OPINION

Dialogu “final” me Serbinë?

Ismajl Kurteshi –

Nuk është hera e par dhe as e fundit që dialogu me Serbinë quhet final.

Rezultatet e dialogut të Brukselit, varen shumë nga cilësia në të cilën Kosova ka hy në dialog me Serbinë?

Në nenin 1, pikën 1, të Kushtetutës së Kosovës Thuhet: Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm.

Në nenin 2, pikën dy, të Kushtetutës thuhet: Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet…

Derisa në Kushtetutën e Serbisë Kosova trajtohet si pjesë e Serbisë.

Kurse Bashkimi Evropian, si lehtësuese e dialogut, mban qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës.

Pas Pakos së Ahtisarit, ku u bënë lëshime shumë të dëmshme për vendin, si që ishte e drejta për veto e pakicave përmes shumicës së dyfishtë për çështje vitale të vendit si që është ushtria dhe shumë çështje të tjera, e sidomos decentralizimit, që në të vërtet është ndarje në baza etnike e territoriale, që sot po shfrytëzohet si bazë për organizimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, që realisht është shumë më shumë se asociacion.

Këto koncesione që, fillimisht u prezantuan si suksese të palës kosovare e pastaj si çmim për pavarësinë, duke theksuar se ishin lëshimet e fundit dhe fund i dialogut me Serbinë, por doli se nuk ishin lëshimet e fundit.

Në vitin 2011 kreu shtetëror prapë pranoj të futet në dialog të quajtur teknik, i cili më vonë ishte shndërruar në dialog politik, ku filluan lëshimet shtesë. Nevoja për dialogun teknik, atëherë është arsyetuar me nevojën për lehtësimin e jetës së qytetarëve, me integrimin e komunitetit serb në Kosovë dhe avancimin e Kosovës drejt integrimeve Evropiane. Pas shtat viteve të dialogimit faktet flasin se:

Minoriteti serb që jeton në Kosovë nuk është integruar.

Jeta e shqiptarëve të Luginës së Preshevës nuk është lehtësuar. Kosova nuk ka arritur përparim në drejtim të integrimit ne Bashkimin Evropian.

Derisa Serbia ka arrit të bëhet faktor vendimmarrës në çështjet e brendshme të Kosovës dhe të avancoj shpejt në procesin e integrimit drejt BE-së.

Protagonisti kryesor i këtyre lëshimeve të panevojshme dhe shumë të dëmshme ka qen Presidenti aktual i vendit, bashkë me disa nga ata që edhe tani po e përkrahin udhëheqjen e dialogut nga i njëjti, me qëllim të rehabilitimit të vetvetes.

Bazuar në Programin e Qeverisë për dialogun e Brukselit 2014 – 2018, Qeveria e Republikës së Kosovës ka pranuar obligimin ndërkombëtar për të hyrë në dialogun ndërshtetëror midis Republikës së Kosovës dhe të Serbisë.

Në të vërtet dialogu i zhvilluar nuk ishte dhe nuk është “ndërshtetëror” sepse Serbia nuk e ka pranuar Pavarësinë e Kosovës.

Tema të dialogut nuk kanë qen marrëdhëniet në mes të dy vendeve por çështjet e brendshme të Kosovës.

Dialogu nuk është zhvilluar mbi parimin e reciprocitetit, siç ndodh në dialogjet ndërshtetërore.

Bazuar në këto që u thanë më lart del se, ata që e kanë përfaqësuar Kosovën, kanë pranuar të dialogojnë për çështje të brendshme të Kosovës, që nënkupton pranimin e statusit të pabarabartë, rrjedhimisht dialogu me Serbinë nuk ka qen ndërshtetëror dhe si i tillë është në kundërshtim me nenin 1, pikën 1, të Kushtetutës së Kosovës.

Deri sa jemi te Kushtetuta, në pikën 7 të nenit 84 të thuhet: Presidenti nënshkruan marrëveshje ndërkombëtare në pajtim me këtë Kushtetutë.

Presidenti aktual i vendit në vitin 2013 ka nënshkruar marrëveshje për asociacionin/bashkësinë e komunave me shumicë serbe në kundërshtim me Kushtetutën.

Gjykata Kushtetuese në dhjetor të vitit 2015 pati konstatuar se :Parimet e Asociacionit, në formën e një akti juridik të miratuar nga Presidenti aktual, atëherë kryeministër i Republikës së Kosovës, rregullojnë çështje që hyjnë në gamën e çështjeve që prekin frymën e Kushtetutës.

Sipas kushtetueses, parimet e Asociacionit janë një dokument i nënshkruar nga Kryeministri dhe paraqesin zotimin e Qeverisë për të krijuar një entitet juridik që prodhon efekte juridike në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Në nenin 44 të Kushtetutës, bëhet fjalë për lirinë e asocimit, në pikën 1 të këtij neni thuhet se liria e asocimit është e garantuar… dhe ngërthen të drejtën e secilit për të themeluar një organizatë pa pasur nevojë të siguroj leje…

Megjithatë për asociacionin e Komunave me shumicë serbe, që është çështje e brendshme e Kosovës u debatua me Serbinë në Bruksel. Kështu Serbisë ju mundësua të bëhet pjesë e vendimmarrjes për rregullimin e brendshëm të Kosovës. Ky veprim i Delegacionit të Kosovës konsiderohet heqje dorë nga pavarësia dhe shkelje e rënd e Kushtetutës.

Me Serbinë është biseduar edhe për FSK-në dhe Policinë e diskriminimit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe zgjidhja e problemeve të tyre mbi bazën e reciprocitetit.

Presidenti aktual që ka nënshkruar marrëveshje të dëmshme, kundër kushtetuese, që ka zhvilluar dialog jo transparent dhe është përkulur para përmendores ku UCK –ja cilësohet si terroriste.

I njëjti po insiston t’i udhëheq bisedimet përfundimtare me Serbinë dhe po vazhdon të shkojnë në Bruksel pa platformë dhe i paautorizuar e që njëkohësisht po paralajmëron koncesione të reja, jo vetëm se nuk mund ta udhëheq dialogun, por për arsye të shkeljeve të lartpërmendura, ky Kuvend duhet t’i filloi procedurat e shkarkimit të tij.

Delegacionin që do ta zgjedh Kuvendi, pas analizës së rezultateve dhe pasojave të dialogut të gjertanishëm dhe hartimit të platformës duhet të udhëheq dialog ndërshtetëror, që rregullojnë marrëdhëniet në mes të dy vendeve të pavarura.

Kurse çështja e pakicave kombëtare në dy shtetet duhet të rregullohet mbi parimin e reciprocitetit.

Për të arritur deti në këtë pikë, Serbia është e obliguar t’i ndërmerr disa veprime, e para së gjithash ta njohin Pavarësinë e Kosovës.

26.07 2018

You Might Also Like