Gjilan, 24 dhjetor 2021 – Është vënë të premten gurthemeli i xhamisë së re në fshatin Uglar të Gjilanit, në ceremoninë ku mori pjesë kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, myftiu i Republikës, Naim Tërnava, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim Aliu, e mysafirë të shumtë.
Kreu i Gjilanit, Alban Hyseni, pasi uroi banorët për fillimin e xhamisë, ka konfirmuar thellimin e bashkëpunimit në mes institucioneve të Komunës dhe Këshillit të Bashkësisë Islame.
“Është gurthemeli i njërës prej shtëpive të Zotit që praktikisht secilit besimtar këtu i krijon mundësi e kushte më të mira e të dinjitetshme për praktikimin e besimit. Për mua si kryetar është shumë me rëndësi që ta thellojmë bashkëpunimin e Komunës me Këshillin e Bashkësisë Islame. Zotohem se do të jem i hapur dhe i gatshëm që të shërbejmë në të mirë të qytetarëve dhe të jemi në dispozicion të Bashkësisë Islame për çdo nevojë e projekt. Urime e ta gëzoni xhaminë”, ka thënë kryetari Hyseni.
Ai tha se përmes Bashkësisë Islame ne arrijmë të përçojmë mesazhe të paqes, të tolerancës e të respektit të ndërsjelltë.
Në këtë ngjarje mesazhet e tyre i kanë dhënë edhe myftiu i Republikës, Naim Tërnava, kryetari i KBI-së në Gjilan, Naim Aliu dhe imami i xhamisë së fshatit Uglar, Burhan Zejnullahu, të cilët kanë kërkuar nga njerëzit e vullnetit të mirë që të ndihmojnë për përfundimin sa më të shpejt të kësaj xhamie.