Kanë kaluar 31 vite që nga dita kur gazeta e vetme sportive e asaj kohe, “Top Sport”, e shpalli Naser Ajetin si futbollistin më të mirë në Kosovë. Në një epokë kur sporti ishte kthyer në një formë të pastër të rezistencës kombëtare, Ajeti mbetet një nga emrat më të ndritur që mbajti gjallë frymën e futbollit kosovar.
Atë vit, Ajeti e ndau këtë vlerësim prestigjioz së bashku me emra të tjerë të mëdhenj të gjeneratës së sakrificës, si Afrim Toverlani (KF Prishtina), Nehari Tosja (KF Liria) dhe Sabedin Peci (KF Minatori ’89).
Viti 1995 shënoi një kthesë në karrierën e Ajetit. Pasi kishte mbrojtur me sukses ngjyrat e KF Dritës, me t’u formuar klubi i ri “KF Gjilani” në po atë vit, ai vendosi të kalojë tek ky ekip, i cili në atë kohë garonte në grupin e Ferizajt. Me këtë lëvizje, Ajeti hyri në histori si futbollisti i parë i KF Gjilanit që arrin të marrë primatin e më të mirit në Kosovë, duke lartësuar emrin e klubit të sapoformuar.
Periudha në të cilën Ajeti dhe bashkëkohësit e tij luajtën nuk ishte thjesht një garë sportive, por një organizim paralel që kundërshtonte ashpër okupimin serb. Aktivitetet zhvilloheshin jashtë stadiumeve të uzurpuara, shpesh në kushte ekstreme dhe nën kërcënimin e vazhdueshëm të dhunës.
Sot, pas më shumë se tre dekadash, Naser Ajeti kujton me emocion dhe krenari ato momente: “Ishin kohëra të vështira, ishim nën sundimin e pushtetit serb. Na larguan nga fushat e futbollit dhe u detyruam të luanim në ara e livadhe. Shumë futbollistë u rrahën e u maltretuan, pasi ne kishim bërë një pushtet paralel. Ishin kohëra të lavdishme. Jam shumë krenar që qoftë edhe vetëm një pikë djerse e imja të ketë ndikuar për të mirën e futbollit të Kosovës.”
Naser Ajeti la gjurmë të pashlyeshme në futbollin kosovar me një karrierë të gjatë prej 17 vitesh si futbollist aktiv. Megjithatë, misioni i tij për sportin nuk përfundoi me varjen e këpucëve në gozhdë.

Për 6 vite, ai shërbeu si anëtar i Komitetit Ekzekutiv në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK). Në këtë rol, ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në periudhën e tranzicionit dhe ndërkombëtarizimit të futbollit tonë, ku pati mundësinë të takohej dhe të punonte me personalitete të larta të futbollit botëror, përfshirë edhe krerët e FIFA-s dhe UEFA-s.



