Futboll

Gjilani fiton me përmbysje

Gjilani i është hakmarrë ekipit të Ulpianës, duke e mundur me rezultat 2:1, ngase kishte qenë ky ekip, i cili deri më tashti ia ka shkaktuar humbjen e vetme ekipit kuq e bardhë.

U duk se edhe kësaj here Ulpiana do t’i shkaktojë telashe ekipit të Gjilanit, ngase ekipi nga Lipjani ia kishte dalë që të shënojë në pjesëlojën e parë në minutën 24. Në fakt Egzon Qerimi me një gjuajtje të mrekullueshme ia ka dalë që të qëllojë këndin e poshtëm të majtë. Deri në fund të pjesës së parë, Gjilani tentoi që të barazojë rezultatin, por pa e arritur një gjë të tillë.

Në pjesëlojën e dytë, Gjilani ka përmirësuar lojën, duke sjellë edhe freski në repartin sulmues. Kështu pas një mbizotërimi të madh në fushë, Gjilani ia ka dalë që të barazojë nëpërmjet Dabiqajt, që pas një aksioni të gjatë shtatlarti gjilanas ia doli që të shënojë me kokë. Gjilani ka mundur të pësojë gol edhe në minutën 82, kur pas një gjuajtje shumë të bukur, Rrezi e qëlloi tërthorësen.

Vendimatar në këtë ndeshje edhe një herë ishte Gerhard Progni, i cili ia ka dalë të shënojë një gol të mrekullueshëm nga gjuajtja e lirë. Sulmuesi gjilanas kësaj here gjuajti nga ana e majtë dhe topin e fërfëlloi mu afër shtyllës së majtë për rezultatin 1:2, që doli të ishte vendimtar.

You Might Also Like