Komunikacion

Zero tolerancë për të gjithë drejtuesit e motoçikletave që bien në kundërshtim me ligj

Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Gjilan, përmes Njësive të Trafikut Rajonal dhe Njësive patrulluese të Stacioneve Policore, me mbështetje të Njësisë për Reagim të Shpejtë (NjRSh), ka filluar zbatimin e planit operativ: “Kontrolli i mjeteve si motoçikleta, trotinete, triçikleta, skuterë dhe mjete të tjera motorike që qarkullojnë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.”

Ky plan operativ po zbatohet në të gjitha komunat e rajonit të Gjilanit, me qëllim të parandalimit dhe reduktimit të aksidenteve në trafik, përfshirë ato me pasoja fatale, me lëndime trupore dhe me dëme materiale, si dhe rritjen e nivelit të sigurisë në komunikacionin rrugor.

Në funksion të rritjes së sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacionin rrugor, Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë udhëzimet dhe rregullat në vijim gjatë përdorimit të këtyre mjeteve:

Udhëzime dhe masa parandaluese:

Përdorimi i pajisjeve mbrojtëse: Përdorimi i helmetës mbrojtëse është i detyrueshëm. Rekomandohet gjithashtu përdorimi i pajisjeve shtesë mbrojtëse si xhaketa, doreza dhe mbrojtëse për gjunjë, me qëllim të zvogëlimit të pasojave në rast aksidenti.

Kontrolli teknik i mjetit: Para çdo përdorimi, drejtuesit duhet të sigurohen se mjeti është në gjendje të rregullt teknike (dritat, sistemi i frenimit, gomat dhe drejtimi).

Respektimi i rregullave të trafikut: Është obligim ligjor respektimi i sinjalizimit rrugor dhe kufizimeve të shpejtësisë. Drejtuesit duhet të sigurojnë dukshmëri të mjaftueshme, veçanërisht gjatë natës dhe në kushte të pafavorshme atmosferike.

Ngasja e sigurt dhe e përgjegjshme: Ndalohet përdorimi i telefonit gjatë drejtimit të mjetit. Duhet ruajtur distanca e sigurisë dhe të shmangen manovrat e rrezikshme. Ngasja nën ndikimin e alkoolit apo substancave të tjera psikoaktive është e ndaluar rreptësisht.

Republika e Kosovës Republika Kosova – Republic of Kosovo Qeveria – Vlada – Government Ministria e Punëve të Brendshme Ministarstvo Unutrašnjih Poslova / Ministry of Internal Affairs Policia e Kosovës/Policija Kosova/Kosovo Police Drejtoria e Përgjithshme e Policisë/ Generalna Policijska Direkcija/General Police Directorate Gjilan

Ndalimi i qarkullimit në hapësira publike: Qarkullimi i trotineteve dhe mjeteve të ngjashme në hapësira publike si parqe, sheshe dhe zona të frekuentuara nga qytetarët është i ndaluar dhe do të sanksionohet sipas ligjit në fuqi.

Njësitet policore janë të angazhuara në terren me kontrolle të shtuara dhe intensive, dhe ky Plan operativ do të vazhdojë të zbatohet deri në një vlerësim të ri të situatës së sigurisë në komunikacionin rrugorë.

Rezultatet e realizuara gjatë dy ditëve të fundit:

· Janë përjashtuar nga komunikacioni gjithsej 13 motoçikleta dhe trotinete për shkak të parregullsive të konstatuara;

· Janë shqiptuar 16 gjoba kundërvajtëse ndaj drejtuesve të mjeteve;

Policia e Kosovës në rajonin e Gjilan do të zbatojë tolerancë zero ndaj të gjithë drejtuesve të mjeteve që shkelin dispozitat ligjore në trafikun rrugor.

You Might Also Like