në Kosovë.
Ndërkaq, nga aspekti sportiv, për librin foli Fehmi Sylejmani, recensent i librit, i cili theksoi se autori, nga perspektiva e shikuesit, ish-lojtarit dhe gazetarit, i ka trajtuar të gjitha derbit me kujdes të veçantë dhe objektivitet të plotë.
Në fund të promovimit, autori i librit, Dr. Enver Sadiku, falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur në çfarëdo forme gjatë realizimit të veprës, si dhe të pranishmit për pjesëmarrjen e madhe dhe interesimin e treguar.
Promovimi u moderua me profesionalizëm nga prof. Tahir Arifi, i cili i dha aktivitetit rrjedhë të natyrshme dhe organizim të denjë.




