Futboll

Gjilani është përpjekur për mbarëvajtjen e ndeshjes me Lirinë

Kryesia e KF Gjilani ka dalë me një komunikatë pas ndeshjes Gjilani – Liria e zhvilluar më datë 08.03.2017 në Gjilan.

Në këtë komunikatë thuhet: “KF Gjilani kishte marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e këtij takimi duke e pritur dhe akomoduar ekipin mysafir. Rreth minutës së 20-t të ndeshjes lojtari Gëzim Rusi gjatë një dueli në zonën e ekipit kundërshtar e lëndon pa qellim një lojtar kundërshtar. Kontakti mes lojtarit të Gjilanit dhe atij të Lirisë ka qenë pa dashje dhe pa asnjë qellim të dëmtimit të tij. Lojtari i lënduar i Lirisë është dërguar në Spitalin Rajonal të Gjilanit dhe anëtar të Kryesisë së KF Gjilani e kanë vizituar atë dhe në bashkëpunim me stafin mjekësor janë përkujdesur për ti ofruar çfarëdo lloj ndihme. Me këtë rast Gjyqtari kryesor i ndeshjes, pasi i është dhënë ndihma mjekësore lojtarit të lënduar të Lirisë e ka ndëshkuar me katron të kuq Gëzim Rusin. Kjo është e tëra sa i përket incidentit në Gjilan, pra ka qenë një ndërhyrje e paqëllimshme e Gëzim Rusit për të cilën ai është ndëshkuar. Sa i përket pretendimeve të KF Liria se nuk janë pritur mirë në Gjilan dhe se ka pasur edhe incidente të tjera, ne duam ta njoftojmë opinionin se këto pretendime nuk qëndrojnë. Gjatë tërë takimit Polica e Kosovës në Gjilan si dhe Sigurimi Privat kanë ofruar siguri të mjaftueshme për të gjithë pjesëmarrësit në këtë ndeshje. Nuk qëndron fakti se ndokush është sulmuar me shufra metalike dhe besojmë se për këtë çështje edhe Policia e Kosovës do të del me raport zyrtar. Sa i përket dëmtimit të Autobusit te KF Liria e njoftojmë opinionin se autobusi është gjuajtur nga jashtë stadiumit dhe menjëherë kanë reaguar Policia e Kosovës, Sigurimi Privat si dhe anëtaret e kryesisë së KF Gjilani me çka është evituar ky incident. Më të përfunduar ndeshja janë marrë masa që ekipi mysafir të përcillet deri në dalje të qytetit për të evituar ndonjë incident eventual. Përkundër faktit se në ndeshjen e sezonës së kaluar të zhvilluar në mes këtyre dy klubeve në Prizren kanë ndodhur disa incidente ku janë lënduar dhe ndëshkuar lojtarët e KF Gjilanit, ne si kryesi e re e KF Gjilani i dënojmë të gjitha aktet sa do të vogla të cilat ndikojnë në prishjen e raporteve tradicionalisht të mira në mes këtyre dy klubeve dhe jemi të gatshëm që në çdo kohë të takohemi me përfaqësuesit e KF Liria për ti diskutuar të gjitha çështjet e hapura. Lojtarit të lënduar të KF Liria i dëshirojmë shërim sa më të shpejt duke i ofruar mbështetjen tonë për çdo gjë”.

You Might Also Like