Vetëm disa ditë para se t`i mbushte 66 vjet, ka ndërruar jetë Xhavit Latifaj, ish-drejtor i ndërmarrjes publike të mbeturinave “Higjiena” në Gjilan.
Në vitin 2008, ai ishte përballë me akuzën për shpërdorim të detyrës, derisa “Higjiena” ishte ende kompani publike.
Këto akuza ndikuan në rrënimin e shëndetit të tij, edhe pse Gjykata e Qarkut e kishte shpall të pafajshëm Latifajn, bashkë me drejtorin financiar Selver Morina, në vitin 2012. Aktgjykimi lirues ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.
Latifaj ishte shprehur i lumtur që drejtësia në rastin e tij kishte triumfuar, duke thënë se ishin akuzuar për shpërdorim të detyrës zyrtare, nën ndikimin e protestave të punëtorëve dhe interesave të tjera grupore.
Ekspertiza nuk kishte konstatuar shpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e Latifajt dhe Morinës.
Latifaj iku nga kjo botë, i shfajësuar nga akuzat, por i rrënuar në pikëpamje shpirtërore dhe shëndetësore për atë që kishte përjetuar padrejtësisht ai dhe familja e tij, për gati pesë vite.
Nga viti 2012 e këndej, kompania funksion në partneritet publiko-privat, nën emërtimin “Ecohigjiena”.
Ilmi Musliu