Libri

U promovua libri “Kuizi i Gjeografisë në Gjimnazet e Gjilanit dhe të Kamenicës (1987 – 2017), i autorit Safet Rexhepi

Është promovuar libri “Kuizi i Gjeografisë në Gjimnazet e Gjilanit dhe të Kamenicës (1987 – 2017), i autorit Safet Rexhepi, që është një libër i llojit të veçantë dhe shumë i rrallë ndër ne.

Safet Rexhepi, profesor i gjeografisë fillimisht në gjimnazin e Kamenicës e më pas edhe në Gjimnazet “Zenel Hajdini” dhe “Xhavit Ahmeti” për tri dekada me radhë ka mbajtur traditën e mbajtjes së kuizeve të diturisë nga lënda e gjeografisë dhe tashti të gjithë ato ngjarje të diturisë i ka përmbledhur në një libër.

Leonora Morina – Bunjaku, nënkryetare  e komunës së Gjilanit dhe për një kohë kolege e autorit, ka përgëzuar profesorin Safet Rexhepi për librin, duke thënë se përgjatë viteve që ai ka punuar në arsim ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në arsim. Ajo ka kërkuar nga profesori Safet që të vazhdojë të kontribuoj e për punën që ka bërë komuniteti i është mirënjohës.

Në promovimin e këtij libri, prof. dr. Tefik Basha në cilësinë e redaktorit, ka thënë se profesor Safet Rexhepi ka gjetur një formë shumë joshëse në zgjerimin e diturive për lëndën e gjeografisë, duke organizuar gara dhe nëpërmjet kuizeve mëtoi të ngjallte dashurinë tek nxënësit për njohjen e gjeografisë. Autori i librit, Safet Rexhepi përpiqej që të nxiste nxënësit që ata të thellojnë njohuritë dhe të shtojnë interesimin për njohuri të reja nga të gjitha degët e gjeografisë.

Ai është rikthyer në kohë, duke bërë me dije se disa herë në rolin e jurisë profesionale kishte bërë vlerësimin e garuesve. Ky libër është shumë i çmuar, ngase në të ka shumë të dhëna, ai është një udhërrëfyes i mrekullueshëm. Në të autori paraqet numrin e kuizeve të mbajtura, pjesëmarrësit me emër e mbiemër, kohët kur janë mbajtur kuizet, vendet, shkollat, pyetjet dhe fakte të tjera me rëndësi. Libri paraqet një realitet, pyetje që shtojnë motivimin e nxënësve, libër që është përgatitur me kujdes. Autori ka qenë i vetëdijshëm se futja e frymës garuese e shton interesimin për mësim.

“Ky publikim i rrallë do të shërbejë si nxitje dhe motiv edhe për autorët tjerë”, ka thënë prof. dr. Tefik Basha.

Recensenti i këtij libri prof. dr. Ing. Vahdet Pruthi, ka thënë se autori i këtij libri paraqet qëllimin dhe rëndësinë e organizimit të garës së kuizit, si njëra nga mënyrat e suksesshme për motivimin e nxënësve në plotësimin dhe thellimin e njohurive nga fusha e gjeografisë. Edhe recenesentja tjetër Albina Idrizi, ka thënë se faqet e këtij libri ofrojnë një pasqyrë njohjeje të profesorit Safet, punës së tij përkushtuese përgjatë 40 viteve të mësimdhënies së tij. 33 finale të kuizit dhe 61 kuize me karakter eliminimi nga lënda e gjeografisë më treguan se edhe në mundësitë më të vogla mund të gjenden mënyrat për të stimuluar dhe motivuar nxënësit në zhvillimin dhe thellimin e njohurive qofshin këto edhe me karakter garues.

Shefik Kastrati, ish-nxënës dhe pjesëmarrës në kuiz, ka thënë se  ka qenë kënaqësi të marrësh pjesë në kuizet e organizuara nga profesori Safet Rexhepi. Ai ka thënë se ishte kënaqësi gjithashtu lënda e gjeografisë, kishte garë të fortë në mes të klasave, ngase aty merrnin pjesë nxënësit më të mirë dhe krejt kjo kënaqësi përfundoi kur profesori Safet Rexhepi kaloi të jap mësim në Gjilan.

Ismajl Kurteshi, këshilltar komunal në Gjilan dhe ish-drejtor në DKA, ka thënë se profesori Safet gjithnjë ka qenë i veçantë, andaj edhe ka bërë një libër të tillë. Ai ka kujtuar vitet e 90-ta kur kishin punuar bashkë në gjimnaz, kur mësimi mbahej në Shkollën Fillore “Selami Hallaqi” në katër turne dhe shtatë ditë në javë, kushtet ishin shumë të vështira në atë kohë, por kishte një dëshirë të madhe për mësim. Punëtorët gjithnjë gjejnë mënyra e kohë për aktivitete e profesori Safet është shembull se gjindet mënyra për të punuar. Ai shumë motivues për nxënësit, andaj librin e tij kemi dy arsye që t’a lexojmë, që t’a mësojmë materien dhe që mësimdhënësit që janë aktivë që të motivohen dhe t’a kuptojnë se pos orëve të mësimit duhet të bëjnë edhe më shumë për nxënësit.

Autori i librit Safet Rexhepi, ka thënë se ky libër është produkt i përpjekjeve të tija për më shumë rezultate, qëllimi i kuizve ishte që nxënësit të përfitojnë njohuri të reja e gjeografia është lëndë atraktive për nxënësit, andaj nxitja a garës është shumë me rëndësi ajo nxit nxënësit e klasat që të dalin sa më mirë në gara.

“Gjatë 25 viteve të garave janë mbajtur 33 finale dhe 61 kuize të tjera me karakter eliminimi”, ka thënë profesori Safet, që ka treguar kronologjinë e këtyre kvizeve që nga viti 1987 e që kishte ndodhur që në disa raste të mos mbahet shkaku i përzënies se nxënësve shqiptar nga shkollat nga regjimi serb, tërmeti në Gjilan apo edhe ndonjë rrethanë tjetër.

Profesori Safet, gjithnjë pedant, ka ruajtur shënimet përgjatë viteve dhe tash të gjitha ato i ka përmbledhur në libër e nxënësit që ishin pjesëmarrës në kuiz sot janë specialistë në lëmenj të ndryshëm, andaj ai ka falënderuar të gjithë ata që në çfarëdo mënyre kanë kontribuuar në daljen në ditë të këtij libri./kryelajmi.com/.

You Might Also Like