Drita sonte pritet ta zhvillojë njërën ndër ndeshjet më të rëndësishme të historisë.
“Bardhekaltërit” e Kosovës do të luajnë kundër gjigantit holandez, Feyenoord, në kuadër të raundit të dytë në Ligën e Konferencës.
Ballafaqimi i parë në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës kishte përfunduar pa fitues dhe pa gola.
Para kësaj ndeshje, drejtori sportiv i skuadrës së Dritës, Valon Zymberi ka folur për GazetaBlic Sport.
Ai tha se kanë qenë dhe janë të vetëdijshëm për kundërshtarin që kanë, por që natyrisht kanë besimin e madh para në vete para kësaj sfide.
“Sigurimi që të gjithë kemi qenë të vetëdijshëm me ekipin me të cilin kemi të bëjmë dhe të gjithë kemi qenë të lumtur, sepse nga kjo ndeshje ne vetëm se jemi fitues për faktin se kemi mësuar shumë nga Feyenoord, siç bëmë në të kaluarën edhe me Malmon dhe ekipet e tjera. Ne treguam në ndeshjen e parë që besuam shumë, sepse nëse nuk besonim, nuk do ta kishim arritur atë rezultat”, tha fillimisht Zymberi për GazetaBlic Sport.
Më pas ai tha se e dijnë që skuadra holandeze është favorite absolute, por që duan që ta befasojnë atë sonte në Rotterdam.
“Edhe për këtë ndeshje nuk diskutohet që edhe më shumë se në ndeshjen e parë, favorit absolut do të jetë Feyenoord, por ne do të luftojmë deri në fund dhe me shumë besim do të hyjmë në këtë ndeshje për të bërë më të mirën. Futbolli di të sjellë surpriza dhe befasi, ne do të bëjmë gjithçka dhe pse jo, pse të mos ndodhë befasia me ne“, përfundoi Zymberi.