Futboll

Haziri nderon me mirenjohje veteranin e futbollit, Haqif Shkodra

Gjilan, 19 prill 2018 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka ndarë sot mirënjohje për bashkatdhetarin tonë, Haqif Shkodra, në shenjë falënderimi për kontributin e tij të çmuar dhe merita të veçanta në sport, veçanërisht në futboll.

“Haqif Shkodra është një nga futbollistët më të spikatur në historinë e futbollit të Gjilanit duke qenë edhe lojtar në ekipin junior të përfaqësueses së Jugosllavisë për një kohë të gjatë. Po ashtu lojtar shumvjeçar i KF “Drita”. Së bashku me komunitetin shqiptar në Kanada, Haqifi vazhdon ta mbajë gjallë traditën e futbollit, duke luajtur e përkrahur si trajner disa ekipe futbolli të komunitetit shqiptar atje.

Kryetari theksoi rëndësinë e sportit si ndërtues i imazhit të mirë të vendit tonë dhe kombit nëpër botë.

“Diaspora në veçanti i jep shpirt e zemër vendit tonë. Edhe gjatë vizitës time të fundit në Kanada, kam parë punën e mirë që komuniteti ynë e bënë atje. Jeni meritor!”, ka përfunduar kryetari Haziri.

Kurse, Haqif Shkodra ka thënë se kur një mirënjohje ndahet nga institucionet e shtetit të Kosovës, kjo do të thotë se përgjegjësia për të vazhduar punën duhet të jetë edhe më e madhe dhe obligim për mua.

“Jam tejmase i nderuar, që pranova këtë nder të madh që më është bërë nga ana juaj kryetar Haziri. Kjo është stimulim për punë të mëtutjeshme për mua dhe të gjithë sportdashësit në diasporë”, ka thënë ai duke falënderuar kryetarin e Komunës së Gjilanit.

Për ndryshe Haqif Shkodra, që nga paslufta jeton e punon në Edmonton të Kanadasë.

You Might Also Like