Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka mbajtur ceremoninë solemne të ndarjes së titullit të lartë akademik “Doctor Honoris Causa” për z. Bernd Ulrich Nestle, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e sistemit shëndetësor dhe në mbështetjen e pacientëve në Republikën e Kosovës, si dhe për përkushtimin ndaj zhvillimit arsimor dhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë

Fillimisht, z. Bernd Ulrich Nestle u prit nga Rektori Dërmaku dhe stafi i tij. Ai u shoqërua në ambientet e Rektoratit, ku u nënshkrua në Librin Amë të Universitetit, një akt simbolik që i parapriu ceremonisë zyrtare të nderimit.


Në hapje të ceremonisë, pas intonimit të Himnit të Kosovës, Himnit Kombëtar dhe Himnit të Gjermanisë, Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, theksoi rëndësinë e këtij vlerësimi për institucionin dhe shoqërinë. Ai u shpreh se kjo është një ditë e veçantë për universitetin, pasi nderohet një personalitet që përfaqëson vlera të larta humanitare dhe profesionale.

“Sot është një ditë e veçantë për Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, një ditë në të cilën ne jo vetëm nderojmë një personalitet të shquar, por edhe afirmojmë vlerat mbi të cilat ndërtohet misioni ynë akademik dhe shoqëror. Z. Bernd Ulrich Nestle përfaqëson shembullin e rrallë të bashkimit të shkencës me humanizmin, duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në sistemin shëndetësor të Kosovës dhe në mbështetjen e pacientëve,” u shpreh Rektori. Ai gjithashtu vlerësoi rolin e Nestle në forcimin e bashkëpunimit Kosovë–Gjermani dhe në zhvillimin e arsimit dhe kapitalit njerëzor.

Fjala e Rektorit Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku
Në vazhdim të ceremonisë, fjalë rasti mbajti Rektorja e IBCM-së, znj. Mihane Kerolli, e cila vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit akademik dhe ndërinstitucional dhe theksoi se figura të tilla kontribuojnë në ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë në Kosovë.


Më pas, kryetari i Bordit Këshillëdhënës Industrial në universitet, z. Ibrahim Krivaqa, u drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti, duke vlerësuar kontributin e laureatit në fushën e shëndetësisë dhe në mbështetjen e iniciativave zhvillimore dhe profesionale në vend.

Në vijim, Laudatori i ceremonisë, Prof. Dr. Dukagjin Leka, prezantoi veprimtarinë profesionale dhe humanitare të z. Nestle, duke theksuar angazhimin e tij shumëvjeçar në përmirësimin e sistemit farmaceutik dhe shëndetësor në Kosovë, si dhe rolin e tij në ndërtimin e urave të bashkëpunimit me institucionet gjermane dhe evropiane.

Më pas, Prorektorja për Mësimdhënie dhe Çështjeve të Studentëve, Hulumtime dhe Kërkime Shkencore, Porf. Ass. Dr. Lindita Loku Nikqi , lexoi vendimin e Senatit të Universitetit Publik “Kadri Zeka” për ndarjen e titullit “Doctor Honoris Causa” për z. Bernd Ulrich Nestle.

Në pjesën solemne të ceremonisë, të shoqëruar nga himni akademik “Gaudeamus”, Rektori i Universitetit i dorëzoi z. Nestle diplomën e titullit “Doctor Honoris Causa”, të cilën ai e pranoi me mirënjohje të thellë, nën duartrokitjet e të pranishmëve.

Në vijim, z. Bernd Ulrich Nestle mbajti fjalën e tij si laureat, duke shprehur falënderime të sinqerta për nderimin dhe duke ndarë kujtime personale mbi lidhjen e tij me Kosovën, si dhe përkushtimin për të vazhduar bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe shkëmbimeve ndërinstitucionale. Ai theksoi se angazhimi i tij me Kosovën nuk është vetëm profesional, por edhe thellësisht njerëzor, duke vlerësuar vendin dhe njerëzit e tij si burim frymëzimi dhe motivimi të vazhdueshëm.


Pas ceremonisë së ndarjes së titullit, programi vazhdoi me një interpretim artistik nga solistja Eliesa Bajrami, e shoqëruar nga korepetitori prof. Xhentian Jetishi, të cilët interpretuan veprat “Këngët e vendit tim” dhe “Moj e bukura More”.

Ceremonia u përmbyll me urimet për laureatin, duke vlerësuar këtë Ceremoni të rëndësishme për Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan dhe për bashkëpunimin akademik dhe humanitar ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.




