OPINION

Idriz Seferi në shtypin francez


 

  Enver Sadiku –

 

Gjatë kryengritjeve shqiptare të viteve 1910 – 1912 gazetat evropiane rregullisht njoftonin opinionin e tyre për zhvillimet në këtë pjesë të Ballkanit. Kjo veçanërisht mund të thuhet për gazetat në gjuhën frënge, të cilat kishin krijuar një traditë e në këtë kohë leximi i shtypit në hapësirën frëngjishtfolëse ishte në modë.

Ndër figurat qendrore të kryengritësve pa dyshim se ishte Idriz Seferi, i cili kishte një besim të paluhatur tek popullata shqiptare, andaj edhe shtypi francez në shkrimet e veta duke raportuar për revoltën e shqiptarëve shpesh shkruante për Idriz Seferin, i cili ka zënë vend në raportet e gazetave si: “Le temps”, “Le Figaro”, “La Lanterne”, “Gil Blas”, Le XIXème Siècle”, “Le Rappel”, “Le croix”, “Le Gaulois”, “Le Journal”, “Le Matin”, “Le journal des débats politiques et litteraires”, “Les échos”, “La Jeune Turquie”, “L’écho d’Alger” e ndonjë tjetër.

Biblioteka digjitale “Gallica” e Bibliotekës Kombëtare të Francës, që ka mbi tre milionë dokumente, ruan edhe gazetat e kohës, kurse për Idriz Seferin është shkruar në 22 shkrime gazetareske, në  14 gazeta ditore në gjuhën frënge në periudhën kohore prej 9 prill 1910 deri më 19 gusht 1912.

Vërtetohet se francezët përveç zhvillimeve luftarake kanë përcjellë edhe hollësi nga jeta e kryengritësve shqiptarë dhe prijësve të tyre.

Këto publikime, pos francezëve i janë dedikuar edhe publikut në Marok, Tunis, Algjeri, Madagaskar, Zvicër, Perandorinë Osmane e vende të tjera.

Nëpërmjet këtyre shkrimeve të gazetave del në pah se paria shqiptare e me këtë edhe Idriz Seferi ishin udhëheqës të zot, se kishin besim tek popullata dhe se luftuan për lirinë e popullit të vet.

Gazeta franceze “La Lanterne”, më 27 prill 1910 për herë të parë përmend Idriz Seferin dhe korrespondenti i saj raportonte se 3.000 shqiptarë të armatosur gjendeshin në Gjilan. Edhe gazeta franceze “Le Temps” rregullisht ka raportuar për Betejën e Kaçanikut. “Le Temps” fliste edhe për taktikën e mençur të kryengritësve shqiptarë, të udhëhequr nga Idriz Seferi, duke theksuar se ata kishin zënë gryka malesh dhe se ushtria osmane nuk ishte e përgatitur për të luftuar me kryengritësit e pakapshëm në një terren të tillë dhe se në këto kushte vdekja për ushtarët osmanë ishte e pashmangshme.

Korrespondenti i gazetës taktikën ushtarake të Idriz Seferit e cilësonte si shumë inteligjente, ngase ai i kishte ndarë luftëtarët nëngrupe prej 20 deri në 25 burra, duke qëlluar batalionet gjatë marshimit dhe në mbrëmje.

Sipas saj, Idriz Seferi ishte një komandant i zoti, që shoqërohej nga pesëdhjetë burra dhe te bashkëluftëtarët kishte krijuar një besim të pathyeshëm. Ai citonte fjalët e Idriz Seferit që ua thoshte luftëtarëve të tij:“Gjuani, unë ju them se qeveria është në pamundësi për të dërguar ushtarë të tjerë”. Edhe kjo gazetë pohon se beteja kishte zgjatur tetë orë e në këto luftime, kryengritësit shqiptarë, të udhëhequr nga Idriz Seferi kishin një taktikë të zgjuar dhe i shkaktuan humbje të mëdha ushtrisë osmane.

Për të thyer rezistencën shqiptare në Grykë të Kaçanikut, Ushtria Osmane përdori edhe artilerinë e rëndë, gjë e cila bëri që kryengritësit të tërhiqen në lindje, në zonën e Gjilanit (Malësia e Gollakut, e Bujanocit dhe e Preshevës). Gazeta “Le Temps”, në artikullin e saj me titull “Revolta e shqiptarëve”, pasi kishte shkruar për luftën e zhvilluar në Grykë të Kaçanikut, kishte shkruar edhe për tërheqjen e shqiptarëve.  Korrespondenti i gazetës raportonte për një luftim në Moravë në mes të Idriz Seferit dhe trupave perandorake. Idriz Seferi ishte tërhequr në Malet e Karadakut, kurse trupat ushtarake po e ndiqnin. Komandanti i këtyre trupave Osman Pasha kishte besuar se e kishte rrethuar asisoj Idriz Seferin që ai nuk do të mund t’i ikte, por pas një lufte disaorëshe, Idriz Seferi duke përfituar nga një kalim që nuk ishte fortifikuar ia kishte dalë të largohej.

Gazeta proqeveritare osmane në gjuhën frënge “La jeune Turquie”, në një artikull të sajin propagandistik me titull “Shqiptarët kanë përjetuar një humbje të madhe”, shkruante se në një luftë në Gjilan, shqiptarët kanë pësuar një humbje të madhe dhe se është vrarë udhëheqësi i tyre Idriz Seferi. Sipas saj, trupat osmane i kanë identifikuar kryengritësit dhe se ata të shtyrë nga uria i kanë dorëzuar armët. Në këtë gazetë shihet haptazi se shtypi që dilte në Perandorinë Osmane kishte karakter propagandistik, duke e paraqitur si të zbehtë rezistencën e shqiptarëve, bile duke pohuar se udhëheqësit shqiptarë janë vrarë siç është rasti me Idriz Seferin, i cili jo që nuk ishte vrarë në Betejën e Kaçanikut, por ai edhe kishte shpërthyer rrethimin.

Pas tërheqjes së kryengritësve shqiptarë nga Gryka e Kaçanikut, shtypi francez shkruante edhe për dënimet që iu shqiptuan shqiptarëve kryengritës. Gazeta “Le XIX siecle” në artikullin me titull “Pas revoltës shqiptare”, shkruante se dy shqiptarë, në mesin e tyre edhe një hoxhë, sekretar i Idriz Seferit janë ekzekutuar. Edhe gazeta “Le Rappel” në artikullin e saj me titull “Revolta shqiptare”, shkruante se tre shqiptarë janë dënuar nga gjykata dhe se janë vrarë, në mesin e tyre edhe një nga udhëheqësit i njohur si Kabashi (Mustafë), i cili gjatë kryengritjes kishte pushtuar Grykën e Kaçanikut bashkë me udhëheqësin Idriz Seferi.

Shtypi francez është marrë edhe me Kryengritjen e Përgjithshme të vitit 1912, ku gjithsesi se Idriz Seferi pati një rol me rëndësi. Gazeta franceze “Le Temps”, në numrin e saj të botuar me 11.07. 1912 me titull “Trazirat ushtarake dhe kryengritja e shqiptarëve” shkruante se në rajonin e Gjilanit ka një gjallëri të fuqishme. Sipas saj, krerët shqiptarë po mbajnë takime, po kërcënojnë udhëheqësit civilë, po sulmojnë depot e armëve dhe se në radhët e ushtrisë osmane ka edhe dezertime.

Edhe gazetat “Le Gaulois” , “Le petit parisien”, “Le croix” dhe “La Lanterne” shkruanin se si prijës që kishin ngritur popullatën ishte Idriz Seferi. Gazeta proqeveritare osmane “La jeune Turquie”, shkruante se dy krerët shqiptarë Idriz Seferi dhe Isa Boletini janë në rrethin e Gjilanit me 2000 kryengritës dhe se po tentojnë që t’a ngrisin në kryengritje edhe popullatën në afërsi të Shkupit. Gazeta “Le Matin” raportonte për dezertime nga ushtria osmane dhe për arritjen e Idriz Seferit dhe 1200 bashkëluftëtarëve të tij e për të parë gjendjen në Shqipëri dhe për të raportuar nga atje, gazeta “Le Temps” kishte dërguar një gazetar të veçantë, i cili shkruante për atë që kishte parë vetë, duke theksuar se Hasan beu, Isa Boletini, Bajram Curri, Riza beu, Idriz Seferi dhe udhëheqës të tjerë me 30.000 shqiptarë janë të gatshëm që të lënë fshatrat e tyre, t’i lënë familjet e tyre e kopetë e tyre pa u brengosur se çfarë mund të ndodh të nesërmen. Ai luftëtarët shqiptarë i përshkruante si trupgjatë, muskulozë, gati të gjithë me fytyrat e tyre të nxira nga rrezet e diellit, me shikim të ashpër, me kokë pothuajse të rruara e mbi to një plis të bardhë.

Në nëntitullin “Shqiptarët në Shkup”, gazeta “Le Temps” thirrej në raportin e korrespondentit të saj nga Shkupi, i cili shkruante se shqiptarët që janë në kryengritje të hapur me autoritetet dhe me qeverinë turke, për çdo ditë po shihen teksa po hyjnë në Shkup të armatosur deri në dhëmbë, me pushka lufte të krah, me revolverë në brez dhe të ngarkuar me fishekë. Gazetari sqaronte se kryengritësit po i shoqërojnë udhëheqësit Isa Boletini, Bajram Curri, Idriz Seferi e udhëheqës të tjerë.

Kryengritësit më 12 gusht 1912 hynë në Shkup. Çlirimit të këtij qyteti iu gëzua i tërë vendi. Kryengritësit shqiptarë pasi morën Shkupin edhe pse ishin të uritur, ata u sollën me dinjitet dhe treguan disiplinë të lartë. Ata nuk bënë dëme, nuk thyen dyqane as nuk plaçkitën. Për një sjellje të tillë të dinjitetshme shkruante edhe gazeta “Le Temps”, e cila shkruante se tashti shqiptarët janë zot të Shkupit, por se ata po tregohen të disiplinuar dhe pa lejuar që të mos ndodh asnjë ekses. “Është shumë kureshtare që t’i shohësh këtë shoqëri të shkëlqyer me fizionomi mirësjellëse, por luftëtarë të tmerrshëm, që kanë pushtuar ushtarakisht qytetin, që diktojnë ligje, ruajnë rendin, sillen mirë, rregullojnë gjithçka, përderisa autoritetet turke hezitojnë të japin shenja jete”.

Sipas gazetarit, brenda mureve të Shkupit ka rreth njëzetmijë kryengritës dhe ky numër do të rritet, nëse qeveria nuk u përgjigjet kërkesave të shqiptarëve. Ai thotë se për momentin shqiptarët kanë zgjedhur që të jenë të heshtur dhe shumica prej tyre me verbëri po i zbatojnë kërkesat e udhëheqësve të tyre. Hyrjen e shqiptarëve në Shkup e përshkruan edhe korrespondenti i gazetës “Le Temps”.

Në Shkup forca të tjera nga Presheva e Gjilani, të udhëhequra nga Idriz Seferi  hynë edhe më 13 – 14 gusht të vitit 1912. Në ditën e 14 gushtit, Isa Boletini dha urdhër për hapjen e burgjeve dhe çliroi në këtë mënyrë një numër të të burgosurve. Me hyrjen e kryengritësve në Shkup, administrata osmane u bë krejtësisht e pafuqishme. Gazeta “Le Temps” shkruante se shqiptarët kishin hapur dyert e burgjeve dhe se kishin liruar 700 deri 750 të burgosur politikë dhe duke e takuar guvernatorin e përgjithshëm të sapoemëruar e që kishte ardhur për t’i vizituar këshilltarët, ata e kishin detyruar atë që të ndalet më tërë eskortën për të lejuar defilimin e tyre triumfal.

 

 

 

You Might Also Like