Shkruan: Mehmetali Rexhepi
Më erdhi mirë shkuarja e drejtuar nga agjenda e Presidentit të Shqipërisë për ta vizituar Shtëpinë e sypatremburit atdhetar, heroit të epopesë së Kodrës së Trimave Rexhep Malës! Ishte një veprim simbolik mjaftë domethënës, një lloj pelegrinazhi që nuk duhej t`iu mungonte asnjë udhëheqësi të lartë shqiptar, qoftë nga Shqipëria e hapësirës londineze, qoftë nga një pjesë e saj, e Dardanisë, të cilën po e quajmë Republikë e Kosovës! Por, vizita e Presidentit Bajram Begaj kishte peshë të veçantë për ta rikthyer në vëmendjen historike peshën e veprimtarëve si Rexhep Mala e Nuhi Berisha!
Me të drejtë Ismet Sylejmani shqiptoi zëshëm nderimin që iu bë heronjve Rexhep Mala e Nuhi Berisha nga vizita e Presidentit duke vajtur në Shtëpinë e burrit të madhërishëm, babait të Rexhës Mehmet Malës. Për mua si shok i Epit, që të dy gjimnazistë, kishte peshë oda, ku dhe kur mblidheshim me Nijaziun (Korça), Hilmiun (Ramadani), Nijazi Musmuratin… Aty shtronim të vetmën temë madhore, aq sa dinim e sa mundnim, temën e atdheut të robëruar… Rexha fliste pak sepse ai mëtonte t`i fliste veprimi konkret, veprimtaria ilegale e gjysmë ilegale, madje dhe legale konkrete.
Më dhemb kur anashkalohen në përvjetorët e tyre figurat e madhërishme, si Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Adem Demaçi e Metush Krasniqi dhe të tjerë të bëmave atdhetare. Këta janë historia jonë më e re. Përse në Gjilan të mos dinë brezat e rinj, nxënësit e shkollave të cikleve parauniversitare për prijësit e qëndresës së paepur, së paku t`u shënohen përvjetorët, t`iu dihen shtëpitë që të lartpërmendurit fare pak i gëzuan…
Në këso ethesh të zotërimeve gjeopolitike, të rreziqeve nga ruso-serbët atdhetaria duhet të jetë strumbullari ynë përbashkues! Nuk duhet ta humbim busullën e orientimit kombëtar në mjegullën e pacifizmit islamik. Nuk guxojmë ta nxjerrim fenë para kombit, para interesave kombëtare, do të ishte e pafalshme!