Gjilan

Haziri: Jemi në pritje të qeverisë për miratimin e planit emergjent për hulumtimin e burimeve të reja ujore, reshjet nuk e përmirësuan gjendjen

Gjilan, 12 korrik / Niveli i ujit në liqenin akumulues në Përlepnicë, nuk ka ndryshuar as pas reshjeve të fundit, prandaj reduktimet sa i përket furnizimit me ujë të pijes do të vazhdojnë edhe më tutje, sipas orarit të deritashëm.

Kështu ka thënë sot kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pas takimit të rregullt javor të task-forcës komunale për menaxhimin e thatësisë, duke shtuar se gjendja është menaxhuar deri tani në mënyrë të drejtë falë angazhimit të përbashkët të grupit punues.

Haziri ka thënë se kufizimet do të vazhdojnë dhe furnizimi i qytetarëve me ujë të pijes do të bëhet sipas planit të reduktimeve, derisa gjendja të mos përmirësohet. Ai ka kërkuar nga qytetarët që të jenë të kujdesshëm në shfrytëzimin e ujit dhe të mos krijojnë rezerva të pa nevojshme, sepse gjendja është e menaxhueshme tani për tani.

“Ne e kemi miratuar edhe planin kontingjent për situata emergjente dhe kjo masë nënkupton furnizimin me ujë përmes formave alternative, por deri në këtë pikë nuk kemi arritur ende”, ka thënë kryetari Haziri, duke kërkuar njëherësh mirëkuptimin e qytetarëve në shfrytëzimin sa më racional të ujit.

Komuna e Gjilanit e ka ndaluar përdorimin e ujit nga ujësjellësi për nevoja dytësore, siç është ujitja e kopshteve, oborreve, larja e rrugëve e të tjera, ndërkohë që kryetari Haziri ka ndërmarrë një nismë për gjetjen e një zgjidhje emergjente sa i përket furnizimit të Gjilanit me ujë të pijes.

Haziri ka thënë se jemi në pritje të qeverisë për miratimin e planit emergjent të grupit të përbashkët punues, që ka një kosto prej 610 mijë euro, në mënyrë që të fillohet me shpimin e

gjashtë puseve të reja, të cilat do ta injektonin rrjetin e ujësjellësit me sasi të reja ujit dhe do të ndikonin në zbutjen e gjendjes aktuale.

Për zgjidhje afatgjate, Haziri ka thënë se ne e mbështesin projektin e Kremenatës, respektivisht të Llapushnikut të Karadakut, derisa për projektin e madh të Lepencit, jemi duke punuar me Bankën Botërore, ka thënë ai.

Ndërkaq, drejtori teknik i kompanisë “Hidromorava”, Mumin Morina, i cili në baza ditore merret me menaxhimin e gjendjes, ka thënë se thatësia ka ndikuar sidomos në liqenin akumulues në Përlepnicë, ku niveli i ujit ka rënë ndjeshëm, përderisa në burimet nëntokësore në Velekincë, gjendja është më e mirë, por nuk është e mjaftueshme për t`i plotësuar të gjitha nevojat e qytetit për ujë. Sipas tij, duhen resurse më të mëdha ujore për të zgjidhur këtë problem njëherë e përgjithmonë.

You Might Also Like