Të jesh i suksesshëm në shkollë dhe në sport njëkohësisht kërkon shumë angazhim, por për dy vëllezërit nga Gjilani, Deon (17 vjeç) dhe Nor Latifaj (15 vjeç), kjo është bërë pjesë e përditshmërisë. Ata vijnë nga një familje me të kaluar të pasur sportive, pasi nëna e tyre, Filloreta Ismajli-Latifaj, ka qenë një nga hendbollistet më të mira të KH “Drita” dhe hendbollit kosovar, ndërsa tani është profesoreshë e gjuhës angleze.
Pavarësisht angazhimeve në sport, shkolla mbetet një prioritet. Deoni vijon mësimet në Shkollën e Mesme Teknike, ndërsa Nori në Shkollën Fillore “Thimi Mitko”, që të dy të dalluar si nxënës shembullorë.
Ajo që i veçon vëllezërit Latifaj është se ata luajnë për dy klubet rivale të qytetit. Deoni është pjesë e SC “Gjilani” dhe mbron ngjyrat “bardh e kuq”, ndërsa Nori luan për FC “Drita”. Megjithatë, ata ndajnë të njëjtin qëllim:
“Krahas obligimeve shkollore, jemi të dashuruar pas futbollit. Na jep kënaqësi dhe duam të bëjmë karrierë, duke kontribuar për rezultatet e klubeve ku luajmë,” theksojnë vëllezërit.
Nori, i cili është tifoz i Real Madridit, ka treguar tashmë aftësitë e tij si lider. Së fundmi, si kapiten i skuadrës së shkollës së tij, ai fitoi vendin e parë në garat e Nivelit Komunal të sportit shkollor.
“Ka qenë një turne i mirë me shumë shkolla të komunës së Gjilanit. Së bashku me bashkëlojtarët arritëm të shpallemi kampionë dhe për këtë falënderoj arsimtarin e edukatës fizike, Shpend Sylejmani, i cili na udhëhoqi drejt titullit,” thotë Nori. Ai shton se edhe në klubin FC Drita ka trajnerë e shokë skuadre të mirë, me të cilët synon të arrijë suksese të reja.
Nga ana tjetër, 17-vjeçari Deon, tifoz i Liverpoolit, po zhvillohet me hapa të sigurt te SC Gjilani dhe ka synime të qarta për të ardhmen e tij në futboll.
“Të jesh pjesë e SC Gjilanit është nder, pasi është një klub shumë i organizuar dhe me trajnerë cilësorë. Po punojmë çdo ditë e më shumë për ngjyrat e klubit. Dua që gjatë karrierës sime të lë gjurmë në futboll, të gëzoj tifozët me lojën time dhe të kontribuoj për rezultate pozitive të skuadrës,” thekson Deoni.
Të dy vëllezërit Latifaj janë një shembull i mirë për bashkëmoshatarët e tyre. Shkollat ku ata mësojnë dhe klubet ku luajnë, FC Drita dhe SC Gjilani, kanë arsye të jenë krenarë që kanë në radhët e tyre dy të rinj kaq të përkushtuar ndaj dijes dhe sportit.




