Në dinamikën e shpeshtë të ndryshimeve në futbollin kosovar, stabiliteti është çelësi i suksesit. Valon Zymberi, drejtori sportiv i FC Dritës, tashmë është konfirmuar si drejtuesi më jetëgjatë dhe më i suksesshëm në Superligën e Kosovës, duke udhëhequr klubin drejt rezultateve historike.
Që nga marrja e detyrës zyrtare më 1 korrik 2018, Zymberi nuk është ndalur për asnjë moment. Me një punë konsistente në menaxhimin e afrimeve dhe largimeve të lojtarëve, detyrë kyçe e një drejtori sportiv, ai ka arritur suksese që për shumë klube mbeten vetëm ëndërr.
Periudha e Zymberit në krye të menaxhimit sportiv përkthehet në statistika konkrete. Brenda tetë viteve të fundit, nën menaxhimin e tij dhe stafit drejtues, FC Drita është stolisur me: 2 Tituj të Kampionit të Kosovës e 2 Superkupa të Kosovës.
Zymberi ia atribuon këtë transformim rrënjësor ndryshimeve në kryesinë e klubit që ndodhën një dekadë më parë.
“Me ardhjen e tre njerëzve të mëdhenj në FC Drita në vitin 2016, Valon Murseli, Flamur Bunjaku dhe Feti Murseli, klubi ka kaluar në një nivel tjetër në futbollin e Kosovës. Brenda tetë viteve kemi arritur të shpallemi dy herë kampion, të fitojmë dy Superkupa dhe te kualifikohemi ne grupet e “Conference League”. Kjo është arritje e jashtëzakonshme,” shprehet Zymberi.
Përveç dominimit vendor, FC Drita është kthyer në “ambasadore” të futbollit kosovar në Europë. Drejtori sportiv ka shijuar plot 39 ndeshje ndërkombëtare me klubin gjilanas.
Nga këto përballje, vetëm një ndeshje (ajo kundër Linfield) u humb me rezultat zyrtar për shkak të rregullave strikte gjatë pandemisë COVID-19, kur ekipi nuk u lejua të zbriste në fushë.
“T’i zhvillosh për tetë vite 39 ndeshje ndërkombëtare, mendoj se statistikat flasin vetë. Kemi arritur rezultate impresive duke përfaqësuar futbollin e Kosovës në mënyrën më të mirë. Gjithë ky sukses është meritë e kryetarëve tanë, stafit të FC Dritës, tifozëve ‘Intelektualët’ dhe gjithë futbollistëve që kanë djersitur fanellën në këto ndeshje,” thekson Zymberi.
Një nga pikat më të forta të FC Dritës, që e dallon nga shumë klube të tjera në Kosovë, është korrektësia. Sipas Zymberit, kapitulli i problemeve me lojtarë apo trajnerë është mbyllur përfundimisht para 10 viteve, me ardhjen e presidentëve Murseli dhe Bunjaku.
“Tani e 10 vite, as problemi më i vogël i kësaj natyre nuk ekziston në klubin tonë. Tek ne, secili person i ka detyrat e tij të cilat kryhen me precizitet tejet të madh. Për këtë jam shumë krenar me gjithë stafin dhe futbollistët e FC Dritës,” shton ai.
Përkundër sukseseve të arritura, uria për trofe te “Intelektualët” nuk është shuar. Zymberi bën të ditur se aspiratat mbeten maksimale: Titulli, Kupa dhe Superkupa.
“Njerëzit që po e mbajnë gjallë klubin dhe po vendosin histori nuk do të ndalen. Përkundrazi, çdo vit kërkojmë rezultate edhe më të mëdha me projektet që kemi brenda klubit,” përfundon Zymberi.
Në mbyllje, drejtori sportiv ia dedikon të gjitha arritjet, titujt dhe Superkupën, qytetit të Gjilanit, tifozerisë besnike “Intelektualët” dhe të gjithë atyre që ndihmojnë në rrugëtimin e FC Dritës.




