Libri

JANARI

Poezi nga “Pena e Flakës”
LIRIJE GASHI
JANARI
(Në kujtim të të gjitha heroinave në luftën e fundit në Kosovë)
Kam vdekur në një ditë të ftohtë Janari
E kujtoj dhe sot akullin e brishtë mbi fytyrën time,
Frymëmarrjen që i lash kohës,
Rrobat që u ngrinë duke i veshur për të fundit herë,
Dhe liqenin, të thellë, të pajetë,
Kaltërsinë e tij therrëse dhe aq vezullore,
Si një natë perfekte në botën e ëndërrave
Dhe përqafimin e tij që nuk do ta harroj
Në botë të botëve, se si m’i ledhatonte flokët
E m’i krihte me valët e tij të ngrira,
Sikur atë çast dëshironte ta gdhendte përgjithnjë
Në memorien e tij që çalonte
E ta mbyllte në sirtarin e tij ujor
Këtë ndjenjë engjëllore a satanike,
Kush do ta kuptonte?
E mbaj mend heshtjen e tij e cila të shurdhonte,
I mbaj mend të gjitha kujtimet që po m’i zhdukte
Në ajër të thatë e të ngrirë Janari, pa yje
Dhe qiellin që më vështronte
E më priste…
( E Lexuar në Orën e madhe letrare PENA E FLAKËS , mbajtur në Gjilan, më 31 janar 2022 )

You Might Also Like