Futboll

A e dini se derbi Drita – Gjilani edhe më herët ishte luajtur pa shikues

Kryendeshja Drita – Gjilani, që do të luhet këtë fundjavë pritet të jetë ndër më interesantet që janë luajtur ndonjëherë, ngase të dy ekipet po luftojnë për titullin e kampionait. E metë e kësaj kryendeshje do të jetë mungesa e shikuesëve, që kësaj here do të mungojnë shkaku i pandemisë, shkruan kryelajmi.com

Por, kjo nuk është hera e parë që kjo ndeshje luhet pa shikues, ngase një gjë e tillë kishte ndodhur edhe në vitin 2012, pikërisht më datë 22 prill.

Ishte kjo kohë kur shikuesit ishin dënuar nga federata, kurse pikërisht në këtë ndeshje me një minutë heshtje ishte nderuar edhe Reshat Osmani, i cili ishte futbollist i njohur gjilanas dhe trajner.

Si tashti, edhe atëherë shikuesit ishin ngjitur mbi ndërtesat që janë përreth stadiumit, prej ku e kanë përcjellë ndeshjen.

Në ndeshjen pa shikues më mirë ishte gjetur Gjilani, që kishte ngadhënjyer me rezultat 1:2.

Golin e vetëm për Dritën e kishte shënuar Përparim Osmani, kurse për Gjilanin kishin shënuar Alban Hyseni dhe Shabani.

Ja raporti i gazetarit Enver Sadiku, për gazetën “Zëri”, i botuar më 23 prill 2012.

///////////////////////////////////////////////////////////////////////////////////////////

Drita-Gjilani 1-2 (0:1)

Gjilani ngadhënjen në kryendeshjen e heshtur

 

Enver Sadiku

 

Stadiumi i Qytetit në Gjilan. Ndeshja u zhvillua pa praninë e shikuesëve. Arbitra: M. Ferati – D. Preniqi – B. Këpuska. Shënues: P. Osmani 53 – Hyseni 34’, Shabani 65’. Kartoni i verdhë: Hashani, Vi. Sermaxhaj, Ve. Sermaxhaj – Ajdini, G. Sermaxhaj, Bajraliu, Ramushi.

 

Drita: Latifi, Hashani, Gërbeshi, P. Osmani, Vi. Sermaxhaj, Isufi, Alimi, Ve. Sermaxhaj, Abazi, F. Osmani (Foniqi), Syla (Sejdiu).

 

Gjilani: Ajdini, Arifi, Kastrati, Hyseni, MUrseli (Ramadani), G. Sermaxhaj (Canaj), Latifaj, Bajraliu, Muja, Ramushi, Shabani (Hasani).

 

Ballafaqimi i rivalëve lokalë, Drita e Gjilani ka nisur në heshtje pa praninë e shikuesve, të cilët edhe për një kohë do të qëndrojnë jashtë pas dënimit që kanë marrë nga federata e është vazhduar me heshtje në nderim të Reshat Osmanit, ish-kryetrajner i të dy ekipeve gjilanase, i cili papritmas ka ndërruar jetë në moshën 65-vjeçare.

Adhuruesit më të flaktë kishin gjetur zgjidhje duke u ngjitur mbi ndërtesat që janë përreth stadiumit, prej ku e kanë përcjellë ndeshjen.

“Gjilani pa shikues sikur më mirë u gjet në këtë ballafaqim”, ka thënë si me ironi Bekim Isufi, kryetrajner i Dritës, sipas të cilit ekipi i tij në dy raste të Gjilanit në të dyja herët pësoi, derisa siç shtoi ai, futbollistët e tij huqin disa herë.

Gjilani ka pasur paraqitjen më të mirë në këtë stinor, mbase këtë ua ka mundësuar edhe ngarkesa jo e madhe psikike, me të cilën “kuq e bardhët” kanë luajtur gjatë tërë kampionatit.

Pas dy rasteve të humbura të lojtarëve të Dritës në fillim të ndeshjes, në minutën 34, Sermaxhaj i Gjilanit ka dhënë një gjuajtje dënimi nga e djathta e në të topin e harkuar më së miri ka ndërhyrë qendërmbrojtësi Hyseni, që pa e pritur topin të bie në tokë e ka dhe e ka dërguar në këndin e poshtëm të majtë të Latifajt. Pjesëloja e parë është përmbyllur me një të qëlluar të tërthorëses nga Abazi në minutën 39 dhe me rastin shumë të mirë të Ramushit në minutën 45, por që Latifaj intervenoi bukur.

Nuk kanë kaluar as tetë minuta të pjesëlojës së dytë, kur Ve. Sermaxhaj dhe gjuajtje nga largësia e portieri Ajdini, disi u ngatërrua dhe nuk kapi topin si duhet e shumë afër u gjet i vëmendshmi P. Osmani që e dërgoi topin në rrjetë.

Në minutën 60, sërish ishte i vetmuar Ramushi, por ai kësaj radhe gjuajti jashtë, kurse në minutën 65, Shabani ka treguar mjeshtëri të rrallë, ngase me veprime mashtruese ka vënë në lajthitje tërë mbrojtjen e Dritës dhe kur doli në pozitë të mirë, ka gjuajtur portën tërësisht në anën e kundërt, duke qëlluar këndin e epërm të djathë të pambrojtur të Latifajt.

Sadulla Ajeti, kryetrajner i Gjilanit tha se tërë atë që e kishin planifikuar para ndeshjes, lojtarët e zbatuan në fushë. “Patëm edhe raste të tjera, por i konkretizuam vetëm dy prej tyre. Këtë fitore ia dedikojmë lojtarëve që u angazhuan së tepërmi”, tha Ajeti.

Kryelajmi.com

 

 

You Might Also Like