Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të studiuesit letrar, poetit, prozatorit dhe veprimtarit të shquar të kulturës, Sherafedin Kadriu.
I ndjeri Sherafedin Kadriu la pas një trashëgimi të çmuar në fushën e letërsisë shqiptare dhe të trashëgimisë kulturore, duke dhënë kontribut të vazhdueshëm si studiues i përkushtuar, si dhe së fundmi si pjesë e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan.
Kontributi i tij shtrihet edhe në arsim, ku si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe edukoi dhe frymëzoi breza të tërë nxënësish. Ai do të kujtohet gjithashtu si veprimtar i angazhuar shoqëror e politik, si dhe si njeri me vlera të larta humane, me angazhim të veçantë edhe në kuadër të SHHB “Nënë Tereza”.
Sherafedin Kadriu do të mbetet në kujtesën tonë si një organizator i palodhur i jetës kulturore dhe si një figurë frymëzuese për shumë krijues të rinj, të cilët i mbështeti dhe i orientoi në rrugëtimin e tyre artistik e letrar.
Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Kadriu, miqve, bashkëpunëtorëve dhe gjithë komunitetit kulturor për këtë humbje të madhe.
Për kohën dhe vendin e varrimit, familja do të njoftojë me kohë.





