Drita është djersitur shumë për të shënuar fitore përballë Drenicës, e cila i ka bërë rezistencë të fortë ekipit bardh e kaltër.
Në një ndeshje me shumë raste, ndeshjen e ka dominuar ekipi vendas, por pa ia dalë që të shënojë.
Kanë qenë Vucaj e Simonovski që kanë patur raste të mira për të shënuar në pjesën e parë, kurse edhe Drenica i pati rastet e veta nëpërmjet Ukës dhe Velqit, por që pjesa e parë u mbyll me rezultat të bardhë.
Në pjesëlojën e dytë Drita edhe më me ngulm e ka kërkuar golin e fitores, por deri te ai gol u desh që të pritet shumë.
Në minutën 55, Astrit Fazliu pati një rast shumë të mirë e një të tillë e pati edhe Limani, por portieri i Drenicës Kolshi ishte shumë i vëmendshëm. Lojtarët e Drenicës ia kanë dalë që të bllokojnë edhe goditjen e Namanit, por jo edhe atë të minutës 89, kur nga afërsia ka shënuar Simonovski. Në fakt u mendua se më herët pati një pozitë jashtë loje, por një gjë të tillë nuk e konstatoi sistemi VAR, andaj doli se goli ishte i rregullt dhe Drita ngadhënjeu me rezultat 1:0.