ARSIMI

UKZ shembull i mirë i arsimit të lartë në Kosovë

Është mbajtur në Prishtinë takimi i parë i nivelit të lartë dedikuar arsimit. Në këtë takim, përpos kryeministrit të Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj dhe Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, kanë marrë pjesë Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan Bajram Kosumi, rektorët e Universiteteve tjera Publike në Kosovë, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Nexhat Daci, drejtues të Arsimit në nivele Komunale, përfaqësues të SBASHK-ut, drejtues Institucionesh arsimore dhe ekspert të ndryshëm të kësaj fushe.

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje për mobilizim të gjithë akterëve të kësaj fushe për përmirësimin e gjendjes në të gjitha nivelet.

Kryeministri Haradinaj, duke folur për gjendjen në arsimin e lartë dhe të metat e përparësitë e tij, tha se: “kam qenë në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan dhe jam shumë i kënaqur me ato që kam parë atje”, derisa ka përgëzuar rektorin Bajram Kosumi për të arriturat.

Po ashtu, edhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, akademik Nexhat Daci tha se Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan është një shembull shumë i mirë se si duhet të zhvillohet universiteti.”

Ndërkaq Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka bërë një përshkrim të gjendjes në sistemin arsimor, duke përmendur edhe Planin Strategjik të Arsimit në Kosovë 2017-2021.

Me këtë rast, ministri Bytyqi tha se duhet një bashkërendim i veprimeve të të gjithë akterëve, sepse çështja e arsimit është tema më e rëndësishme nacionale, andaj edhe zgjidhja duhet të jetë nacionale.

Kryeministri Haradinaj, duke parë rëndësinë që çështjet e Arsimit të kenë adresim të veçantë, propozoi që takime të kësaj natyre, të mbahen çdo muaj, në mënyrë që të arrihet gjetja e ngecjeve dhe zgjidhjeve për problemet në sistemin arsimor të vendit.

You Might Also Like