Futboll

Vazhdon shkëlqimi i Dritës

 

Më mirë se Drita askush nuk e ka nisur kampionatin. Dy fitore nga dy ndeshje, ky është bilanci i djelmoshave të Ardijan Nuhiut, që këtë të diele kanë mposhtur ekipin e Feroniklit, edhe atë si mysafir.

Në pjesëlojën e parë më të mirë ishin vendasit, të cilët udhëhoqën me rezultat 1:0 pas një goli të shënuar nga gabimi i portierit Faton  Maloku, gjë të cilën e ka shfrytëzuar më së miri Mendurim Hoti, që ka realizuar në portën e zbraztë.

Pjesëloja e dytë ishte krejt ndryshe. Atë tërësisht e ka dominuar Drita, që ia ka dalë të barazojë në minutën 52, kur pas një harkimi të Vucajt nga e djathta, Astrit Fazliu u përvodh dhe me kokë mbi duart e Abdylit e futi topin në rrjetë.

Më vonë, Drita ka shënuar edhe një herë, sërish nga harkimi. Në minutën 68, Rexha qëlloi topin me kokë e ai u përplas për shtylle, por sërish vrapoi Rexha dhe herën e dytë e qëlloi topin me këmbë, për ta përplasur në rrjetë.

Feronikli pati rast të mirë të barazojë nëpërmjet Bedrii Grecës, por portieri Faton Maloku ka qenë në nivel të detyrës, duke shpëtuar gol të sigurt.

You Might Also Like