Libri

ARTI I VËRTETË DRITËSON SHUMËKUPTIMËSI

Sherafedin KADRIU
( Për librin më të ri poetik të Bujar Salihut, “LINGA E HESHTJËS )
Linga hesht nëse nuk ka kush ta përdorë, atëherë mbetet një eksponat arkaik në muzeun e kujtesës. Që të mos ndodhë kështu, Bujari Salihu ka zgjuar qëllimshëm heshtjen e lingës, herë duke medituar, e herë tjetër duke rrëfyer imazhe poetike e etike e etnike njëkohësisht, ndonjëherë edhe analiza nuk mungon bashkë me vlerësimin e shkathët kritik të mendimit filozofik.
Ndoshta, duke vëzhguar realitetin e duke imagjinuar të vërtetën e tij, për aq kohë të vrarë sa ka heshtur linga, ka rrjedhë një lëngëzim i saj jo krejt papritur në një metakohë. Nuk e di, nëse vogëlsia e lingës ka folur duke heshtur, në mos ka heshtur duke folur! Por, e di se ky është mësimi i Nënës Tereze që vjen e paloset hyjnishëm tek njeriu krijues, mësohet pa u diktuar ndërlidhja e dy kategori veprimesh: njerëzorja me hyjnoren. Koncept ky teorik, shpirtëror e hyjnor, të cilin Bujar Salihu e arrin fuqishëm në poezitë e tija.
Parathënie domethënëse e librit mund të konsiderohet me të drejtë poezia “Linga e heshtjes”, e cila mban titullin e përmbledhjes poetike. Ky titull libri vetëm na e kujton titullin e veprës së Azem Shkrelit, “Bibla e heshtjes”. Është kjo një ngjashmëri e ndërtimit strukturor, përndryshe kombinimi fjalësor dhe mendimi thellësor në këto dy vepra janë të ndryshëm, e nyjëtojnë origjinalin secili në mënyrën e vet dhe harmonizojnë mjeshtërisht kombinimin e kumtimit të fjalëve bashkë me përzgjedhjen e tyre. Karakteristikë kjo që fuqizon përdorimin me kompetencë të begatisë së fjalorit.
“Linga e heshtjes” është libri i katërt me radhë i poetit Bujar Salihu. Libri përbëhet nga shtatë cikle (Shtatë herë Shkupi, Lule mbi oqean, Shtatë letra, Shtatë harqe urash, Shtatë pamje dhe një legjendë, Shtatë nuk janë më, E bardhë dhe e pafajshme), ku secili prej tyre përmban poezi të një tematike të përafërt të motivuar nga motive të ndryshme.
Atdhetarizmi objektiv si zhgënjim tej poetik
Ndonjë vit pas Pavarësisë së Kosovës, atdhetarizmi në letërsi ka filluar të matet me trajtimin artistik të zhgënjimit praktik, jo vetëm nga poetë që jetojnë përditshmërinë e zhgënjimit, por edhe nga poetët e diasporës (Mund të jetë një temë interesante për studim). Në poezinë Principata jonë në vjeshtën e 2019-s, ose Letra e shtatë Agim Ramadanit, autori thjesht, nëpërmjet ironisë, ka paraqitur zhgënjimin që kushtëzohet nga veprimet tona, mbase më e drejtë të thuhet nga veprimet e udhëheqësve tanë që i quan jo pa qëllim princër. Si e tillë, poezia mund të konsiderohet pa farë mëdyshje përfaqësuese e atdhetarizmit zhgënjyes.
Duke iu drejtuar Agimit, poetie shpirtëzon heroin për të komunikuar me të nëpërmjet ligjëratës së drejtë:
Edhe atë testamentin tënd për lirinë dhe shtetin
Disi e humbëm ndër duar
Dhe tani e njëzet vjet s’po e gjejmë dot
Testamenti i Agimit të Lirisë mund të gjendet. Nuk ka humbur, jo. Këtu është. Po se ku e kush e ka është fshehur, e nuk po e gjejmë dot! E mira në këtë të keqe është se testamenti nuk është shqyer, se pastaj do të duheshin qindra vite për t’u rikthyer edhe një herë te Rrasa e Zogut me betimin e ri të Agimit. Po prandaj, në poezinë e Salihut, ironia tejkalon vetën e parë, për të folur me sarkazëm:
…gati të gjithë dëshmorët i anatemuam
Ata disi nuk i duartrokisnin mirë klasës sonë politike
Po ku jemi ne të gjallët? Kah ia kemi mësyrë? Jemi në rrugën shtetit a të dreqit? Më mirë se vetë poeti nuk e themi dot, edhe po të bëjmë lojë fjalësh sa kohë të duam!
Qytetin e kemi zhveshur nga çdo gjurmë e luftës
Në emër të paqes së re i falëm të gjithë kriminelët
…………………………………………………………………..
Princërit tanë i veshëm me pushtet të pakufishëm
U ndërtuam kulla luksoze
…………………………………………..
Së fundmi ua dyfishuam pagat
…………………………………………..
Kur ata dalin të shëtisin përcillen me eskorta me xhipa të zinj
Antiplumb
(Principata jonë në vjeshtën e 2019-s)
PO NGA KUSH PO RUHEN, O TI SHOQ?
Ruhen nga vetja e tyre, nga keqveprimet e tyre, ruhen për t’u dukur të fuqishëm, ruhen për salltanetet e fituara pa mund, e për çfarë nuk ruhen se?!
E pra, kështu ndodh kur të mund e kânmja. Në vend që t’i shtohet kalasë nga një tullë, asaj po i thyhen edhe gurët në mur. Keq! Shumë keq!
Në këtë mënyrë nuk i ndihmohet çështjes kombëtare, e cila sipas poetit del të jetë mjaft e rrezikuar. Trilogjia e një ankthi është trajtuar me dhembshurinë e atij që vuan skajshmërisht. Një histori e veshur me art që nismën e ka në Naissus, aty ku as ëndrrat nuk u kthyen kurrë më. Ndërsa, Shkupin një ditë e pagëzojnë me lexim të huaj. Të huaj edhe për ata që e pagëzojnë, po prandaj nuk është pa hiç gjë dyshimi poetik! Trilogjia mbyllet me qytetin e Kosovës, Mitrovicën, të cilën: E ruajnë ushtri të huaja dhe Ushtri të huaja e ndajnë. Aty ku ne jemi vetëm vizitorë. A nuk mjafton kjo trilogji e këtij ankthi, për t’u këndellur mendërisht e shpirtërisht?!
Ky është ai të menduarit kritik që vlerëson duke pasur për bazë filozofinë e arnimit të gjërave. Ky është realiteti i poetit. Kushdo ta shohë, të këtillë mund ta shohë, sepse Bujar Salihu tashmë është poet i pjekur, i cili jo vetëm ka formuar stilin e tij, por ka një sens etik ndaj të së vërtetës reale duke i qëndruar besnik imagjinatës së tij, njëkohësisht duke menduar thellësisht për çfarë dëshiron të përçojë tek lexuesi.
Shprehja e kumtuar në rolin e stilizuesit si mjet artistik
Poezitë e këtij vëllimi janë të veshura me emocione në kuptimin e çiltërisë. Natyrshëm, pse janë të poetit që ka mall atdheun e tij, edhe pse tani mund të kthehet kur të dojë. Poezia Hija e qershisë, është ndërtuar si paralelizëm figurativ që vepron nga larg, me një kujtesë të zgjuar nga malli mërgimtarit që s’di të pushojë:
Jam rritur si zog ndër degët tua të njoma
Më e bukura e oborrit tim plot pemë
Sa gëzohesha kur t’i shihja lulet e para
Sa e shijoja frytin tënd të parë gjak të ëmbël.
(Hija e qershisë)
Krahasimi shtrihet e shtrihet, ndërsa metafora është ndër më të bukurat të krijuara nga poetë. Ndoshta, kritikët e ardhshëm metaforën e tillë mund ta kenë shembull në vlerësimet e tyre. Poeti krahason frytin e qershisë jo me gjakun, por me ëmbëlsinë e gjakut. Ku ka gjak ka jetë. Ku ka ëmbëlsi ka dashuri. Jeta dhe dashuria i duhen njeriut. Jo stresi e ankthi. Të tilla përpushje emocionale përçon poeti te lexuesi që shquhen për organizim semantik të tërësisë së poezisë. Ato të përtrollisin me forcën e tyre të kondensuar në një pikë të vetme, që është dashuria;- dashuria për jetën, prindërit, vashën, familjarët, miqtë, të njohurit etj. Hera – herës, dashuri e madhe sa vetë bota! Dashuri që kumtoi çiltërisht pozitiven njerëzore për negativen në teste virusesh.
Prandaj, në raport me të, me dashurinë pra, interpretimi i kësaj përmbledhjeje poetike nuk dëshiron të bie në ujëra të tilla pandemish që përfaqësohen nga stresi e ankthi, ndryshe kritiku do të mbetej një përshkrues naiv i përmbajtjes kuptimore të Covid-19, dhe jo i të vërtetës imagjinatave të poezisë së Bujar Salihut.
Nëpërmjet figurash poetike dhe mitike, poeti ka poetizuar udhëtimin shekullor të njeriut që gjakoi lirinë për dymijë vjet. Njëmend që globi ynë është ladut, po më shumë se grykës del të jetë fqinji ynë, që është një tip grabitqari dhe shpirtkeqi, i cili s’e kishte për problem të t’i shkulte gjymtyrët një nga një (Jetëshkrimi). Nuk besoj që takimet me të mund t’i përngjajnë për së afërmi, ndonjë takimi përrallor me çetën e karkanxhollëve. Po, a mund të thuhet kështu për Albanën dhe shoqet e saja, të cilave liria u la në duar nga një trëndafil të zi, për ta vënë mbi eshtrat e burrave dhe fëmijëve të tyre?! Njëmend që arti e ka pushtetin për ta bërë të bukur e të dashur shëmtinë e kohës (sipas Umberto Ekos), ama situata të tilla të trishta e tejkalojnë bukurinë poetike. Dashuria dhe malli për burrin dhe katër fëmijët e masakruar nuk është ideal, po është personifikim i copëtimit të zemrës që nuk ngjitet kurrë!
Vetëm pas dhembjesh që ta këpusin shpirtin, nis një hyrje që paraqet një tip eseje poetike në periudha të ndryshme të historisë së këtij trualli, – Kosovës, që arriti të BËHET falë Altruizmit të shqiptarëve me hapin e të cilëve liria mbahej gjallë, falë Trimërisë, që ka guxim me e dashtë ndryshe etninë, falë Vetëmohuesit, me emrin e të cilit liria mori kuptim të ri/të panegociueshëm; falë Urtësisë së atyre që si në shtrëngata / rrotulloheshin si në shtatë pirgje, si dhe falë Sakrificës që e kishin djegur, po brenda i kish mbetur e gjallë liria jonë.
Poezia “… Pastaj erdhi liria” mund të jetë vetëm epilog i poezisë Kosova, duke përfunduar me vargun kur erdhi liria patëm shumë mërzi sepse na shfaqej me pamje tmerri e masakrash. Ishte ngjizje e gëzimit dhe trishtimit njëkohësisht. Ndërsa, jo shumë vonë, çuan krye udhët e ikjes së re. Ikje që kanë shëmbëllimin e të mëparshmeve. Atëherë kujt po ia lëmë shtetin?, -pyet poeti. Se një përgjigje mund ta japë Jusuf Gërvalla, vetëm ai dhe askush tjetër, këtë e ka në maje të gjuhës Bujari, ndoshta pse është bërë më i ndjeshëm për ata që bëjnë atdhetarizmin në dherat e huaja …
Përkushtime metaforike dhe simbolike
Poezitë përkushtuese që zënë vend në cikle të ndryshme, kryesisht u janë përkushtuar burrave të kombit, të dijes e të krijimtarisë letrare, familjarëve e të tjerëve. Është thënë tashmë sa e sa herë se poezitë me këtë tematikë janë të vështira për t’u veshur mirë me poetikë, por duket se Bujari ka diç të veçantë si krijues që i mundëson atij të kapë elementë stabilizues të figurave për të cilat krijon. Një cikël i tërë poetik me titull “Shtatë letra”, kushtuar Agim Ramadanit, monumentalizon metaforikisht figurën atdhetare të atij që Nën melodinë e shirave të prillit ishte bërë lumë.
Cikli “Shtatë harqe urash” dallohet për përkushtime poetike ndaj figurave të dijes, kryesisht të krijimtarisë artistike: Nolit, Konicës, Kadaresë, Podrimjes, Shkrelit e Sh. Beqirit, natyrshëm duke prekur elementë simbolikë të tyre. Ndryshe mund të thuhet për ciklin “Shtatë pamje dhe një legjendë”, ku ka një tip përkushtimi kontrastik të ngjyrave, e nëse ato do të strukturoheshin në bazë nuancave, për të folur më ndryshe, këtë e di vetëm poeti.
Në vend të përfundimit
Buxheti fjalësor i begatshëm dhe i pasuruar me shprehje nga leximi i Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe, në këtë përmbledhje poetike, mes tjerash, ka për mision edhe nxitjen për mësim nga shfletimi i Fjalorit se paraqet një nga leximet më të pakta që i ndodh një libri me vlerë kombëtare. Qëmtimi i fjalorit është dëshmi edhe për vogëlsinë e dijes sonë në fushën e shpjegimeve përdoruese morfologjike, sintaksore, figurative e bisedore.
Kuptimi i shprehjeve të tilla edhe mund të qartësohet nga kontekste të caktuara gjuhësore e poetike, por është kurioziteti ai që ta bënë të detyrueshëm njohjen e thellësisë shpjeguese të shprehjes. Prandaj, poeti bën një radhitje jo të zakonshme të shprehjeve, po një radhitje që poezinë e shpërfaq si pasion e muzikë bashkë, do të thoshte Borhesi. Aty është kuptimi që motivohet poetikisht për të besuar në të vërtetën e tekstit krijues a në vërtetësinë e imagjinatës që vjen si qenësi e mesazhit poetik, duke përçuar magjinë e fjalëve, pa pasur nevojë që ai, poeti pra, të dalë për të brohoritur para të tjerëve për ngjarjet me të cilat po sfidohet në poetikën e tij.

You Might Also Like